Shqipëria ka humbur rreth 40 për qind të popullsisë gjatë tre dekadave e gjysmë tranzicioni, ndërsa emigracioni masiv po shndërrohet në një nga sfidat më të mëdha për zhvillimin ekonomik të vendit. Në rastin e Shqipërisë, raporti thekson se përfitimi nga rritja e popullsisë në moshë pune deri në vitin 2023 po zëvendësohet nga kosto të dukshme të plakjes. Kjo kosto vlerësohet në rreth 0.28 pikë përqindje, duke reflektuar një rënie prej 0.53 pikë përqindje krahasuar me përfitimet demografike të periudhës 2000–2023. Sipas projeksioneve, ndikimi negativ në ekonomi pritet të thellohet në periudhën 2024–2050, me një efekt prej –0.3 deri në –0.4 pikë përqindje në vit, duke e renditur Shqipërinë ndër ekonomitë më të ekspozuara në rajonin e BERZH-it. Tendenca negative pritet të vazhdojë edhe në horizontin 2050–2100. Raporti evidenton se mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi ekonominë. Në këtë kontekst, BERZH paralajmëron se, në mungesë të rritjes së produktivitetit, investimeve në teknologji dhe kapital njerëzor, si dhe përmirësimit të klimës së biznesit, emigracioni do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për dekadat e ardhshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
