KEK
Fillimi / Dëshmorët / Shaqir Rrustem Kuka (6.2.1942 – 25.5.1999)
Shaqir Rrustem Kuka (6.2.1942 – 25.5.1999)

Shaqir Rrustem Kuka (6.2.1942 – 25.5.1999)

Familja e dëshmorit Shaqir Kuka e fshatit Bob të komunës së Kaçanikut, gjatë gjithë historisë, në radhët e saj ka pasur trima luftëtarë. Më 1918, organet e pushtuesit bullgar ekzekutuan Shaqirin e vjetër, pasi më parë ia kishin djegur shtëpinë.
Shaqir Kuka u lind më 6 shkurt 1942 në fshatin Bob. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Kaçanik. Më 1971 shkoi në Gjermani dhe pas 10 vjet pune në mërgim u kthye në vendlindje dhe i punësua në kuvendin Komunal të Kaçanikut si vozitës, ku punoi deri në vitin 1992, kur edhe u largua nga puna pasi kundërshtoi masat e dhunshme që në atë kohë i instaloi regjimi okupues serb në Kosovë.
Dëshmori Shaqir Kuka ishte frymëzuar nga veprimi i stërgjyshit të tij, Shaqirit. Dalja në skenë e UÇK-së, Shaqirin e gëzoi pa masë, sepse vetëm pushka e lirisë do ta çlironte Kosovën.
Shtrirja e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimës, Shaqirin e gjen të përgatitur, i cili pa hezituar ndihmon organizimin dhe zgjerimin e saj. Ai iu bashkua njësitit të Kaçanikut me Agim Bajramin, Xheladin Kurtaj, Qamil Ilazin, Metush Zenunin, Xhemal Burrnikun etj. Fillimisht u vendos në pikën e vëzhgimit në fshatin Kukaj, ku edhe shtëpinë e tij e kishte vënë në shërbim të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Bashkë me Shaqirin, në UÇK ishin angazhuar edhe vëllezërit e tij, Nazmi e Esat Kuka. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë ishin: Ramiz Kuka, Ismet Kuka, Shefket Kuka, Ramadan Zharku, Haki Troni, Izahir Troni, Brahim Dalloshi, Fadil Çaka, Muzafer Çaka, Osman Burrniku, Nazmi Kuka, Esat Kuka, Ekrem Kuka, Hetem Kuka, Qamush Kuka, Sakip Hysa, etj.
Shaqiri ishte pjesëmarrës i betejave të zhvilluara në Gajre, Ivajë, e Kotlinë. Më 25 maj 1999, ushtria serbe kishte mësyrë të digjte edhe një herë fshatrat e anës së djathtë të lumit Lepec, Bob, Kovaçec, Biçec, Nikaj e Dubravë. Në mbrojtjen e këtyre fshatrave ishin të pozicionuara njësitet e Batalionit të Parë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, në mesin e tyre ishte edhe ushtari i lirisë Shaqir Kuka. Zjarri i luftës nisi në mëngjesin e hershëm të kësaj dite. Në këto luftime ra heroikisht Shaqir Kuka dhe përkrah tij edhe dëshmorët Sakip Hysa, Sadik Guri, Qemal Guri, Nazmi Osmani e Avdullah Baftiu. Në të njëjtën kohë u plagosën luftëtarët Afet Dalloshi, Ferid Guri, Zekirja Vishi, dhe Mustafë Bunjaku, kurse në mesin e popullats civile u vranë këta Milaim Vishi, Rrahim vishi, Sylejman Guri, Hajrush Qorri me fëmijët Fetien e Artanin, Rexhep Qorri, Ali Tusha, Xhemajl Tusha, Sami Tusha dhe u plagos rëndë Faton Qorri.
Varrimi i trupit të dëshmorit Shaqir Kuka dhe bashkëluftëtarëve të tij të rënë u bë më 25 maj 1999 në vendin e rënies, kurse rivarrimi i tyre u bë më 3 korrik 1999 në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik.
Shaqiri la pas vetes bashkëshorten, Barijen; djemtë Ademin, Xhevdetin, Nusretin, Reshatin dhe vajzën Sahadeten; prindërit Rrustemin e Hamiden; vëllzërit Nazmiun e Hesatin si dhe motrat: Zymrijen, Zarijen, Hamiden, Farijen, Madijen dhe Ibadetin.
Në shenjë përkujtimi, në vendin e rënies është vënë pllaka përkujtimore për Shaqirin dhe bashkëluftëtarët e rënë. Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e dëshmorit, familjes së tij i kanë dhënë mirënjohje Ministria e Mbrojtjes së QPK-së, Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Kuvendi Komunal i Kaçanikut dhe Komanda e Zonës së 6-të e TMK-së. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Sadullah Selman Dibrani (25.10.1950 - 22.9.1998)

Sadullah Selman Dibrani (25.10.1950 – 22.9.1998)

Familja Dibrani nga Gradica e Drenicës, e cila në vitin 1963 ishte shpërngulur nga fshati ...