mbpzhr 2018
Airport Adem Jashari
kek
MIT
Fillimi / Dëshmorët / Shani Avdyl Shala (23.5.1979 – 23.5.1999)
Shani Avdyl Shala (23.5.1979 – 23.5.1999)

Shani Avdyl Shala (23.5.1979 – 23.5.1999)

Dëshmori Shani Shala është i biri i Avdylit e Miradies. Ai ka lindur në fshatin Nënkala të Drenasit (ish-Vuçak), më 23 maj të vitit 1979. Nga tetë vëllezër e motra, Shaniu ishte i pesti me radhë. Nga familja e ngushtë, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përveç Shaniut ishte angazhuar edhe Mexhidi, invalid i UÇK-së.
Shaniu, mësimet e para i mori në shkollën fillore ,,Jusuf Gërvalla” në fshatin Fatos (ish-Negroc). Shkollën e mesme e ka mbaruar në shkollën teknike ,,Leonik Tomeu”, në Drenas, tani e quajtur “Fehmi Lladrovci”.
Shaniu rrjedh nga një familje me tradita atdhetare. Është nip i plakut të urtë, Xhafer Liman Shala, plak ky i njohur për urtësi, mençuri, mikpritje dhe veprimtarinë e tij atdhetare. Ai gjatë rezistencës popullore të kryetrimit të Drenicës në kohën e Luftës së Dytë Botërore, Shaban Polluzha ishte inkuadruar në luftë me tërë familjen. Për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, në vitin 1946, OZN-a serbe e likuidoi, Imer Liman Shalën. Me vonë UDB-ja jugosllave disa herë i burgosi dhe keqtrajtoi vëllezërit e Imerit, Xhaferin dhe Zenën.
Në vitin 1981 pas demonstratave të rinisë studentore, që u zhvilluan në Prishtinë dhe në tërë Kosovën, arrestohet dhe mbahen në burg Zenë Shala për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata. Po ashtu, burgoset xhaxhai i dëshmorit Ibrahim Shala. Nga e njëjta familje, për veprimtari ilegale, në vitin 1989 do te burgoset djali i xhaxhait të tij, Ferat Shala, i cili asokohe ishte student në Prishtinë.
Të gjitha këto ngjarje të dëgjuara e të përjetuara nuk do të mund të kalonin pa lënë gjurmë në shpirtin liridashës të Shaniut. Atë do ta brumosin deri në militantizëm edhe ngjarjet që do të rrjedhin më vonë. Me fillimin e organizmit të pikave ushtarake të UÇK-së, shtëpia e familjes se tij, në Nënkala do të kthehet në bazë të UÇK-së. Shaniu, asokohe njohu personalitetet më të dalluara të luftës së UÇK-së. Radhëve të çlirimtarëve të Kosovës, ai u bashkohet në fillim të majit të vitit 1998. Më të filluar lufta frontale në rajonin e fshatrave Nënkala, Fatos, Gjergjaj, Arllat, Llapushnik etj, vetëm nga rrethi i tij i ngushtë familjar u mobilizuan gjashtë luftëtarë. Nga Komandanti i njësiteve “Pellumbi”, Ferat Shala, Shaniu ngarkohet bashkë me Hasanin, të përgatisin në malet e Kozamqit bazat e armatimit dhe bunkerët për mbrojtje nga forcat armike serbe dhe për deponimin e municionit. Më vonë kjo bazë shërben për njësitet e “Pëllumbit” dhe për brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonë Operative të Drenicës dhe të Shtabit të Përgjithshëm. Këto baza u përballuan të gjitha ofensivave serbe.
Në shtator të vitit 1998 forcat serbe kishin filluar ofensivë të ashpër, në fshatrat Fatos dhe Nënkala. Luftëtarët e UÇK-së u tërhoqën në pikat e larta të malit Kozmaq dhe kalasë së fshatit Nënkala.
Shaniu dhe djali i xhaxhait të tij, Hasani, tani dëshmor, kishin ngelur në territorin e kontrolluar nga forcat serbe, duke maskuar municionet dhe rezervat e UÇK-së. Pas kryerjes së kësaj detyre ata tërhiqen në në drejtim të grykës së fshatit Rezistencë (ish-Baincë). Atje bien në rrethimin e forcave serbe dhe më 26 shtator të vitit 1998 arrestohen. Pas disa ditë qëndrimi në Burgun e Prishtinës dërgohen në burgun e Lipjanit. Nga gjykata serbe kundër tyre u ngrit aktakuza penale si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me fillimin e bombardimeve nga forcat e NATO-s mbi forcat serbe, Shaniu dhe Hasani dërgohen në Burgun e Dubravës, ku më 23 maj të vitit 1999 ekzekutohen nga forcat kriminale serbe në oborret e burgut. Pas përfundimit të luftës u identifikuan trupat e tyre në varrezën masive të të ekzekutuarve në burgun e Dubravës.
Më 14 nëntor të 1999, familjarët dhe bashkëluftëtarët e tyre, ata u rivarrosën në varrezat e dëshmorëve në fshatin Fatos.
Emrat e dëshmorëve janë skalitur në lapidarin e përbashkët, në qendër të Drenasit. Po ashtu, një lapidar në nderim të dëshmorëve është ngritur në oborrin e Shkollës së Mesme ku Shaniu e Hasani kishin vijuar shkollimin deri në fillimin e luftës çlirimtare.
Babai i dëshmorit Avdyli dhe nënë Miradija kanë lindur dhe kanë rritur njëmbëdhjetë bij e bija: Xhavitin, Mixhidin, Shaipin, Shaniun, Samiun, Shkumbinin, Astritin, Shemsiun, Merën, Nexhmien dhe Arbërinë. Familja Shala ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Orhan Lan Halilaj (13.3.1979 - 11.8.1998)

Orhan Lan Halilaj (13.3.1979 – 11.8.1998)

Dëshmori Orhan Halilaj lindi në fshatin Gllogjan, më 13 mars 1979. Prindërit Lan e Sharke ...