Skandal Zgjedhor: Prokuroria nis hetime, rinumërimi zbulon mijëra vota të “zhdukura” brenda partive

Procesi zgjedhor në Kosovë po tronditet nga dyshime serioze për manipulim dhe vjedhje votash, pasi rinumërimi i një të tretës së vendvotimeve ka nxjerrë në pah mospërputhje alarmante – nga qindra deri në mijëra vota të devijuara për kandidatët brenda të njëjtave subjekte politike. Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, është takuar me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, për të diskutuar fillimin e hetimeve paraprake lidhur me këto parregullsi serioze. Prokuroria ka bërë të ditur se Pula ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që, në komunat ku ka përfunduar rinumërimi, të fillojnë menjëherë grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave që vërtetojnë kryerjen e veprave penale të ndërlidhura me procesin zgjedhor. Hetimet nuk do të mbesin në nivel lokal, por do të shtrihen në nivel vendi, çka tregon se përmasat e dyshimeve janë shumë më të mëdha sesa një “gabim teknik” i rastësishëm. Nga ana e tij, kolonel Fehmi Hoti ka deklaruar se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme dhe do t’u shërbejë kërkesave të prokurorëve të shtetit, por kjo nuk zbeh shqetësimin publik për dëmin që tashmë i është bërë besimit në zgjedhje. Nëse këto dyshime konfirmohen, vendi rrezikon të përballet me një nga skandalet më të rënda zgjedhore pas luftës, me pasoja të rënda politike dhe penale.

Kontrolloni gjithashtu

Rrahman Jasharaj

Punëtorët publikë në rrezik, SBASHK paralajmëron krizë pagash për shkak të mosformimit të Qeverisë

Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, paralajmëron se vonesat në formimin e Qeverisë dhe moskonstituimi i …