SHBA godet vendimin e KQZ-së: Dritëshkurtër dhe përçarës

Sipas Ambasadës, pengimi i certifikimit cenon të drejtat demokratike të qytetarëve serbë të Kosovës dhe rrezikon stabilitetin e vendit. “Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik”, thuhet në reagim, një paralajmërim i qartë se vendimi ka pasoja më të gjera politike. KQZ-ja nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për certifikimin e Listës Serbe, duke prodhuar një rezultat të pazakontë: 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime. Dy votat kundër erdhën nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, të cilët akuzuan hapur Listën Serbe se “punon kundër interesave të Kosovës”. Reagimet ndërkombëtare ishin të menjëhershme dhe të forta. OSBE u deklarua “thellësisht e shqetësuar”, duke akuzuar KQZ-në për polarizim politik dhe për veprime të udhëhequra nga interesa partiake, jo nga kritere ligjore. Serbia po ashtu e cilësoi vendimin “plotësisht të papranueshëm”, me ministrin serb të jashtëm Marko Gjuriq që foli për “mungesë të kapaciteteve demokratike” në Kosovë. Lista Serbe mund të ankimojë vendimin në PZAP, i cili edhe më herët kishte rrëzuar dy mos-certifikime të KQZ-së në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale – duke hapur rrugën për dominimin e kësaj partie në komunat me shumicë serbe dhe ulëset e garantuara. Reagimi i SHBA-së shënon një sinjal të fortë: tensionet rreth pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje po kthehen në çështje qendrore në raportet Washington–Prishtinë, duke rritur presionin ndaj institucioneve kosovare në një moment të ndjeshëm politik.

Kontrolloni gjithashtu

Jonas Westerlund: Institucionet të formohen sa më shpejt, 2026-ta mund të jetë vit i mirë për Kosovën

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar nevojën urgjente për formimin e institucioneve …