Akademiku Arsim Bajrami si iniciator, propozues dhe organizator i kësaj konference, ka thënë se në kohën e transformimeve të mëdha ndërkombëtare është e domosdoshme që komuniteti akademik të ofrojë analiza shkencore dhe vizione strategjike për sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës.
“Në kuadër të konferencës pata kënaqësinë të prezantoj edhe kumtesën time me temën: ‘Ndryshimet gjeopolitike dhe sfidat për shtetin e Kosovës’, ku trajtova ndikimin e rendit të ri ndërkombëtar, dinamikat e sigurisë, proceset integruese euroatlantike, sfidat ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve kushtetuese, institucionale dhe diplomatike të shtetit tonë”, ka thënë Bajrami.
Ai ka shtuar se kjo konferencë dëshmoi edhe një herë rëndësinë e dialogut shkencor dhe të mendimit akademik në ndërtimin e politikave publike dhe në mbrojtjen e interesave strategjike të Republikës së Kosovës.
“Falënderoj Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të gjithë referuesit, pjesëmarrësit dhe kolegët për kontributin e tyre në suksesin e kësaj konference, e cila besoj se do të shërbejë si një pikë e rëndësishme referimi për studimet dhe debatet e ardhshme mbi pozitën gjeopolitike dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka thënë Bajrami.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
