Ahmet Qeriqi

Shumë po merremi me ankime e kuku-lele për masakra e gjenocid, mbase nga frika se mos sërish Serbia po kthehet në Kosovë

Në kohën kur Baca i Kombit, Adem Demaçi ishte në krye të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në Prishtinë në vitet 90-të të shekullit të kaluar, në përgjigjen për punën e këshillit thoshte: Bacit,  jemi kthyer në Këshill të Ankimit, vetëm po ankohemi, po mjerohemi, po kukasim…

Në tërë përudhën e pas luftës, studiues, hulumtues, gazetarë, veprimtarë nuk janë kursyer të ankohen e të kukasin për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë, gjithnjë në përpjekje për ta bindur opinionin vendës, i cili është vetë ai që i ka përjetuar ato krime, ndërsa askush ose rrallë kush ka bërë përpjekje  për ta bindur opinionin e jashtëm pse jo edhe opinionin në Serbi, në Rusi e në vende të tjera, sepse politikat zyrtare të këtyre vendeve i kanë manipuluar faktet dhe i kanë fshehur ato, ose i kanë modifikuar që të duken si krime të dyshimta, ose të kryera nga UÇK-ja.

Janë shkruar e janë botuar dhjetëra e ndoshta edhe qindra libra e broshura për masakrat në Kosovë, dhe deri tani janë hulumtuar e zbardhur të gjitha, por ende nuk dihet fati i më shumë se 1640 të zhdukurve, që është një dhembje edhe më e madhe, jo vetëm  për familjarët, por për të gjithë liridashësit.

Ende ka varreza masive në Serbi e me siguri se edhe në Kosovë, ku ka trupa të të vrarëve e të masakruarve. Ende kriminelët  në Serbi por edhe në Kosovë, shëtisin  lirshëm dhe kurrë nuk do të dalin para drejtësisë, në kohën që ne vetëm ankohemi,  dhe, në maje të gjuhës kemi fjalë e shprehje si gjenocidi serb, krim kundër njerëzimit, kriminelë, bastardë, vrasës, të gjitha me vend, por të cilat nuk prodhojnë asgjë, përveç konstatimit njëmijë herë të njohur, të thënë e të përfolur, për ditë e përnatë.

I kemi rënë dhe i biem vetëm telit të krimeve serbe, gjenocidit, të cilin zyrtarisht nuk pranon bashkësia ndërkombëtare, pasi në Kosovë kishte dy palë ndërluftuese edhe pse të pabarabarta, ishte ushtria e policia serbe por edhe ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila edhe e kishte sulmuar dhe kishte luftuar me aq sa kishte mundur, regjimin vrastar të Millosheviqit.

I kemi edukuar dhe po i edukojmë brezat me politikën pacifiste  se ne nuk kemi bërë asgjë, se jemi të pafajshëm, se jemi në të drejtën tonë, por është Serbia e cila pa bërë kurrgjë na vret na pret në dëbon, na shkatërron .  I kemi mëshuar aq shumë këtij tehu sa tani është thyer dhe është topitur për fare. Jemi bërë ankimtarët më të njohur të Evropës, jo duke iu ankuar asaj, sepse ajo as e ka dëgjuar as e dëgjon zërin tonë,  por duke iu ankuar njëri tjetrit, opinionit tonë që na njeh dhe e njohim.

Bota nuk është e shurdhër, por nëse nuk denjon të të dëgjojë, ti bërtit, ankohu çirru sa të duash, ajo bën punën e vet dhe nuk e detyron dot askënd ta lexojë një libër për masakrat, nëse ai vetë nuk dëshiron.

E provoi Nusret Pllana dhe arriti t’i dërgojë qindra libra për masakrat serbe në Kosovë,  në Parlamentin  e Evropës por e detyruan t’ i tërheq. Madje duke i dhenë edhe ultimatum. Sepse askush në Këshillin  e Evropës, nuk e ngrehë  zërin kundër terrorit e krimeve të Serbisë mbi shqiptarët, kroatët e boshnjakët.

Edhe nëse i lexon, ndokush ato libra, mos dikush  po pret që do të gjendet ndonjë zyrtar evropian  të protestojë për masakrat që kanë kryer serbët në Kosovë, Bosnje e Kroaci, apo ta urrejë Serbinë, shtetin xhandar të Ballkanit të cilin e kanë krijuar Evropa dhe Rusia bashkë. Ja si po sillet Evropa  aktualisht në raport me Serbinë. Jo ndoshta sepse e do por ndien brejtje ndërgjegjeje për shkak të bombardimeve në vitin 1999, por edhe për shkak se Serbia është bijë besnikë e Rusisë. E tillë po tregohet me vepër. Edhe pse pretendon të bëhet pjesë e BE-së, ajo nuk i vë sanksione Rusisë, përkundrazi e përkrahë në të gjitha mundësitë dhe BE-ja e përkëdhel…

Këto ankimet tona ne i kemi më shumë  për veten, sepse mendojmë se po i dalim hakut popullit, se po bashkë vuajmë me viktimat e familjarëve, por ja që po ngopemi me to.

Askund nuk tregojmë se kemi luftuar, askund nuk pranojmë se gjatë luftimeve por edhe nëpër prita kemi vrarë serbë, ushtarë e policë, por edhe ndonjë bashkëpunëtorë nga mijëra e mijëra syresh.

Kemi bërë  aq sa kemi mundur.

Po të na kishte dhënë NATO-ja e shtetet e perëndimit armë e municion, sikur po i japin Ukrainës, do të kishin arritur të paktën deri në Nish, dhe, nuk do të kishte pasur  nevojë të intervenonte NATO-ja. Kemi luftuar me nga një kallash në duar, me bomba dore, ndokund edhe me ndonjë gulinov e ndonjë minahedhës dhe nuk jemi dorëzuar, nuk do të ishim dorëzuar edhe po të mos kishte intervenuar NATO-ja, sepse kemi luftuar për një drejtë ekzistenciale, me një moral të fortë idealist për të mbrojtur qenien kombëtare të rrezikuar nga shfarosja kolektive. Kemi qindra e mijëra shembuj të heroizmit të luftëtarëve të lirisë, por edhe të sakrificës, duke marrë shembull nga sakrifica Ademjashariane, rast unikat i historisë më të re të njerëzimit.

Po të kishim mundur, por të kishin pasur armë e municion, do të kishin vrarë po aq sa  na kanë vrarë ata, por një është e vërteta në këtë mes, ne nuk kemi vrarë  gra e fëmijë as kemi  dhunuar. Nuk është në moralin, nderin e besën tonë, nuk ishte as në  luftën e UÇK-së, përveç ndonjë rasti krejt të izoluar.

Pse nuk ia bëjmë të ditur opinioni ndërkombëtar këto të vërteta të pamohueshme, por përditë flasim e shkruajmë  vetëm për gjenocid, fleta gjenocidi, emblema gjenocidi, gjenocid, gjenocid, edhe 24 vjet pas luftës dhe çlirimit të Kosovës nga regjimi okupator e kolonizator serb.

Serbia, udhëheqja e saj, vazhdon të jetë po ajo që’ ka kryer krime e gjenocid por nuk është dënuar nga Gjykatat  ndërkombëtare, madje as për gjenocidin në Srebrenicë ku për dy ditë  serbët e Millosheviqit, Mlladiqit e Karaxhiqit, kanë vrarë mbi tetë mijë boshnjakë myslimanë. (RKL)

Te të ankohemi e të le të bërtasim për ditë e natë se Serbia ka kryer gjenocid, realisht edhe ka kryer, por nuk është dënuar asnjëherë deri tani nga asnjë gjykatë ndërkombëtare e drejtësisë dhe kurrë nuk do të dënohet, sepse Serbia dhe përgjithësisht sllavët në Ballkan e kanë pasur dhe e kanë nënën Rusi, që i ka mbrojtur dhe i mbron. Po jo vetëm Rusinë, i kanë edhe disa shtete të tjera në Evropë, të cilat i vret ndërgjegjja, që pa dashur e kanë bombarduar  Serbinënë vitin 1999.

Nuk arrijmë ta bëjmë me të zezë Serbinë duke ia përmendur krimet, sepse ajo edhe ashtu katran është. Por krimet  nuk duhet të harrohen kurrë, jo me qëllim për t u hakmarrë, në rast të ndonjë mundësie, por duke kërkuar drejtësi për krimet, sepse kriminelët që kanë vrarë dhjetëra mijëra boshnjakë, shqiptarë, kroatë, që kanë dhunuar gra e vajza që kanë vrarë edhe foshnje e fëmijë, madje edhe pleq e plaka,  shëtisin lirshëm kudo në shtetet e Ballkanit, të Evropës e gjetkë, ndërsa çlirimtarët e Kosovës por bën përpjekje t i shpallë fajtorë dhe t i dënojë Gjykata Speciale në Hagë

Ahmet Qeriqi

Qershor 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …