leoni

Shefqet Ali Dibrani: Rrebelimi i të burgosurve shqiptarë në burgun e Nishit në vitin 1974

Të shkruajë njeriu për të burgosurit e ndërgjegjes atdhetare nëpër burgjet serbe e jugosllave është jo vetëm një detyrë, por duhet të jetë edhe një trokitje në ndërgjegjen, sidomos të politikë-bërësve, të cilët duhet ta kuptojnë se për lirinë, pavarësinë dhe Shqipërinë e tërësishme është derdhur gjak, janë bërë sakrifica dhe heroizma mbinjerëzore, siç është në radhë të parë heroizmi i Komandantit Legjendar të UÇK- së Adem Jashari.

Të dhënat që mund t`i evidentojnë të burgosurit politikë janë jo vetëm ngjarje rrëqethëse, por edhe krenare e madhështore, që me siguri do t`i vlejnë edhe historisë, por edhe politikës e diplomacisë e natyrshëm edhe letërsisë. Megjithëkëtë nuk ka mundësi për të përmbledhur të tërë materialin dhe mbase nuk mund të përshkruhen kurrë të gjitha torturat dhe krimet, që i kanë bërë kriminelët policë, inspektorë, gardianë, barbarë e gjakpirës serbë e sllavë dhe disa ndihmës të tyre shqiptarë, që me jatakun e tradhtisë jetonin, krekoseshin e bënin krime ndaj vëllezërve të tyre. Njëri ndër burgjet më të tmerrshme, ndër më i urryeri, njëri ndër burgjet më fashiste është edhe burgu i Nishit.

 

Në këtë burg janë përdorur format më të egra të torturave psikike e fizike. Fyerjet kanë qenë diçka krejtësisht e zakonshme nga këta barbarë, përdorimi i forcës dhe dhunës, që ata na kanë bërë mbi ne, vetëm mund të mendohet nga njerëzit, që nuk kanë përjetuar burgun.

Këto tortura çnjerëzore, që i kanë përdorur hetuesit , inspektorët policët dhe gardianët, serbë e jugosllavë mbi të burgosurit shqiptarë, i kanë prurë këta të fundit në një gjendje sfilitjeje, të dërrmimit, në të shumtën e rasteve deri në humbje ndjenjash apo alivanosjeje, megjithëkëtë edhe pse gjitha këto vuajtje i kanë përjetuar, por kurrë nuk janë dorëzuar, nuk janë dhënë trimat e njëmendtë shqiptarë, paçka se ndodhte që disa edhe i mbysnin.

I mbysnin në bodrumet e të ashtuquajturës: “Bella Kuqa” (Në shqip: “Shtëpia e bardhë”), të cilën e kishte ndërtuar mbretëresha serbe Maria Karaxhorxheviq.

Njëri ndër ata shqiptarë, që mbytën këta barbarë serbë në ato bodrume , është edhe Hashim Zajaqa, nga fshati Zajaq malësisë së Shalës së Bajgorës. Mbasi e kishin mbytur e kishin varur me këmishën e tij në gypat e nxehjes, të cilit këmbët i preknin në tokë. Këtë e kishte parë një i burgosur shqiptar që i pastronte korridoret e burgut, nëpërmjet të ashtuquajturës: “Shpiunka” në derë të qelisë, vendi nga ku mund të shikohej diçka fshehtas.

Ne i urrenim dhe i urrejmë për vdekje këta barbarë. Por ne ishim edhe të përgatitur shpirtërisht, atdhetarisht e moralisht, prandaj disa të rinj filluan të organizoheshin. Lexonim shumë edhe lajmet i përcillnim. Pa mëdyshje edhe ngjarjet ndërkombëtare i shikonim me kujdes, sidomos atëherë kur ishte në qendër të vëmendjes rezistenca e popullit palestinez.

Diskutonim e analizonim për heroizmin palestinez. Shpesh herë shtroheshin pyetjet: “ Po ne shqiptarët pse e durojmë pushtimin, pse i durojmë fyerjet, pse e durojmë nënçmimin, pse të rrimë duarkryq?” Arsyetonim: “Po ne e shikojmë, se duan të na humbin dinjitetin njerëzor e atdhetar etj., prandaj edhe ne duhet të organizohemi dhe të veprojmë.”

Filluam organizimin me shokët më të besueshëm, në një fshehtësi të thellë dhe të vetëdijshëm se do të ruheshim e nuk do të zbuloheshim qoftë edhe me çmimin e vdekjes. Arritëm të siguronim disa revista dhe gazeta ditore e me to së bashku edhe revistën: ”Shqipëria e Re”. Ajo futej në burg pasi i hiqej kopertina dhe pasi i vihej një kopertinë e revistave tjera që botoheshin në Prishtinë. Këto revista dhe gazeta dërgoheshin nga Prishtina prej disa shokëve tanë brenda trojeve shqiptare nën Jugosllavinë e atëhershme, por na vinin edhe nga shokët në mërgim.

Unë i kam harrur shumë shokë të këtij organizimi, por sinqerisht ju kërkoj falje atyre që nuk më kujtohen, meqë nuk mund t`jua shënoj emrat, prandaj ata shokë që pasi të kenë lexuar këtë shkrim, do të doja ta plotësonin listën të cilën po jap tani:

 

Emrat e atyre që më kujtohen janë këta:

Ilmi Muzaqi, nga Bruzniku, Zenel Meha nga Prekazi, Murati, nga Prekazi me nofkën “Palestinezi”, Zenë Zena nga Klina, Hysen Shala nga Liqina, Tafilë Hoxha nga Klodernica, Sefer Idrizi nga Zhakova e Burimit, Hajrush Selmana Haxhaj nga Rugova, Hasim Përçuku nga Cecelia, Muhamet Xhemali nga Peja, Xhemail Haçku nga Peja, Ragip Thaçi nga Sibofci, Asllan Gashi nga Mramori i Prishtinës, Faik Hasani nga Kopriva e Mitrovicës, Ismeti nga Mitrovica, Nuha nga Mitrovica, Bejtë Mavriqi nga Mavriqi i Besianës, Hetem Perpellaci nga Besiana, Tefik Mehmeti nga Gjilani, Hafir Gashi nga Theranda, dhe shumë shokë të tjerë që emrat e tyre, fatkeqësisht nuk më kujtohen.

Ne ishim organizuar në mënyrën më sekrete dhe me armët e ftohta që i kishim në vendin e punës, planifikonim të shfrytëzonim rastin, kur udhëheqja e burgut do të vinte të na vizitonte e kur ne do të ishim duke punuar, t’i mbyllnim brenda.

Drejtoria e burgut organizoi një grup kriminelësh serbë të burgosur dhe të armatosur me sëpata të muratorëve e bajoneta të përgatitura, për të na sulmuar. Nëntëmbëdhjetë veta prej këtyre kriminelëve i futën në një dhomë me disa shqiptarë, shumica pleq, dhe i kërcënonin se do t’i thernin në grykë. Në anën tjetër kërkohej të merreshin masa kundër shqiptarëve në mënyrë që ata të reagonin e që pastaj dhuna mbi ta të ishte sa më e ashpër dhe pastaj intervenimi të arsyetohej. Por, ne u organizuam shpejt e shpejt, disa shqiptarë nga dhomat i njoftuan shokët në vendet e punës dhe kështu reaksioni ynë qe i shpejtë, flakë për flakë, dhe kjo ndodhi më 14 janar 1974 në orën 13;00.

Policia jugosllave ishte e përgatitur që herët, prandaj intervenoi me cisterna të ujit dhe me gazin lotsjellës, ndërsa më vonë edhe shtinë me armë zjarri dhe me plumba gome dhe kështu filloi diçka si në një luftë të pabarabartë.

Ne duke pasur disa mjete të mprehta, disa prej shokëve tanë i shpërthenin gypat e ujit , prandaj edhe shtypja e ujit ishte dukshëm më e dobët nga cisternat, ndërsa qepët i përdornim për të pakësuar efektin e gazit lotsjellës. Për të nxjerrë shokët nga vendi ku i kishin mbyllur brenda, përdornim aparate që i përdornim edhe në punë, filluam të prisnim grilat dhe në këtë aksion na ndihmuan edhe boshnjakët, ndërsa në rrethana të tilla nuk ngeli asnjë shqiptarë që të mos përfshihej në këtë rebelim.

Do theksuar se ata që ishin më herët të organizuar nga ana jonë qëndronin në radhët e para, ku rreziku ishte më i madh.

Gjatë përleshjeve drejtoria e burgut e çoi një punëtorin e tyre Ndue Çunin, një shqiptar nga rrethi i Gjakovës, i cili ishte i martuar me një malazeze dhe i cili e kryente punën e njëfarë “edukatori”. Ndue Çuni në fillim u mundua të na qetësonte, të bindeshim për të mos vazhduar më tutje atë rebelimin tonë, por kur e pa gjendjen tonë të vështirë dhe vendosmërinë që kishim na tha:

– Më sulmoni dhe më rrëmbeni mua dhe më vini të parin në ballë të turmës.

Me marrëveshje, e sulmova dhe vura në ballë të turmës.

Ai iu fliste serbisht autoriteteve: “Më vritni mua”, ndërsa mua nga mbrapa më thoshte se këta tani nuk ishin me armë. Në ndërkohë në një gjendje të atillë: Ilmiu, Seferi, Tafili, Zeneli, Hajrushi dhe shumë të tjerë e prishën murin dhe derën ku ishin përqendruar kriminelët serbë me krevate nga mbrapa murit. Ata i rrahën ua thyen nofullat, duart këmbët dhe në batanije i nxirrnin jashtë, ndërsa shumica jonë përballeshim edhe me policinë në oborrin e burgut. Shumica prej nesh ishim të plagosur nga plumbat e gomës, por edhe të drurit, të cilët çaheshin në pjesëza të holla. Kështu pati edhe të vrarë.

Në një moment komandanti i policisë bërtiti dhe tha: “ Çka doni?” Më duket se Tefik Mehmeti nga Gjilani i thotë: “Eja shiko, brenda se çka u bë!”Afrohet komandanti të shikoj i shoqëruar me një përcjellës të tij. Disa nga shokët tanë i rrëmbejnë, dhe i fusin brenda. Ua afrojnë thikat tek gryka, tanimë ata ishin të tmerruar. Shokët tanë ju thonë të urdhëronin policinë që të largoheshin jashtë burgut. Ata urdhërojnë policinë dhe policia i afrohet derës kryesore.

Në rrëmujë e sipër, i riu nga radhët tona Bejtush Peci, ndahet pakëz nga grupi dhe në dorë e kishte një sfurk, policia e kishin vënë re dhe shtinë mbi të, duke e plagosur rënd, rrëzohet në krahun e majtë, pastaj unë ia kam futur duart nga mbrapa kokës, ndërsa ai i ka hapur sytë, e ka shikuar policin në sy dhe i ka sharë të tërë policët në gjuhën serbe.

Pastaj ka thënë: – Mund të na vrisni, por kurrë nuk do të mund të na mposhni.

Unë dhe Xhaviti e kemi marrë Bejtushin para duarsh dhe e kemi çuar në ambulancë. Por duke qenë në një gjendje të rëndë, nuk i përballoi dot atë gjendje, më vdiq në duar. Duke pasur emocione të fuqishme dhe dhembje të madhe edhe unë përjetova gjendjen më të rëndë në jetën time.

Në një situatë të tillë, të krijuar në burgun e Nishit, policia tërhiqet jashtë burgut dhe me këtë rast edhe ndeshja jonë frontale me ta përfundoi.

Ishte kohë dimri, por nuk bënte shumë ftohtë. Tanimë komandantin e burgut dhe shoqëruesin e tij, por edhe disa serbë të tjerë i zumë robër. Filluam të konsultoheshim me njëri – tjetrin. Disa burra të mençur e sidomos Fazli Muzaçi na këshillonin të kishim kujdes me robërit. Ne, përveç komandantit dhe milicit të tij që i kishim robër, i kishim marrë edhe të gjithë çelësat e burgut dhe nëpër dhoma i kishim mbyllur të burgosurit serbë. Mustafë Kçiçi e kishte një sëpatë që përdorej për punët e ndërtimit. Mustafa dhe disa shokë i kishim lënë si roje ta ruanin komandantin dhe milicin. Filluam edhe barrikadën tek dera e hyrjes. Në një moment Mustafa me sëpatën e tij i ra fortë tavolinës, telefoni ra në dysheme dhe komandanti me policin të tmerruar kërcyen përpjetë, më pas Mustafa i tha komandantit:

– Vetëm edhe një polic i vetëm po të synojë të na sulmojë nga jashtë, unë me këtë sëpatë do të ta këpus kokën.

Në ndërkohë policia serbe prej së largu nga zmadhuesit e zërit na bënin thirrje të dorëzoheshim se përndryshe, kërcënoheshin, se do ta përdornin forcën. Ne ishim të bindur se ata do ta përdornin forcën po ta shihnin se ishim sadopak të thyer, në mëdyshje, por kur e shikonin se ishim të vendosur madje edhe për të vdekur dhe kur e kuptonin se komandanti dhe polici i tyre do të zhdukeshin nga faqja e dheut, gjoja na bënin thirrje të qetësoheshim. Ata e përdornin forcën edhe kur ishte gjendja e qetë e lëre më tani, por atyre nuk ua mbante, prandaj ne këtë fare mirë e kuptonim, kështu që e morëm komandantin dhe policin e tij dhe i çuam në bodrum, aty ku ishte nafta dhe gazrat të tjera dhe ju thamë:

– Në qoftë se dikush nga policia na sulmon, të jeni të bindur, se ne do t`i ndezim fuçitë me naftë dhe me lëndët të tjera që digjen dhe do ta bëjmë hi e pluhur burgun, juve dhe gjithçka për rreth, paçka se edhe ne do të vdesim.

Ia dhamë telefonin të fliste me autoritet dhe policinë serbe dhe kështu ai i tmerruar iu tha atyre:

 

 

– Jemi në rrezik të tërë, këta e kanë vendosur ta djegin me fuçitë e naftës ndërtesën, neve dhe juve e gjithçka për rreth.

Autoritet e burgut atëherë me zmadhuesin e zërit, na thanë se duhej të përbëhej një delegacion nga të burgosurit dhe të shkonte tek ata për t`ua paraqitur kërkesat.

U vendos nga ana jonë që delegacioni të përbëhej prej, Ilmi Muzaqit, Shefqet Ali Dibranit dhe Xhavit Pecit, meqë Xhaviti e kishte Bejtush Pecin të afërm dhe donte të shkonte e ta shikonte në spital, a ishte i vdekur apo jo, sepse ishte shpallur se ishte në sallën e operacionit. Por ne e dinim se ai ishte i vdekur.

Disa nga shokët tanë u thamë autoriteteve të burgut nëpërmjet telefonit, se në qoftë se brenda 15 minutash nuk do të ktheheshin tek ne shokët tanë, do të djegim ndërtesën, burgun dhe gjithçka që do të kemi mundësi.

U nisëm të shkonim tek drejtori i burgut. U futëm në zyrën e drejtorit, përveç tij qe edhe zëvendësdrejtori Stanojen nga fshati Ranillukë i rrethit të Gjilanit, i cili në kohën e kryekriminelit dhe çetnikut Rankoviç, kishte qenë krye-shef i policisë për 12 vite në Gjakovë, e pastaj e kishin çuar krye-shef në Nish, por ne nuk e njihnim.

– Kërkesën e parë e bëmë, pikërisht për Bejtushin, që Xhaviti të shkonte në spital për të parë në ishte gjallë Bejtushi.

– Kërkesa e dytë ishte: Të mos guxonte askush të futej në burg me forcë, sepse do t`i vihej flaka e do të digjej çdo gjë.

– Të vinin udhëheqësit kryesor të Kosovës në krye me Mahmut Bakallin.

– Të vinin udhëheqësit federativ me në krye Stane Dolancin.

U munduan të arsyetoheshin se nuk guxonin të thërritnin njerëzit nga politika, por gjoja se mund të bënin gjithçka me jurisprudencën dhe të thërritnin organet e policisë së brendshme nga Prishtina etj, etje, ndërsa ne ishim të vendosur në kërkesat tona dhe dinim se gjithçka udhëhiqej nga politika.

Filluan negociatat. Ne u kthyem tek shokët tanë. Kishim nevojë për ushqime dhe ilaçe, për fat të mirë ne kishim edhe një infermier aty, ndihmës mjeku, shqiptar nga Lupçi i poshtëm, por fatkeqësisht emri i tij nuk më kujtohet. Barnatoren e burgut e kishim në përdorim, ndihmësmjeku e dinte se ç`duhej të përdornim e si duhet t`i pinim ilaçet. Filluam edhe organizimin për t`u ushqyer.

Komandanti i burgut na u lut ta lëshonim gardianin, policin e burgut dhe na tha se të gjitha kërkesave tona do t`ju përmbahej, por ne i thamë:

– Ne kemi vendosur, në qoftë se është nevoja të gjithë do të vdesim, por edhe juve do t`ju mbysim.

Policët dhe kriminelët serbë si burra të ligj e të poshtër që janë, kur nuk kanë forcën, dorëzohen, tmerrohen, se nuk kanë ideale njerëzore, të nënshtrohen e dhelpëroren dhe në një gjendje të atillë, kur ne nuk çanim kokë për fjalët e tyre, komandanti dhe polici i tij filluan të qanin, pa çarë kokën se sa dhimbje i kanë shkaktuar ata dhe regjimet serbe shqiptarëve në shekuj, duke i vrarë e prerë, duke i djegur e therur shumë shqiptarë e shqiptare, shumë fëmijë e duke pushtuar e dhunuar pjesë të shumta të Shqipërisë.

Ne i lejuam ata të flisnin në telefon me familjet e tyre dhe ata qanin si kalamaj. Na thanë se qanin për fëmijët e tyre, ndërsa ne ju thamë se edhe ne kemi fëmijë, por nuk qajmë, sepse kemi ideale, kemi forcë e krenari e dimë se digjemi, vritemi e vdesim për atdheun tonë, ta çlirojmë prej juve pushtues të ndyrë, e dimë se vdesim për popullin tonë edhe për fëmijët e familjet tona në përgjithësi. Ky është përkushtimi ynë, kjo është krenaria jonë, kjo është burrëria jonë dhe nuk qajmë, por forcohemi e kalitemi në rrugën tonë për jetësimin e idealeve shqiptare dhe njerëzore.

Aty nga ora 20 na njoftuan se kishte ardhur dikush nga Kosova njëfarë Azem Azemi, me Enver Rexhepin, njëfarë kryetari politiko- shoqëror. Kërkuan fillimisht t`i hapnim dyert dhe ta qetësonim gjendjen dhe pastaj të shkonim një delegacion i përbërë nga ana jonë. Unë e Ilmi Muzaqi shkuam, por pa i hapur dyert për askënd nga policia dhe autoritetet jugosllave.

Në sallë ishin edhe disa të jurisprudencës nga Beogradi. Azem Azemi fillimisht përdori një dredhi dhe na tha, se nëse qetësohemi dhe i përmbaheni rregullit ju dyve do t`jua ulim dënimin. Ne të mllefosur ju thamë se pa i plotësuar kërkesat tona të parashtruara nuk tërhiqemi kurrë nga rruga jonë dhe se kurrë nuk i tradhtojmë shokët tanë. Ikëm dhe shkuam tek shokët tanë. Gjatë natës na thanë se kishte ardhur delegacioni nga Prishtina dhe një nga Beogradi.

Disa shokë u mblodhëm dhe kërkesat na i shkruante Mehmet Xhemaili, nga Peja, absolvent në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

U futëm në sallën e bisedimeve, përballë kishim delegacionin nga Kosova të përbërë prej Nazmi Junikut, sekretar i Jurisprudencës në Kosovë, Ramadan Vraniqit, kryetar i Gjykatës në Kosovë, Xhevdet Hamzës sekretar i Punëve të Brendshme në Kosovë si dhe Azem Azemit dhe Enver Rexhepit, ndërsa nga Beogradi kishin ardhur Sekretari i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ai Jurisprodencës serbe. Por nuk ishte as Mahmut Bakalli as Stane Dollanci, megjithëkëtë biseduam dhe i paraqitëm disa kërkesa për të mos na torturuar, sepse e faktuam dhunën e tmerrshme që gardianët dhe inspektorët e burgut e kishin bërë mbi ne, për këtë na u bënë dëshmitarë edhe dy serbë nga Kosova pleq, që ishin të burgosur. Atyre ju kishim premtuar se do t`i çonim afër familjeve të tyre, meqë kërkesa jonë ishte që të gjithë të burgosurit shqiptarë dhe serbë nga Kosova të ktheheshin në Kosovë .

 

Kërkesat tona ishin këto:

– Të ktheheshin të gjithë të burgosurit shqiptarë në Kosovë, por edhe të burgosurit serbë që kishin lindur në Kosovë.

– Të shkarkohet drejtori i burgut.

– Të zgjidhet komandanti i ri në kohë krize.

– Të vijnë gardianë dhe edukatorë shqiptarë nga Kosova në bazë përpjesëtimi me të burgosurit shqiptarë.

– Të liroheshin nga burgjet shqiptarët për shkak të aktivitetit të tyre politik e kombëtar.

– Të vihet në vend drejtësia në raport me shqiptarët dhe Kosovën.

 

Bisedimet i zhvilluam për një kohë shumë të gjatë, kur autoritet e Beogradit i dëgjuan edhe serbët që folën për dhunën e pashembullt dhe masakrat mbi shqiptarët që kishin bërë gardianët dhe inspektorët serbë, të nervozuar thanë se ja ku i keni njerëzit tuaj merruni vesh me ta dhe krisën e ikën me bisht nën shalë.

Në bisedime ishte edhe një burrë i moshuar nga Ferizaj dhe një burrë po ashtu i moshuar, Shaban Kërtoku nga Dumnica e Besianës që e kishte vrarë një serb.

Ne ua bëmë me dije delegacioneve nga Beogradi dhe nga Kosova se s`ka vëllazërim bashkim e përralla të tjera dhe vetëm çlirimi është rruga më e drejtë për ne shqiptarët.

Kërkesat tona u pranuan, por siç dihet vetëm disa u plotësuan.

Komandant u zgjodh Nazmi Juniku. 150 të burgosur i çuan në Kosovë.

Një pjesë të literaturës dhe materialeve të shumta si revista dhe gazeta “Shqipëria e Re”, “Zëri i Popullit” etj., kemi arritur t’i shpëtojmë duke ia ngarkuar Xhemail Haçkut, i cili e kishte bërë burgun e plotë dhe po kthehej në shtëpi. Natyrisht ai u ndihmua edhe prej disa gardianëve shqiptarë.

Grupi parë i të burgosurve shqiptarë u kthye në Mitrovicë më, 17 janar 1974, i dyti në Pejë dhe pjesa tretë e mbetur dhe më madhja në Prizren më 18. 1. 1974.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …