Shënohet Muaji i Luftës kundër Kancerit të Gjirit në Viti

Komuna e Vitisë, konkretisht Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti ka shënuar sot me një aktivitet simbolik fillimin e muajit tetor ” Muaji i Ndërgjegjësimit në luftë kundër Kancerit të Gjirit”. Me këtë rast nën përkrahjen e dr. Nazim Dautit -radiolog iu është bërë ultrazëri falas për 20 gra të kësaj komune. Sipas Drejtoreshës së QKMF-së në Viti, Dr.Vjollca Kadolli -Halili, kjo qendër vite me radhë ka organizuar aktivitete të ndryshme në muajin tetor kur edhe zakonisht shënohet Muaji i Ndërgjegjësimit në luftë kundër Kancerit të Gjirit. Dr. Kadolli- Halili ka folur edhe për këtë lloj të sëmundjes që prek të dy gjinitë. “Kanceri i gjirit është një sëmundje ku qelizat e gjirit rriten jashtë kontrollit si dhe mund të fillojë në pjesë të ndryshme të gjirit dhe mund të përhapet jashtë tij nëpërmjet enëve të gjakut dhe enëve limfatike, pra duke dhënë metastaza. Si gratë ashtu edhe burrat mund të preken nga kanceri i gjirit, edhe pse ky kancer është shumë më i zakonshëm te gratë” u shpreh Dr. Kadolli-Halili. Ajo tha se disa gra janë në rrezik më të lartë nga kancerin e gjirit sesa disa të tjera për shkak të historisë së tyre mjekësore, personale apo familjare. Gjithashtu u bë me dije se pjesa më e madhe e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në faza të vonshme. Gjithashtu sot QKMF në Viti ka ndarë një falënderim për dr.Nazim Dautin për kontributin e dhënë në shënimin e këtij aktiviteti të ndërgjegjësimit.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë PMN Sh.P.K

Komuna e Deçanit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë PMN Sh.PK. “Nënshkruam kontratën me kompaninë …