Shahin Beqir Baftiu (28.8.1959 – 16.4.1999)

Shahin Beqir Baftiu (28.8.1959 – 16.4.1999)

Shahin Beqir Baftiu u lind më 28 gusht të vitit 1959, në fshatin Zhegoc komuna e Gjilanit. Prindërit Beqir dhe Lebibe Baftiu lindën e rritën bijtë e bijat: Sahitin, Nazmijen, Nexhmedinin, Shahinin, Bajramin, Sebahaten dhe Fahrijen.

Shahini, shkollën fillore  e kreu në fshatin Zhegoc dhe në Verbicë në shkollën, ” Fetah Qerimi “.

Tradita e rezistencës kombëtare e të parëve të tij bëhet shkollë e fortë e edukimit atdhetar për dëshmorin, Shahin Beqir Baftiu, i cili rritet me rrëfimet dhe kujtimet  për Shaban Polluzhën. Shembull frymëzues ishte edhe axha i tij,  Saqip Baftiu i cili kishte marrë pjesë në luftën e vitit 1945 në rezistencën gjithë popullore të Drenicës  në krye me komandantin, Shaban Polluzhën dhe bashkëluftëtarët e tij.

 Viti 1952 ishte i rëndë për të gjithë shqiptarët liridashës të Kosovës, e veçanërisht për familjen Baftiu e cila ndiqej nga organet e UDB-së, për shkak se Saqip Baftiu, në luftën heroike të Shaban Polluzhës, në Drenicë kishte rënë heroikisht.

Regjimi antishqiptar bënte presion që kjo familje të shpërngulej për në Turqi si shumë familje të tjera. Tri vjet me radhë, në emër të tepricës “vishakt” –ut, kësaj familjeje pos drithit dhe porodukteve të tjera, i kërkoheshin 3 mijë kilogramë mish.

 Shahini ishte dalluar si njeri me tipare të larta njerëzore dhe me një vetëdije të lartë kombëtare. Ai mori pjesë edhe në Demonstratat e vitit 1981, në  Prishtinë, po ashtu ishte pjesëmarrës edhe në pajtimin e gjaqeve në vitin 1989 në Zhegovc me vëllanë e tij,  Sahitin.

Shahin Baftiu u kyç në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me datë 2 prill të vitit 1999 në fshatin Zhegoc, së bashku me vëlla Sahitin dhe nipin,  Kastriotin, në Zonën Operative të Karadakut në ”Brigadën 171 Kadri Zeka”.

 Ofensivat e prillit ishin më të përgjakurat anë e kënd Kosovës. Edhe në Zhegoc erdhën forca e mëdha e të shfrenuara policore, paramilitare  e ushtarake serboçetnike mijëra syresh kishin ardhur  prej Leskovcit.

Më 15 prill 1999, fillon ofanziva nga forca të mëdha policore dhe ushtarake serbe në Malsinë e Zhegovcit. Qëllimi kryesor ishte që ato të depërtonin në pozicionet e UÇK-së, dhe të rrethonin popullatën civile, për ta larguar nga vatrat e veta. Duke parë lëvizjet e forcave serbe dhe qëllimin e tyre, Komanda e ZOK-ut, dha urdhër që sa më parë të bëhet evakuimi i popullatës në drejtim të Gadimes dhe Smollushës, në fshatra të komunës së Lipjanit. Për këtë detyrë u ngarkua Sahiti, vëllai i Shahinit, me disa bashkëluftëtarë. Pa asnjë vonesë Sahiti vendosi të tërheq edhe familjen e tij, por ishte bërë vonë për shkak se ishin rrethuar nga forcat serbe, ku në tërheqje bien në krye të detyrës, bashkë me të birin, Kastriotin, me vëllain Shahinin dhe dhëndrin e tyre, Bahri Sadiku.

 Më 16 prill 1999 rreth orës 14.30 minuta, Shahini bie në krye të detyrës, në fshatin Sllovi të komunës së  Lypjanit,  tek vendi i quajtur “Lugu i Lakrës” së bashku me vëllanë Sahitin me nipin Kastriotin si  dhe miku i shtëpisë së tyre,  Bahri Sadiku.

Pas rënies së tyre u varrosën në fshatin Zhegoc, ndërsa më 17 shtator të vitit 1999 u bë rivarrimi i tyre në Kodrën e Dëshmorëve në Gjilan.

Shahini ka lënë pas vetës bashkëshorten, Mirveten, vajzën Lebiben dhe djemtë Durimin dhe Qëndrimin. Në shenjë respekti, familja e Shahinit është nderuar me Mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Komanda e ZOK-ut, Kuvendi Komunal i Gjilanit, OVL e UÇK-së.

 

Shënimet i përpiloi, Qëndrim Shahin Baftiu

Kontrolloni gjithashtu

Mursel Rrustem Boletini (19.11.1977 - 4.5.1999)

Mursel Rrustem Boletini (19.11.1977 – 4.5.1999)

Dëshmori i kombit Mursel Boletini rrjedh nga familja e njohur Boletini, e cila dha shumë …