Shoqata e Intelektualëve të Pavarur të Deçanit reagon ndaj deklaratës së Nenad Rashiq për pronat e Manastirit të Deçanit

Shoqata e Intelektualëve të Pavarur të Deçanit ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili ka thënë publikisht se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “për hatër të tij” ka bartur rreth 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Në reagimin e saj, shoqata thekson se nëse kjo deklaratë rezulton e vërtetë, atëherë bëhet fjalë për një veprim politik të papranueshëm që bie ndesh me përpjekjet shumëvjeçare të qytetarëve dhe institucioneve të Deçanit për mbrojtjen e pronës shoqërore dhe interesit publik. Sipas reagimit, toka prej rreth 24 hektarësh, që dikur ishte pronë e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, ishte dhënë fillimisht nga regjimi i Slobodan Milosheviq në vitin 1997. Çështja më pas u pasua me veprime të administratës së UNMIK dhe me procese të gjata gjyqësore, ndërsa vendimi u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Shoqata rikujton se qytetarët e Deçanit e kishin kundërshtuar vazhdimisht këtë vendim dhe kishin organizuar protesta në mbrojtje të pronës shoqërore, ku në atë kohë kishte marrë pjesë edhe vetë Albin Kurti, atëherë në opozitë. Në fund të reagimit, shoqata kërkon përgjegjësi dhe transparencë të plotë nga institucionet e Kosovës, duke theksuar se çështja e pronave në Deçan është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe nuk mund të trajtohet si favor politik ndaj askujt.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj reagon pas deklaratës së Nenad Rashiq për tokën e Manastiri i Deçanit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të ministrit …