Shpëtim Doda: Mjerë një komb që kultivon një Neron

Vështrim gjuhësor për romanin e Ben Blushit “Të jetosh në ishull”

In media res, – po futem drejt e në temë: në një kohë kur gjithçka është peng i sizmikes, i një lëkundshmërie dramatikisht shkundulluese në jo pak rrafshe, sfera, deri edhe në qoka konceptesh dhe nocionesh nga më të rëndomtat, për të cilat, në vend të “afërmendsh” e “vetëkuptohet” të së djeshmes, sot përdorim “ka gjasa”, “ndoshta”, tashmë çdokush që jeton në Shqipëri, për dy dukuri mund të shprehet pa mëdyshje: për motin që po karakterizohet klimatikisht nga temperaturat e një fillimvere subtropikale, dhe për vendosjen e “Të jetosh në ishull” si kryetema e ditës.
Ndërsa dukuria e parë, ajo e motit, është krejt e natyrshme, lidhet me dinamikën relativiste të ndërrimit të stinëve, dukuria e dytë është krejt e panatyrshme, lidhet me relativizmin dinamik të gjykimeve dhe vlerësimeve (kriza si krisje) që blushistët s’kanë përtuar të shtrojnë rreth letërsisë e funksioneve të saj, duke e zhvendosur “letraren” drejt një zone distopike – një hapësirë kundërletrare e sunduar nga ligjësitë e ligësitë (kakotopia e Bentham-it) e totalitarizmit, qoftë edhe thjesht estetik (ndërkohë që në faqet e Të jetosh në ishull s’është vetëm estetik). E ç’mund të themi tjetër, ndërsa jetojmë ditë dramatikisht të çuditshme e në zemër të dukurive të panatyrshme, kur përpos lëkurës dhe qepallave të gëlqerosura egërsisht prej pluhurizës ngjitëse, që po na kthen dita më ditë në një shëmbëllim i kryekrejtshëm statujash antike të braktisura qyshkuri në ndonjë nga shembëtirat e Harresës kolektive apo ndërgjegjes së mpirë (a të droguar) historike, tani duhet të shpenzojmë jo pak kohë, energji dhe mund për të ruajtur gjithnduershëm nga rrënimi edhe universin e Dëgjesës, për t’i ardhur në ndihmë veshit të shkretë, e thënë më qartë, i dënuar keqas të dëgjojë rreth letrares gjithfarë mufkash që dalin nga goja e filistejve të letërsisë, të cilët, të kapalisur me njëri-tjetrin sipas idealit të njohur “grusht çeliku rreth partisë”, janë kapur me shpirt nëpër dhëmbë pas një sipërmarrjeje aspak të lehtë: t’i njohin me hir a me pahir, deri me jetë a vdekje librit të Blushit statusin dhe autoritetin letrar? 
Kuadri letrar (puna me gjuhën) dhe artistik (struktura rrëfimtare) që na ofron Të jetosh në ishull është aty, e zeza mbi të bardhë, brenda librit: përpos gabimeve trashanike që pata rastin të vija në dukje në shkrimin e lartpërmendur, në tekst qokim edhe gabime të tjera po aq trashanike (e kjo në rrafshin më të ulët gjuhësor, në atë semantik), që për arsye hapësire, kohe e patologjie (dhembja e kokës që jepnin), s’i kisha shtruar, duke i mëshuar sidoqoftë faktit se gjendeshin aty. Më konkretisht: “u përpoq ta ngrohte xhaminë me shaka”, fq. 8, shfrytëzimi i kuptimit të figurshëm të foljes “ngroh” është jashtë çdo binaje logjike, për të cilën lexuesi mund t’i hedhë një sy fjalorit; “jap ezanin”, fq. 12, në vend të “thërras ezanin”, që s’është i njëjtë me “jap meshë” që hasim tek të krishterët; “do ta nxirrte jashtë duke mos e përzgjedhur si mysliman”, fq. 13, në vend të “duke mos e pranuar si mysliman” – teologjikisht s’rri në këmbë, por këtu po ndalem thjesht te logjika e mbrumët e semantikës së frazës; “hëna iu duk si një sy deleje i mbyllur”, fq. 16 – rrahje për të krijuar krahasim jashtë çdo logjike, pasi cilësia që mundëson krahasimin i përket qepallës, jo syrit të deles; “hëna e re shtrihej si një kumbull mbi një kadife blu”, fq. 31, frazë e ndorme, teksa rreh të krijojë një krahasim të panatyrshëm që s’përçon asgjë në tekst, është shprehësisht bosh, parazitar, pasi mungon elementi metonimik, ai i “ngjyrës” (ka kumbull të bardhë a të hirtë, nëse i referohemi qepallës së deles?) dhe, për më tepër, elementi i “formës” (kumbullat janë të formave të ndryshme: kumbullat e “egra”, apo “të ferrës”, janë të rrumbullta, ndryshojnë nga kumbullat “vajvare”, që janë vezake – një metaforë të goditur kemi: “medaljoni i hënës”, Kadare; “thepi i hënës”, Mira Meksi); “digjej një kryq i madh i ngulur vertikalisht në tokë”, fq. 32, ku ndajfolja “vertikalisht” shfaqet parazitare; “dielli perëndoi dhe u fut në torbën e tij të mbushur”, fq. 34, metaforë jo e zbrazët dhe e pakuptimtë, por krejt e panatyrshme: cila është “torba e diellit”? 
Qielli? Cili nga të dy ka përkatësinë: dielli i përket qiellit, apo qielli i përket diellit?; “uji që derdhej nga qielli me ibrik”, fq. 40, në vend të “me gjyma” – por Blushi me sa duket s’ia ka idenë se ç’është ibriku, lëfyti i të cilit mund të shfrytëzohej metonimikisht për ndërkëmbësin në çastin e urinimit; “Hoqi shapkën e kuqe që mbante në kokë”, fq. 43, për këtë, lexuesi le t’i drejtohet fjalorit; “Kur kali nxirrte frymë nga hojëzat, flokët e Aliut hapeshin në ajër”, fq. 48, ku hiperbola – ajri që del nga vrimat e hundës si të çlirej nga një kompresor – është krejt e pavend dhe fort pak e besueshme, çka bie ndesh me artin e fjalës, me “si”-në e këtij arti (arti dhe forca shprehëse e fjalës na shtyn të besojmë se llamba magjike e Aladinit apo qilimi fluturues ekzistojnë vërtet, ndërkohë që e kundërta ndodh te libri i Blushit, ku shumë skena dhe gjasa shfaqen të pabesueshme); “Gërsheti e tërhiqte vajzën si një litar”, fq. 53, pakuptimshmëria e kësaj fraze s’ka nevojë për koment; “fuçitë e verës ulërinin si të dehura nga era e tyre”, fq. 83, krejt e pavend, përjashto rastin nëse ishin mbushur përgjysmë, sa vera mund të krijonte zhurmë, tek përplasej në faqet e drunjta; shumë shumë, mund të ish “anija lëkundej si e dehur nga vera që mbarte në…”, për të sjellë një metaforë të njohur të Rimbaud-së; “të lagur deri në mish”, fq. 83, në vend të “të lagur deri në palcë” – “të lagurit deri në mish” është e zakonshme edhe mes shiut të verës, e jo më “mes shiut dhe vetëtimave të Egjeut”; “fermani mund të zhbëhej”, fq. 84, lexuesi më mirë t’i hedhë një sy fjalorit; e njëjta gjë vlen edhe për “dhe qielli të rri mbi kokë si një çallmë e përvëluar”, fq. 93, ku mbiemri “i/e përvëluar” përdoret gabim, si në fq. 71, ndërkohë që, mes “qiellit” e “çallmës” mungon elementi metonimik; “ai dukej më i fortë se binjaku i tij, që kishte lindur treqind vjet përpara”, fq. 101, fjala “binjak” përdoret gabim, s’i referohet në asnjë rast homonimisë – dy binjakë kanë emra të ndryshëm; “nuk i bënte syri dritë”, fq. 99, në vend të “nuk i bënte syri tërrt”; “rrogozin e faljes”, fq. 102, për këtë, lexuesi më mirë të shohë fjalorin; “ishte vëlla me njërin nga binjakët”, fq. 132, në vend të “sivëllamë”, ndryshe…, lexuesi e merr fort mirë me mend sa kuptim ka të jesh vëlla me një nga binjakët; “Dimri i atij viti bëri shumë i ashpër”, ibidem, në vend të “dimri i atij viti ishte shumë i ashpër” apo “atë vit bëri një dimër shumë i ashpër”; “Preu marule dhe i mbushi me gjizë”, fq. 136, për këtë, lexuesi s’duhet të konsultojë fjalorin e gjuhës shqipe; “maruli” vjen nga greqishtja, do të thotë “gjethe”, “fletë” e sallatës; si mund të mbushet “gjethja” a “fleta” e sallatës, këtë ia lë ta zgjidhë vetë lexuesi brenda një gastronomie që s’e njoh – dikush mund të thotë se është fjala për diçka të ngjashme me japrakët me gjethe rrushi, nëse është kështu, gjendemi para një gabimi gjuhësor, që cenon imazhin që përftojmë nga kuptimi i frazës; “Sara nxori një takëm me lugë të derdhura”, fq. 137, lexuesi më mirë të shohë në fjalor për fjalën “takëm” e të gjykojë nëse është përdorur me vend apo jo; “sepse vitet ua kishin thinjur tehun”, ibidem, për këtë metaforë, lexuesi le të shohë fjalorin, pasi përdorimi i “të thinjurit” me “shtehjen” s’më tingëllon logjike. Këto probleme besoj se dalin e teprojnë, sa i përket kuadrit që ofron Të jetosh në ishull lidhur me lëvrimin e gjuhës në rrafshin e saj më të ulët, në atë semantik. 

Madje, s’di përse një mendje më thoshte se, pas paraqitjes së vetëm një pjese të problemeve që hasim që në faqet e para të librit, autori do të kish burrërinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë qytetare të ndërmerrte të paktën dy hapa: të tërhiqte librin nga libraritë e t’u lypte botërisht ndjesë lexuesve për atë rrumpallëhanë gjuhësore, për frazat e pakuptimta të trumbetuar e të shitura si apoftegma të mbarëkohshme – afërmendsh, duke shoqëruar veprimin burrëror të ndjesë-lypjes me veprimin qytetar të dëmshpërblimit (në këtë rast, me kthimin e parave; mos harroni: Të jetosh në ishull kushton 1000 L., afro një ditë e gjysmë pune për punonjësit e administratës!). Sakaq, kuadri që Të jetosh në ishull ofron në rrafshin sintaksor s’është fort i ndryshëm: sintaksa e Të jetosh në ishull s’e kapërcen atë të të folurës së përditshme e s’mund të arrijë përpos nivelin e sintaksës gazetareske. Në fushën e gazetarisë, natyrisht, për shkak të funksionit dhe detyrave që kjo ka (përcjellja e informacionit), në vend të hipotaksës, të ndërtimit të fjalisë sipas një strukture e shpërndarjeje taksinomike komplekse, përhasim parataksën, tipike e gjuhës së folur, ku strukturimi sintaksor i fjalisë shkrihet me strukturimin informacion-dhënës. Porse këtu lipset treguar kujdes, për të mos rënë në paragjykime e gabime të natyrës ideologjike. Në rast se ndërtimet parataktike vendoset në gojën e një personazhi, atëherë padyshim kjo është vlerë artistike, për aq sa rreh të paraqesë botën e personazhit, nivelin e tij kulturor e shoqëror, ku Platoni, Cervantes-i, Steinbeck-u, Joyce-i, Proust-i, Beckett-i, Celan-i, Allende etj. na ofrojnë shembullin klasik; në rast se ndërtimet parataktike janë të autorit, kur shfaqet prani jashtërrëfimore (extradiégétique, për t’u shprehur me Genette-it, s’është pjesë e traumës, apo personazh në rrëfim), atëherë kjo përbën jo thjesht arkaizëm e anakronizëm sintaksor, por edhe cen në planin artistik, një lloj “simptome homerike”, i vetmi “cen poetik” që i vishet Atit të letërsisë perëndimore. Në rastin e Të jetosh në ishull, kjo sintaksë, këto ndërtime parataktike janë sa të autorit si zë jashtërrëfimor, po aq edhe të personazheve; nëse ndalemi tek analiza sintaksore e vatrave tekstore autoriale, do vërejmë pa vështirësi se shfaqen të njëjta me sintaksën e vatrave tekstore karakteriale (ku zë rrëfimtar është një personazh). 
Ç’do të thotë kjo? Që rrëfimi fjalësor shkrihet me rrëfimin e mendimeve? – Jo Genette vëllai, diçka më tepër sesa kjo: shkrirjen e zërit jashtërrëfimor me zërat brendarrëfimorë, ku këtu duhet t’i jap më tepër të drejtë Onkel Freud-it, kur pohon se personazhet janë “dromcat” e Unit të thërrmuar të autorit. Ç’do të thotë kjo, në rrafshin rrëfimtar e artistik? – Që polifonia e trumbetuar nga Diana Çuli është mufkë. Apo Çuli ende s’e di se polifoni do të thotë shumësi zërash, jo thjesht variacionet e zërit të një solisti? Si ka mundësi që Çulit s’i ka rënë në sy që autori dhe personazhet flasin me të njëjtën gjuhë, me të njëjtën sintaksë, ku është e vështirë të dallosh se ku nis idiolekti i njërit personazh dhe ku mbaron i tjetrit? Dikush mund të thotë se kjo shkrirje e zërit jashtërrëfimor me zërat brendarrëfimorë mund të jetë vetëm në sintaksë, jo në mendim. E thashë më lart, rrëfimi fjalësor shkrihet me atë mendimor, është po i njëjti zë, ku rrëfimi është thjesht monotonik jo vetëm sa i përket artit të fjalës, por edhe mendimeve që shprehin personazhet. Merrni si shembull faqet 58-61 dhe ngrini pyetjen lapidare të Barthes-it dhe Beckett-it: “Qui parle ainsi?” – Autori, përgjigjem, i cili në krye të sythit të ri kujtohet se kështu duhej të fliste personazhi, jo ai (e këtu lexuesit i shkon me të drejtë mendja jo te gjyshi i Arianitit, por tek i ndjeri Dhimitër Shutëriqi). 
E këtu vlen të vësh në lëvizje formulën e Genette-it, sipas të cilës “shkalla e letraritetit në rrëfimin e ngjarjeve varet nga shkalla në të cilën autori ngarend të vendosë në lëvizje e të shfrytëzojë një shumësi teknikash rrëfimtare e stilistiko-sintaksore”, e jo thjesht një sintaksë frazale, ku analizën e kësaj pjese manualistike, a doracake (mos harroni vitet e shumtë që hasim në tekst, që e shndërrojnë librin në manual historie) nga ky këndvështrim po ua lë në dorë blushistëve, jo vetë Blushit, pasi ky vetë e di mirë. Sakaq, sa i përket kuadrit sintaksor e vërejtjeve që ngrita më lart, blushistët, alias, filistejtë e letërsisë, përpos parataksës (që prek edhe kuptimin: parataksa si vendosje e dy frazave që lidhen arbitrarisht në bazë të kontekstit: “Ishte një ditë e nxehtë dhe njerëzve nuk u hahej mish”), le të ndalen pak tek elementët e tjerë të ndërtimit të periudhës, për të parë se si frazat bashkërenditen sipas formave më të përgjithshme dhe të zakonshme të gjuhës së folur përmes një game të kufizuar lidhëzash e konektorësh: dhe, por, dhe pastaj, atëherë, tani që, edhe pse etj., apo te sintaksa e frazës, tek ndërtimi i tyre sipas një lëvizjeje taksinomike që shkon nga e majta në të djathtë a anasjelltas, pasi synimi është të përcillet informacion, çka krijon vështirësi receptive nëse jepet i shpërndarë sipas ndërtimeve hipotaktike. Një gjë e tillë s’është asfare e vështirë, e mund të qoket qysh në paragrafin hyrës, i cili s’plotëson as kushtet minimale të periudhës (“Ishte një ditë e nxehtë… por qyteti ish në mes maleve… – elementët e tepërt që vijojnë pas retiçencës prishin paq kanonet e ndërtimit të periudhës). 
Sa i përket kuadrit stilistik, gjërat shfaqen akoma edhe më zishëm; përpos monotonizmit, fjalive që jepen çrregulltazi (fjali të shkurtra që përzihen me ato të gjatat, apo përdorimi i një fjalie me diarre elementësh për të përshkruar një realitet me përmasa të vogla – kujtoni, për shembull, fjalitë që përshkruajnë “cepin e errët” të xhamisë, “arkën” e babait të Arianitit, “tryezën” e tavernës së Petronës etj.), Të jetosh në ishull ofron edhe një përzierje të regjistrave gjuhësorë, ku lexuesi sheh se si imami ngatërron “agjërimin” me “kreshmën” (fq. 11), apo përdor folje me prejardhje helene, si “theshmosesh” (ibid.), se si prifti i quan të “krishterët” “kaurë” (fq. 23), se si Sheba me prejardhje hebraike nxjerr nga goja fjalën “çifut” (fq. 86), se si fshatarët e krishterë e thërrasin Ibrahimin “qafir”, “lanet” (fq. 35), apo se si brenda frazës “indiferenca” neolatine shoqërohet me “avash-avash” të turqishtes (fq. 23). Më pas, kjo kakofoni regjistrash përthyhet në kakofoni mendimesh dhe idesh, ku lexuesi has një imam që e quan engjëllin Gabriel “i dërguar” (d.m.th., “profet”, “pejgamber” – fq. 9), apo një imam fetishist (fq. 13), një prift që shprehet me gjuhën e politeistëve (fq. 28), apo një mysliman që kalon në idhujtari (fq. 52), a një të krishterë të përkushtuar që i ankohet “perëndive” (krh. fq. 100 në dritën e fq. 131), apo që kalon në fetishizëm blasfemues (fq. 57 dhe 58) dhe në ateizëm materialist (fq. 57 – dyshimi në ekzistencën e botës tjetër), për të mos folur më pas për detaje të tipit “imami nxori një libër të verdhë nga rrogozi” (fq. 9), kur dihet se Kur’ani është ai që i përcakton myslimanët si “populli i librit”, përtej çdo kombësie a race, apo se myslimanët lejojnë të shahet Krishti (fq. 102), kur kjo bie ndesh me reagimin që krijoi te myslimanët e Stambollit dalja në kinema e Tundimi i fundit i Krishtit, i Kazanxhakisit. 
E njëjta rrumpallëhanë vërehet edhe sa i përket “gjinisë”, ndonëse vetë s’më bind ekzistenca e një përcaktueshmërie gjinore, të paktën kjo pas shkundullimave sizmike, plasaritjeve të pariparueshme që pësoi në themel sistemi simbolik perëndimor, që e bënë të papranueshëm të konceptuarit e Historisë si sistem monolitik përcaktësimesh/përkufizimesh. Një prof.dr., në një shkrim që mban si titull-sfidë, Të dish të lexosh letërsinë, pohon me gojën plot se si Të jetosh në ishull është “roman” sepse thuhet në kopertinë, çka përbën një mufkë. Që kur arkiteksti qenkësh bërë paratekst, që t’i shërbejë lexuesit si pikë orientimi? Nga 5 kategoritë (funksionet, tipet, figurat, modelet) trans-tekstore që përvijoi Genette-i, ky i fundit, arkiteksti, trajtohet në fund, duke ndjekur një hierarki të mirë shënjestruar sa i përket rëndësisë dhe rolit që kategoritë e parashtruara luajnë në perceptimin a receptimin e tekstit, për aq sa është kategoria më e papërcaktueshme, më abstraktja, me një status fort të dyshimtë. Pos shembullit të sjellë nga vetë Genette-i, “les fausses tragedies de Corneille”, prof.dr. po i sjell si shembull edhe arkitekstin “poemë”, që hasim në kopertinën e Shpirtra të Vdekur, të Gogol-it. Më pas, edhe në rast se do ta shihnim arkitekstin si një lloj parateksti, prania e tij s’mund ta zhveshë tekstin nga abuzimet e mundshme të autorit, a të botuesit, ku si shembull mund të merren shënimet e udhëtimit të Philippe de Larenaudière-it, Bertrand Flornoy-it, deri edhe Tropikë të trishtë të Claude Levi-Strauss-it (çka ky vetë e shtron si problem në Parathënie), apo nga shakatë dhe lojcakëria e autorit, siç shfaqet rasti i Todesfuge, e Celan-it, Kronikë e një vdekjeje të shpallur, e García Márquez-it, apo Emri i trëndafilit, “kronikës” së Eco-s (siç jepet i emërtuar në formë të pastër parateksti – “la cronaca degli eventi…”, “i manoscritti…” lexojmë në Parathënie). Kështu, më tepër sesa të ngarendte që t’i zinte besë arkitekstit, prof.dr. në fjalë duhej të rendte të tregonte përse Të jetosh në ishull nuk është “roman”, nëse romani si “gjini” ekziston ende për të. 
Nëse do të niseshim nga një përkufizim anakronik (edhe ky i mjegullt: romani, një prozë me një farë gjatësie, me personazhe e strukturë komplekse, porse koherente), do duhej të veçonim hardallosjes strukturore që qokim te Të jetosh në ishull. Ligjësia e tekstit, dhe e romanit po ashtu, është më se e qartë: një fjalë s’ka kuptim të mëvetësishëm; kuptimi i një fjale përftohet nga lidhja që krijon me fjalët që e rrethojnë; një frazë s’ka kuptim të mëvetësishëm; kuptimi i një fraze përftohet nga lidhja që krijon me frazat që e rrethojnë; një periudhë s’ka kuptim të mëvetësishëm; kuptimi i një periudhe përftohet nga lidhja që krijon me periudhat që e rrethojnë; një kaptinë s’ka kuptim të mëvetësishëm; kuptimi i një kaptine përftohet nga lidhja që krijon me kaptinat që e rrethojnë, dhe kjo vlen edhe për personazhet, episodet, skenat dhe elementët e tjerë të rrëfimit. Kjo varësi e elementëve të një rrëfimi përbën atë që njihet si koherenca e tij logjike, kumtuese. Sa është koherent Të jetosh në ishull? Merreni me mend vetë, teksa shihni se si personazhi kryesor lihet mënjanë për jo pak, por plot 55 faqe, nga fq. 51 deri në fq. 106 (përmendet vetëm dy a tre herë, krejt kalimthi) dhe, ndërsa rihyn në skenë, i gjori humbet sërish, për të përfunduar më pas në një deus ex macchina që nuk zgjat përpos se një paragraf (fq. 113). E ky fat i mbrapsht i personazhit kryesor, këto hyrje-dalje të tij përsëriten deri në fund të librit, aq sa harrojmë se në roman “personazhi” kryesor është “orkestruesi” i tërë personazheve të tjerë. Lexoni faqet 7-51 & 51-106, p.sh., shtroni pyetjen: cila është lidhja mes historisë së personazhit kryesor (Ibrahimit) dhe historisë me plot xhepa të Arianit Komnenit (merrni humbjen e virgjërisë me gruan napoletane, apo shijet seksuale të napoletanëve), që s’përton të thotë pas 23 faqesh “Që të mos zgjatem”, për të vijuar më pas edhe 32 faqe të tjera? Përligjja që jepet në tekst (fq. 100 & 101) jo vetëm është artificiale, jo vetëm s’duket bindëse, por tingëllon e papranueshme dhe larg çdo logjike me të cilin autori strukturon një rrëfim letrar. E vetmja logjikë është ajo e “pasaportizimit kinez”, e “kruarjes së veshit të djathtë me gishtin e vogël të dorës së majtë”, vetëm kjo, pasi s’kam ku t’i çoj rrëfimin dhe gjykimet për Skënderbeun, fjalimin e Brankoviçit, historinë e të atit të Arianitit, a peripecitë e vetë Arianitit, rrëfimin shtesë të Gjergjit etj. Ç’lidhje ka historia e tyre me traumën e romanit? Asnjë lidhje. Duke përdorur gjuhën e Eco-s, e vetmja gjë që mund të them është se gjendemi përpara “simptomës Dumas”, i cili paguhej në bazë të numrit të faqeve. Vetëm se, në rastin e Të jetosh në ishull kjo diarre rrëfimtare shfaqet e drejtpërdrejtë, pa kurrfarë arti kamuflues. Ky kuadër “letrar” dhe “artistik” – nëse e gjykojmë Të jetosh në ishull si libër që ndjek parimet anakroniste të art pour art – del e tepron, për të parë nëse diarreja rrëfimtare e Blushit gëzon apo jo ndonjë autoritet letrar. 
Megjithatë, pavarësisht këtij kuadri të zymtë, të gjendur përpara dukurisë Blushi, pyetja e parë që na grish përsëbrendshmi është: si e përse Të jetosh në ishull arriti të përvijohet brenda një kohe fare të shkurtër si “çështje”, si “kryetema” e ditës, aq më tepër kur në hapësirën shqiptare hasen probleme shumë më të mprehta dhe të një rëndësie shumë më jetësore sesa ardhja e një libri? – Përgjigja është sa brenda, po aq edhe jashtë-tekstore. 
Arsyeja e parë dhe parësore e shndërrimit të Të jetosh në ishull në “kryetema” e ditës, çka solli edhe përvijimin e “çështjes Blushi”, lidhet më së pari me “hundën” jo pak të zgjatur të Blushit si autor i një libri. Ç’do të thotë kjo? – Që Blushi politikan s’nguroi të fusë hundët në një nga hallkat e dialektikës së librit dhe, më konkretisht, në jetën e tij të mëpasme, duke rrahur ta ushqejë autoritetin e librit me autoritetin e emrit të tij si zë aktiv brenda konfiguracionit politik shqiptar. I pajisur e i mbrojtur nga autoriteti i politikanit, duke anashkaluar detyrat partiake e parlamentare, Blushi i është futur me seriozitetin dhe këmbënguljen më të madhe punës organizative sa i përket shpërndarjes botimore, e ngjashme me një fushatë elektorale. Sakaq, pavarësisht jo-letrares së Të jetosh në ishull, blushistët, alias kritizeristët e letërsisë, përfshirë edhe disa shkrimtarë që kishin harruar se i intervistonin si shkrimtarë, iu përgjigjën thirrjes së Blushit, “hundës” të tij të “gjatë” me të njëjtën frymë revolucionare e partizane, duke iu lëshuar me mish e me shpirt sipërmarrjes aspak të lehtë, asaj të njohjes me hir a me pahir, deri me jetë a vdekje, të statusit letrar të Të jetosh në ishull, duke u nisur kësisoj nga kritere jashtëletrare, aq sa bënë gjithçmos të shkërbenin zhurmën e bubullitjeve, për të sfiduar ndjeshëm edhe qiellin, duke i shkuar pas semiotikës primitive të ku ka tym, s’është pa zjarr (edhe pse ndërthurja semantike e tymit dhe pluhurit është çështje metonimie). 
Fakti që kemi të bëjmë me bubullima gjasmuese, s’do të thotë se duhet të tregohemi pavramendas, duke u mjaftuar thjesht me një dyllosje të veshëve; e kemi harruar vallë se bubullima s’është shkak, por pasojë, pasojë e një shkarkese elektriciteti me tension të lartë e krijuar nga përplasja e dy trupave me ndryshueshmëri të madhe sa i përket ngarkesës elektrike? Pse e solla në vëmendje këtë dukuri? Sepse bubullitjet e blushistëve, ndonëse gjasmuese përballë dukurisë natyrore, në thelb i nënshtrohen të njëjtës ligjësi: janë fryt i përplasjes së Të jetosh në ishull si libër i politikanit Blushi me universin letrar, për të cilën një gjë mund të thuhet se shfaqej më se e pritshme: tjetërsimi i letrares, paraqitja e saj si një organizëm GM (gjenetikisht i modifikuar), e kjo për hir të përparësisë që shfaqin politikat dhe ideologjitë sunduese në shoqëritë politikisht të hierarkizuara. Prej këtu rrjedh sa mundshmëria, po aq edhe përligjshmëria e sipërmarrjes së blushistëve për t’i njohur Të jetosh në ishull statusin dhe autoritetin e një vepre letrare, pasi fjala është vërtet për një sipërmarrje aspak të lehtë, kujtoj, por jo të pamundur; suksesi i sipërmarrjes shfaqet më se i mundshëm nëse e përftojmë si të barasvlershëm me shprehjen aritmetike ([VS + SQ + P] x 2) – ku VS qëndron për një vesh shurdh, SQ për një sy qorr dhe P për paturpësi, edhe kjo e shumëzuar për dy, pasi, helbete, duhet të jesh i paturp së pari ndaj vetes dhe, më pas, ndaj lexuesit (“Nëse s’ke turp, bëj gjithçka!” – tingëllon sfiduese një frazë hadithike, të cilën Kant-i – kemi arsye të besojmë, ndonëse s’jemi në hapësirën e duhur për ta trajtuar – e shfrytëzon për përvijimin e imperativit kategorik, zërit të brendshëm të “ligjit moral”, ndaj të cilit liria e njeriut/individit përvijohet si ratio essendi, ndërkohë që Dostojevski e huazon për strukturën ideore të dy prej veprave më tronditëse që shkroi, Vëllezërit Karamazov dhe Krim dhe ndëshkim). Sakaq, të jesh i paturp do të thotë shprehimisht: të nënshtrosh arsyen ndaj imperativit hipotetik, duke ndjekur hap pas hapi skemën logjike të “nëse dua…, atëherë duhet”, çka përkon fjalëpërfjalshëm me detyrën e lartë partiake, me atë të propagandës, me mbushamendjen e gjithnduershme të lexuesit se Të jetosh në ishull është vepër letrare, çka një pjesë e mirë e blushistëve e kanë treguar tashmë qartazi, duke arritur deri aty, sa ta zhvendosin letraren e letërsinë (së bashku me funksionet e saj) drejt zonës së distopisë vdekjeprurëse, në një hapësirë ku universi letrar herët a vonë do arrijë pashmangshëm kulmin e entropisë, që do të thotë shprehimisht, pikën e shuarjes, e vdekjes, ku distopia deshifrohet njëhershëm edhe si di-stopi edhe si dis-topitje. 
S’është as hera e parë dhe as “e paparë”, për të ndërmendur, me jo pak nënqeshje, një nga stilemat e show man-it televiziv që rendi të renditej i pari në trasetë e llogores blushiane. Historia është aty, si një forcë intuitive e padukshme, porse e ndjeshme, na ndriçon zonat e rrezikshme, zonat e tensionit të lartë, me tabelat e saj të njohura “rrezik vdekjeje”. E hasim një të tillë te Neroni, perandori i tmerrshëm romak, ai që i vu flakën Romës për të shkruar Troiadën. Nëse do ta nxirrnim në gjyq, Neroni do kish patur jo pak lehtësira, kujtoj, pasi ish i sëmurë psikik; kjo s’do të vlente për Petronius-in, poetin e madh, por edhe hipokritin e madh (“arbiter elegantiarum”, “kritiku letrar” i oborrit perandorak), pasi ish ky që i krehu bishtin Neronit, duke i mbushur mendjen se ish “poet që zilepste edhe vetë Orfeun” (në të drejtën penale, ky do të gjykohej si shtytës në krim). 
Skema është e njëjtë, ku zëri i Nietzsche-s si “profet i ri-kthimit të përjetshëm i të njëjtave realitete” shpaloset me tërë vërtetësinë e lakuriqësinë e vet simptomatike, larg çdo mitizmi a ideologjie. Ajo çka ri-kthehet s’është i njëjti realitet a ngjarje, s’është e shkuara si e tillë, por logjika e rrjedhës së ngjarjeve, konflikti i përjetshëm e arketipor mes forcave të kaosit (Dhionisi) e forcave të rendit (Apolloni), mes Pushtetit (përfshirë edhe vullnetin për) dhe Arsyes, çka skulpturohet simptomatikisht me veçori arketipore të prozës romantike në figurën mitike të Zarathustrës. Si do të jetë fundi i kësaj përplasjeje? I përplasjes mes pushtetit (Neron/Blush) dhe letërsisë, dua të them, për aq sa autori (auctor) nga produkt, nga pasojë e autoritetit (auctoritas), shfaqet autoritet-dhënës, komandues, gjykatës dhe garantues i autoritetit të asaj çfarë shpreh, madje, deri edhe rregullator i leximit dhe i mënyrës së leximit, gjykimit, vlerësimit dhe cilësimit të një teksti? S’e di, pasi varet nga qëndrimi që do mbajmë ndaj Të jetosh në ishull. A do jetë ky qëndrim i njëjtë me qëndrimin që “arbiter elegantiarum” mbante ndaj Neronit dhe Troiadës së tij? S’e di. Ajo çka di është se, njëlloj si Neroni, edhe Blushi ka nisur t’i vërë flakën Shqipërisë, ndonëse orgjia e flakës këtë herë është e padukshme, porse e ndjeshme, dramatikisht e ndjeshme. Ç’do të thotë kjo? – E thjeshtë, dua të kujtoj, ndonëse lypet të vësh arsyen në lëvizje, pasi edhe gjërat e thjeshta janë të pakapshme, po s’vure në lëvizje arsyen. 

I zhveshur prej “letraritetit”, prej “artistikes”, ajo çka mbetet në faqet e Të jetosh në ishull është vizioni, elementi kozmologjik, i cili s’varet nga forca shprehëse e fjalës, e cila kalon në plan dytësor. Ndryshe nga sa hasim me poezinë, ku gjuha luan rolin e barometrit të vërtetë ontologjik qoftë brenda (metrika, rima, figurat letrare e shprehimore), po aq edhe jashtëtekstor (shijimi, emocioni), në te proza vizioni nuk ka shumë nevojë për artin e fjalës. Edhe në rastin e Ishullit, është pikërisht ky vizion, kjo pamësi e Shqipërisë që politikani Blushi po kërkon të mbrojë me forcë; duke shfrytëzuar me cinizëm lëndueshmërinë që shfaqin jo pak sisteme dhe forma të të menduarit e kohës, Të jetosh në ishull, ndonëse nga pikëpamja e strukturimit artistik dhe rrëfimtar shfaq jo pak krisje dhe inkoherencë, rreh të ndërtojë me saktësi simptomatike vizionin e një Shqipërie talebane, duke vendosur modele e qoka nga gjeografia reale (çka në letërsi humbasin peshën e tyre) dhe duke e mobiluar me “banda” dhe “terroristë” myslimanë, për të rrahur të krijojë shyben tek opinioni ndërkombëtar se “Shqipëria është e vogël, por është krijuar për të fshehur ushtri” (fq. 69-70), se ky vend është një “Medinë” (fq. 276), se ka “banda myslimane” (fq. 79), apo se në këtë vend shqiptarët e turqit janë shkrirë njësh, duke krijuar një racë hibride të panjohur (fq. 403 – sillni ndërmend debatet në parlamentin evropian sa i përket pranimit të Turqisë në BE), çka bëhen të prekshme, largohen nga realiteti libror për të hyrë në realitetin e të tashmes tonë, nëse mbajmë parasysh një personazh si Sali Benishi (krh: Sali Berisha), që pushtoi dhe i vu zjarrin Ishullit të Blushit, alias Shqipërisë, duke rrahur të ngërthejë një realitet të ngjashëm me Afganistanin e pushtuar nga talebanët. 
Dikush mund të thotë se ky është “vizion”, dhe s’mund të ndikojë te lexuesi, apo tek opinioni ndërkombëtar. Pikërisht ky është problemi. Vizioni shfaqet shumë më i besueshëm sesa realiteti faktik ((sillni ndërmend darvinizmin, që ndikoi jo me “peshën” shkencore të fakteve të shtruar, por përmes vizionit; sillni vizionin e hebrenjve si “djaj me brirë” si rrjedhojë e një keqpërkthimit të “karen”-it, “vandakut të dritës” mbi kryet e Moisiut kur zbret nga Sioni, apo “Der Tod ist ein Meister aus Deutschland”, vizionin epigramik të Celan-it që depërtoi si kalë Troje në mendësinë e Gjermanisë së pasluftës), arsye për të cilën Blushi po bën gjithçmos ta mbrojë. Apo e harruam se ngjarjet e 11 shtatorit të 2001 u interpretuan më tepër nën dritën e vizioneve të Isaias e Nostradamus-it, deri edhe të War stars-it të kinemasë, sesa nën dritën e fakteve? Harruam se sot ka njerëz që s’e dinë se ku bie Shqipëria, por që janë gati të betohen se janë në gjendje të thonë se ku ndodhen tarraca dhe shkallët e kërmillta nga ku Bloom-i hijerëndshëm bekonte me tasin e rrojës katër pikat e horizontit? Kjo lidhet me “pushtetin” e vizionit. Dhe fjala është për pushtete që, siç ndodh rëndomtazi me tërë realitetet, hasin edhe me abuzuesit e radhës, duke anashkaluar këtu qoftë edhe parimin më minimal njerëzor, sipas të cilit “pasojat negative zhvlerësojnë qëllimet pozitive”. Por s’gjendemi tërësisht në rastin e Të jetosh në ishull, pasi personalisht mendoj se në këtë libër mungojnë qëllimet pozitive. Të tilla qëllime i gjejmë lehtas te kolonat e gazetave si “New York Times” apo “Indipendent”, fill pas atentateve të 11 shtatorit, ku krejt pa dashje gazetarët arritën të bëheshin edhe përmbushësit efikasë të qëllimit të atentatorëve, atë të përhapjes së panikut, paralajmërimeve të vazhdueshme për sulme të reja terroriste, mbjelljes së terrorit e frikës përmes “be alert!” ndaj një armiku që tashmë mund t’ia behë nga çdo anë. Nga ky këndvështrim, besoj se çdokush e kupton qartë se atentati kundër dy kullave binjake ish vërtet i përbindshëm, porse me i përbindshëm ish gjithsa vijoi më pas, terrori dhe paniku verbal, sinjalet dhe alarmet e rreme që u vunë në lëvizje nga njerëz që abuzuan me rastet e “pamundësisë konceptuese të rrezikut”, për të cituar Habermas-in. 
Kjo ish ajo çka rrahën në të vërtetë atentatorët, rrahën të mbushnin me dhunë e terror atë boshllëk që ekzistonte mes pafuqishmërisë e pamundshmërisë së tyre ushtarake ndaj kundërshtarit. Kjo është në thelb ajo çka rreh Të jetosh në ishull. Ky libër rreh të krijojë një dhunë strukturore, një lloj alarmi e paniku verbal, që kalon nga spiralja verbale te kanalet e komunikimit, duke i bllokuar ndjeshëm, aq sa të kemi një ndërprerje të vetë procesit komunikues si pasojë e pabesueshmërisë e pasigurisë që lind prej terrorit verbal. Nga ky këndvështrim, madje, Të jetosh në ishull ka se çfarë të bashkëndajë me logjikën terroriste dhe ligjërimin terrorizues të atentateve të 11 shtatorit. Sikundërse vërejmë edhe në ngjarjen tragjike të 11 shtatorit, edhe në faqet e Të jetosh në ishull, topi i Blushit s’hidhet në Voskopojën gjeografike, por mbi simbolet përfaqësuese të kombit dhe, sikundërse pas sulmit të simboleve amerikanë, edhe pas sulmit të Blushit vijon “be alert!”. E kam fjalën për letër-kërcënimin, që, ndonëse shfaq një kuadër grafologjik (konteksti grafik, shkallëzimi e trajtësimi i trupit të grafemave), një pamësi idio-socio-gjeo-linguistike e profil psikoshkrimor të dyshimtë të shkruesit (sa do të vendosnin para vështirësive të pakapërcyeshme edhe ekspertin më të përgatitur e më me përvojë të semiotikës grafologjike, – degës më të rrahur në këtë rast nga gjuhësia ligjore, forensic linguistics, – nëse do t’i kërkohej të punonte për identifikimin e autorit), plotëson më së miri garniturën e logjikës dhe strukturës së terrorizmit verbal të pas 11 shtatorit, e cila plotësohet me një element shtesë, me akuzën publike ndaj kryeministrit të vendit si “terrorist”. Këtu marrin kuptim edhe fyerjet dhe provokimet e drejtpërdrejta të besimtarëve të fesë islame. Pyetja është, e përse tërë kjo tollovi përçapjesh? – Më se e thjeshtë: Blushi e shpura e tij po rrahin hakmerren ndaj Sali Berishës, që arriti ta çojë vendin drejt marrjes së ftesës për në Nato, pavarësisht se kjo hakmarrje s’përkon me meselenë e “mullixhiut”, por me “djegien” e imazhit të vendit, me paraqitjen e Shqipërisë si “bombë” me sahat, si vend me rrezikshmëri të lartë. Nga do t’ia mbajnë perëndimorët dhe anëtarët e Nato-s? – Kjo varet më së pari jo nga ata, por nga qëndrimi që do mbajmë ndaj vizionit që rreh të përçojë kjo diarre ishullore e Blushit, i cili, përpos letërsisë, po rreh që të shtyjë edhe Shqipërinë drejt distopisë, me tërë ndërlikjet konceptuale që përmendëm më lart, arsye për të cilën vijon t’i ftojë shqiptarët në mënyrë cinike të lexojnë “Ishullin” e tij. Sot më tepër se kurrë, duke lexuar fjalët që hasim në fq. 56 të Të jetosh në ishull – “Kam gjithë jetës që e mendoj…: shqiptarët nuk dinë të zgjedhin dhe ç’është më e keqja nuk dinë të mbrojnë atë që zgjedhin…”, – besoj se shqiptarët janë ende në kohë për t’i treguar Blushit se fjala mund të jetë për “shpesh”, jo për “gjithnjë”, sa i përket gabueshmërisë. Dhe, për t’i treguar Blushit se gabueshmëria s’është pjesë e kodit gjenetik të shqiptarëve (a të paktën, jo vetëm e shqiptarëve), ka vetëm një mënyrë: t’i thonë jo vizionit të tij ishullor. A do jetë kështu? Nuk e di. Andaj, në paaftësi për të parashikuar kahjen e shqiptarëve, ajo çka mund të them me siguri është vetëm kjo: mjerë ai komb që kultivon një Neron.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …