Shtabi Emergjent- Skenderaj bënë apel që të mos shpërndahen ndihma për qëllime politike, ato të shpërndahen përmes komunës

Është mbajtur mbledhja e radhës e Shtabit Emergjent të Komunës së Skenderajt për menaxhimin e situatës emergjente të krijuar pas shfaqjes së infeksionit COVID- 19 në Kosovë. Në këtë takim Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka folur rreth gjendjes aktuale dhe zbatimin e masave nga ana e komunës që ai drejton. Ai tutje ka falënderuar anëtarët e shtabit për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre si dhe qytetarët për vetëdijen e treguar në këtë situatë duke zbatuar në përpikëri rekomandimet dhe masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit. Me qëllim të menaxhimit efikas të kësaj situate dhe përkrahjes së familjeve në nevojë Shtabi Emergjent mori vendim për mbulimin e nevojave të QKMF-së, sigurimin e masave mbrojtëse e dezinfektuese për institucionet lokale, duke përfshirë policinë, zjarrfikësit, kompaninë “Uniteti”, Ujësjellësin etj. ​Po ashtu u vendos që të ndahen rreth 1500 pakove ushqimore për familjet në nevojë, të cilat nuk janë të përfshira në asistencë sociale por që tani në këtë kohë kanë mbetur pa të ardhura ditore e të cilat familje janë identifikuar nga kryetarët e fshatrave. Të gjitha këto nevoja do të sigurohen nga mjetet financiare që ka ndarë Kuvendi Komunal në seancën e fundit urgjente. Pas shqetësimeve të ngritura, Shtabi Emergjent bëri apel që të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë familjet në nevojë, këtë ta bëjnë përmes këtij shtabi, gjegjësisht Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies e cila i posedon të gjitha listat e familjeve në nevojë, duke përfshirë edhe familjet me asistencë sociale. Kjo me qëllim që të përfshihen të gjitha familjet në nevojë, të mbahen evidenca për secilën familje përfituese, që të evitojmë mundësitë që familjet në nevojë të mos përfshihen në listën e donatorëve, pakot ushqimore t’i shpërndahen nevojtarëve tek shtëpitë e tyre duke respektuar udhëzimet e IKSHP-së, për përdorimin e masave mbrojtëse si dhe duke ruajtur integritetin e familjeve në nevojë. “Në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të tolerojmë që individ apo grupe të caktuara të keqpërdorin situatën e krijuar për poena politik apo ndonjë qëllim tjetër”, tha Kryetari Jashari. Në fund të këtij takimi Kryetari i Komunës së Skenderajt, njëherit udhëheqës i Shtabit Emergjent bërë thirrje që qytetarët të vazhdojnë t’i përmbahen vendimeve e rekomandimeve të institucioneve përkatëse për parandalimin e infeksionit COVID-19.

Kontrolloni gjithashtu

Në Sllatinë të Epërme të Vitisë u përkujtua dëshmori Njazi Rexhepi dhe u shënua dita e shkollës

Sot, në Sllatinë të Epërme të Vitisë, u shënua dita e shkollës dhe u përkujtua …