Shënohet 40-vjetori i Pranverës Shqiptare ‘80 në Rahovec

Në sallën e mbledhjeve të kuvendit komunal të Rahovecit, është mbajtur aktivitet për shënimin e 40-vjetorit të Pranverës Shqiptare ‘80 në Rahovec. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, Dërvish Çadraku drejtor i Shoqatës për Ruajtjen dhe Kultivimin e Vlerave Kombëtare “Arbëria” me seli në Rahovec, Hydajet Hyseni kryetar i Këshillit Organizues të “Pranverës Shqiptare 81” dhe të pranishëm tjerë. Kryetari Latifi në fjalën e tij ka thënë se Historia për shqiptarët ka qenë si një dramë, apo më mirë thënë, një tragjedi me shumë akte. Pushtetet vinin e shkonin e pas linin varre, vuajtje, mjerim e shkatërrime materiale të shumta. Aktorët gjithmonë ishin shqiptarët. Kjo tragjedi shqiptare natyrshëm që kishte edhe heronjtë e saj, sepse qenë ata që i vunë gjoksin furtunave, duke luftuar e duke u flijuar për të mirën e përgjithshme. Kështu bënë edhe studentët tanë në pranverën e vitit 1981, kur u përballën me makinerinë policore e ushtarake nëpër rrugët e Prishtinës e në tërë Kosovën. Ndërsa Dervish Çadraku, në fjalimin e tij është shprehur se protesta e studentëve e mbrëmjes së 11 Marsit të vitit 1981 shkëndija dhe kulmi i pezmit popullorë që do të rrokulliste si ortek dhe nuk do të ndalet deri në çlirimin e Kosovës nga Ushtria Çlirimtare, e cila doli nga gjiri i prushtë i tij dhe sebep ishte: kaloritë e dobëta në pjatat e studentëve në menzën e tyre në Prishtinë. Kurse, Qemaj Krasniqi i cili është duke mbledhur dokumente për historinë dhe monografitë për dëshmorët e kombit  nga komuna e Rahovecit, në fjalën e tij ka thënë se Pranvera Shqiptare ‘80, është një përkufizim shumë domethënës, që ka të bëjë me daljen nga epoka e acari e zymtësie, epokë frikë e pasiguri, të populli shqiptar në ish-Jugosllavinë komuniste, Pranvera Shqiptare ’80 ngërthen në vete përpjekje, përkushtim, luftë dhe rëniet e shumë atdhetarëve në dekadat e zymta të pushtetit sllav. Aktivitetet për shënimin e këtij përvjetori kanë vazhduar me zbulimin e përmendores në fshatin Malësi e Vogël, që ju kushtohet të burgosurve politik të fshati.

Kontrolloni gjithashtu

Në komunën e Ferizajt u publikua raporti për vlerësimin e nevojave të rinisë për vitin 2024

U publikua raporti për vlerësimin e nevojave të rinisë për vitin 2024, në komunën e …