Ish-kryeprokurori i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Geoffrey Nice, ka zhvilluar një vizitë në Memorialin Përkujtimor në Reçak, një nga vendet simbol të kujtesës historike të luftës në Kosovë. Ai u shoqërua nga ish-komandanti i Zonës së Nerodimes, Shukri Buja, si dhe avokati kosovar Taulant Hodaj. Vizita u bë e ditur nga vetë Buja përmes një postimi publik, ku theksoi rëndësinë historike dhe morale të qëndrimit në këtë vend, duke e cilësuar atë një moment reflektimi dhe respekti për viktimat civile. Sipas tij, vizita u zhvillua me ndjenjë përulësie dhe përgjegjësie para historisë, në një hapësirë ku ndërgjegjja ndërkombëtare u trondit nga krimet ndaj civilëve të pafajshëm. Gjatë qëndrimit në kompleksin memorial, delegacioni u takua me banorë dhe të mbijetuar të masakrës, duke vizituar shtëpitë dhe vendet kyçe ku ndodhën ngjarjet tragjike. Buja theksoi se, ndonëse aty u krye një krim i rëndë, dinjiteti dhe e vërteta nuk u shuan kurrë, ndërsa kujtesa historike mbetet përgjegjësi kolektive. Ai vlerësoi praninë e Sir Geoffrey Nice si simbol të drejtësisë ndërkombëtare, duke rikujtuar rolin e tij në ngritjen e aktakuzës ndaj Slobodan Milošević dhe angazhimin e tij për zbardhjen e krimeve të luftës. Sipas Bujës, figura të tilla përfaqësojnë garanci që e vërteta historike dhe drejtësia nuk zbehen me kalimin e kohës. Në përmbyllje, ai shprehu mirënjohje për kontributin e Nice në mbrojtjen e së vërtetës dhe drejtësisë, duke theksuar se vizita në Reçak përçon një mesazh të fuqishëm për kujtesën, drejtësinë dhe respektin ndaj viktimave të luftës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
