Shtëpia e Kulturës në Drenoc të Rahovecit emrohet me emrin e dëshmorit Feim Gashi

Në Drenoc, me rastin e 21-vjetorit të rënies heroike në fushë të nderit të Heroit të Kombit Feim Gashi, bashkë me familjarë e bashkëluftëtarë u zbulua pllaka me të cilën është emëruar “Feim Gashi” Shtëpinë e Kulturës në fshatin Drenoc. Me këtë rast kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi në fjalën e tij ndë të tjera tha: Të respektuar familjarë të dëshmorëve të kombit dhe heronjve të Kosovës Feim e Bedrush Gashi dhe ju familjarë të dëshmorëve të tjerë të pranishëm në këtë ceremoni përkujtimi, të nderuar bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë, të respektuar banorë të Drenocit me rrethinë, vendi ku jemi sot është pjesë e pakontestueshme e historisë së kombit shqiptar, në fakt është vendi ku u shkrua kjo histori. Bijtë dhe bijat e kësaj ane, në momente vendimtare të historisë tonë më të re, u rreshtuan në anën e duhur dhe i ndryshuan rrjedhat shoqërore e historike të kombit shqiptar. Lufta për çlirimin e Kosovës kishte karakter kombëtar dhe si e tillë duhet të trajtohet. Bijtë tuaj Bedrushi, Feimi, Mensuri, Tafili, Eshrafedini u bënë fanar të rrugëtimit tonë në ardhmëri. Gjeneratat që do të vijnë me siguri do ta vlerësojnë dhe çmojnë punën dhe përkushtimin e burrave e grave që e nisën dhe përfunduan luftën për çlirimin e Kosovës. Historianët dhe strategët e luftës do të bëjnë mbledhjen e fakteve dhe do të bëjnë analizën e duhur profesionale, duke synuar t’ia japin vlerën e duhur kësaj lufte. Sigurisht se do të merren parasysh kushtet dhe rrethanat në të cilat u zhvillua kjo luftë, duke marrë për bazë raportin e forcave dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në rezultatin final të një lufte. Po ashtu, brezat që vijnë do të dinë ta vlerësojnë çmimin e lirisë, të paguar me gjak e djersë. Sa e sa gjenerata kishin shkuar nga kjo botë me zemër të plasur që po i linin nën thundrën e pushtuesit pasardhësit e tyre, gjë që lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës e bëri realitet një synim që vetëm mund të ëndërrohej. Emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndriçoi mendjet dhe zemrat e njerëzve, ndërsa populli i përvuajtur e pranoi me tërë qenien idenë e lirisë dhe dha gjithçka nga gjiri i vet, madje edhe bijtë e vetë. Gjeografia e rënieve është dëshmia më e mirë e këtij fakti dhe njëkohësisht është edhe porosi për brezat që vijnë për një synim që pret të përmbushet në të ardhmen. Historia është treguar e ashpër me shqiptarët. Trojet tona kanë qenë në tavolinën e pazareve të shteteve fqinje dhe fuqive të mëdha botërore. Ky vend kaq i preferuar nga shumë pushtues gjakatar ka mbijetuar falë dëshirës së madhe për të mbrojtur kulturën e trashëgiminë tonë. Lidhja kauzale e njeriut me tokën dhe me varret e të parëve, bënë që të mbijetojmë dhe të dëshmojmë qytetari. Masakrat dhe tmerret mbi popullin shqiptar, në të shumtën e rasteve i pa armatosur dhe i pambrojtur, dëshmojnë veprimet barbare të pushtuesve sllav. Gjaku e grave, fëmijëve, djemve e burrave të pafajshëm u bë themeli i lirisë dhe sikur u bë nxitje për qëndresë. Tashmë jemi në rrugën e konsolidimit të vetes tonë si shtet, prandaj jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e shumta për ndërtimin e një sistemi funksional, mirëpo nuk ka asnjë arsyetim për të mos bërë më të mirën e mundshme. Dëshmorët e shumtë sikur na bëjnë thirrje të vazhdueshme për të bërë punë të mira për vendin dhe për të jetësuar betimin e tyre për liri. Para vetes kemi shumë punë për të bërë, por jemi të bindur se do t’ia dalim, ngase ky popull ka luftuar e mbijetuar në rrethana shumë të rënda, ngase shpresa për jetë më të mirë na ka shtyrë drejt të pamundurës. Lufta dhe qëndresa jonë është dëshmia më e mirë për këtë. Duke qenë se Drenoci ishte bazë e fortë e organizimit luftarak, natyrshëm se i binte barra më e rëndë për ta mbajtur mbi supe peshën e luftës e të lirisë. Natyrshëm se lufta kërkon mund e sakrifica dhe humbja e njerëzve të dashur rëndon shumë në shpirtin tonë, e sidomos të familjarëve të të rënëve. Kjo peshë e humbjes dhe e mallit peshon edhe sot, por drita e lirisë është ngushëllimi më i mirë për të gjithë ne. Në këtë ditë të veçantë kur po e përkujtojmë rënien në fushë të nderit të Feimit, Përparimit dhe Sakipit, ndjenjat tona janë të përziera- mall, dhembje e krenari bashkë. Me këtë rast po i referohem thënies së nënës së dëshmorit të kombit Visar Hoti, nënës Melihate, e cila në një rasti pati thënë: mallin e dhembjen po i mbajmë ne, familjarët e dëshmorëve, ndërsa krenarinë po ia lëmë kombit shqiptar. Por në fakt ju, familjarë të dëshmorëve, jo vetëm mallin e dhembjen, por edhe krenarinë e keni në shpirt. Ju humbët bijtë tuaj, por kombi fitoi dëshmorë e heronj. Në këtë ditë të veçantë për familjarët e dëshmorit të kombit dhe heroit të Kosovës Feim Gashi, dua të përgëzoj edhe banorët e Denocit me rrethinë, pasi që po e zyrtarizojmë emërtimin e qendrës së këtushme të kulturës me emrin e këtij luftëtari të orëve të para, i cili do të mbahet në mend, jo vetëm për luftën, qëndresën dhe rënien e tij, por emri i tij do të jetësohet edhe në këtë tempull të kulturës. Besojmë se në të ardhmen kjo qendër do të gumëzhijë nga zërat gazmorë të fëmijëve dhe të rinjve tanë, të cilët do të kenë një hapësirë ku do të dëshmojnë talentet e tyre. Zaten ky ishte synimi dhe përkushtimi i dëshmorëve tanë, të cilët ranë me këngë në gojë nëpër fushëbeteja.

Të nderuar të pranishëm!

Më lejoni që të përgëzoj banorët e Denocit me rrethinë për këtë pagëzim, duke shprehur bindjen se njerëzit e kësaj ane do ta mbajnë me nder këtë emër, duke i dhënë përmbajtje jetës kulturore, artistike e rinore në këtë zonë. Po ashtu, përgëzoj familjarët e Feim Gashit për titullin e nderit që po i dorëzohet sot, Hero i Kosovës. Ky titull nderi nuk e zhvlerëson punën, përkushtimin dhe sakrificën e dëshmorëve të tjerë, sepse rënia në fushë të nderit vetvetiu ka karakterin e madhështisë dhe se ata që ranë në mbrojtje të lirisë e dinjitetit njerëzor e kombëtar, meritojnë çdo nder e respekt. Të gjithë ata që u flijuan janë heronj dhe secili do ta ketë vendin e vet në histori.

Familjarëve ju urojmë krenari e dëshmorëve lavdi të përjetshme!

Kontrolloni gjithashtu

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt, shumë i rëndësishëm për …