Si lindi Bashkimi Europian? Nga Plani Schuman te Europa e bashkuar

Çdo vit më 9 maj, Europa shënon Ditën e Europës, datë që lidhet me deklaratën historike të ish-ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, i cili më 9 maj 1950 hodhi themelet e asaj që sot njihet si Bashkimi Europian. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Europa kërkonte një mënyrë për të shmangur konfliktet e reja dhe për të ndërtuar paqe afatgjatë. Në këtë frymë, Schuman propozoi që prodhimi i qymyrit dhe çelikut të Francës dhe Gjermanisë të vihej nën një administrim të përbashkët evropian, duke e bërë të pamundur një luftë tjetër mes dy vendeve. Kjo ide revolucionare çoi në krijimin e Komunitetit Europian për Qymyr dhe Çelik, i njohur si Montanunion, që hyri në fuqi më 23 korrik 1952. Pjesë e tij u bënë Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu. Schuman besonte se bashkëpunimi ekonomik do të sillte pajtim politik dhe paqe të qëndrueshme në kontinent. Në këtë rrugë ai gjeti mbështetje edhe nga kancelari gjerman Konrad Adenauer, me të cilin ndau vizionin për një Europë të bashkuar. “Evropa duhet të pushojë së qeni një vend betejash”, deklaronte Schuman, i cili konsiderohet sot një nga arkitektët kryesorë të integrimit europian. Nga Montanunion-i lindi më pas Komuniteti Ekonomik Europian me Traktatet e Romës në vitin 1957, ndërsa në fillim të viteve ’90 u krijua zyrtarisht Bashkimi Europian. Sot, BE-ja përfshin 27 shtete anëtare dhe konsiderohet projekti më i madh politik dhe ekonomik i paqes në historinë moderne të Europës. Që nga viti 1985, 9 maji festohet zyrtarisht si Dita e Europës, në nderim të vizionit të Robert Schumanit për një kontinent të bashkuar dhe paqësor.  DW

Kontrolloni gjithashtu

Dardan Sejdiu: Situata e krijuar pas reciprocitetit të targave, thjeshtë është zbatim i një marrëveshjeje

Dardan Sejdiu: SHBA po i dërgon Kosovës paralajmërimin e fundit për energjinë dhe investimet strategjike

Analisti politik Dardan Sejdiu ka deklaruar se letra e publikuar së fundmi nga diplomatja amerikane …