Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit ka vazhduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Prokuroria ka paraqitur prova të reja materiale të siguruara përmes bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para trupit gjykues janë sjellë të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, ndërsa prokurori i rastit ka kërkuar që në dosjen gjyqësore të përfshihen të dhënat teknike të dorëzuara nga kompanitë teknologjike Google dhe Meta Platforms, të cilat janë siguruar përmes autoriteteve amerikane. Sipas Prokurorisë, raportet janë nxjerrë nga deshifrimi i telefonit të të akuzuarit Dushan Maksimoviq dhe përmbajnë informacione teknike që lidhen me llogaritë e tij elektronike. Në mesin e të dhënave të paraqitura përfshihen adresa IP e krijimit të llogarisë në Serbi, numri i telefonit për rikuperim me prefiks serb, aktivizimi i lokacionit dhe lista e kontakteve të ruajtura, ku figurojnë edhe persona të përfshirë në këtë proces gjyqësor. Po ashtu, në materialet e ruajtura në llogaritë digjitale janë identifikuar përmbajtje që, sipas Prokurorisë, lidhen me armë dhe municion, si dhe të dhëna navigimi në territorin e Kosovës të kërkuara përmes Google Maps. Këto elemente, sipas organit të akuzës, dëshmojnë ekzistencën e një rrjeti komunikimi dhe koordinimi ndërmjet të akuzuarve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
