Drenica si gjithmonë ka qenë në ballë proceseve të rëndësisë së madhe, kur ka qenë në pyetje fati i atdheut dhe në të cilat kanë marrë rrjedhë tjeter historia kombëtare. Edhe në luftën e lavdishme dhe heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo trevë liridashëse i është përgjigjur thirrjes së atdheut.
Fshatrat rrëzë Kozmaqit me padurimin e kanë pritur momentin që të ngritën në luftën për liri. Vuqaku dhe bijtë e saj ndër të parët janë angazhuar për t’i dhënë krahë e fuqi luftës për çlirimin e vendit. Në këtë rresht të burrave sypatrembur, trima e luftëtarë ishte edhe Skënder Liman Shala. Ai u lind dhe u rrit në fshatin Vuçak të Drenasit më 20 gusht të vitit 1977. Ai e ka mbaruar shkollën fillore por jo edhe të mesmen për shkak të rrethanave okupuese në të cilën ndodhej vendi dhe si shkak i gjendjes jo të favorshme ekonomike. Ai rrjedhë nga një familje e cila e ka luftuar armikun e kombit shqiptar. Veçohet gjyshi i tij Zen Shala i cili ishte atdhetar i shquar dhe i përbetuar për ta luftuar okupatorin e kësaj toke arbërore.
Më kushtrimin e dhënë tek “Lisi gjashtë-njak” i Likoshanit dhe epopenë e lavdishme e heroike tri ditore të Prekazit në të cilën më luftë heroike e fituan pavdekësinë familja Jashari me në kryekomandantin legjendar Adem Jashari, ishin momente të reflektimit dhe ndërgjegjësimit të madh kombëtar për bashkim pa menduar dy herë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila tashmë kishte dalë në skenë dhe kishte filluar luftën për çlirimin e atdheut. Dëshmori i kombit Skënder Shala në fillim të vitit 1998 ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së, në Njësitin “Pëllumbi” në kuadër të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” Të Zonës Operative të Drenicës të cilën njësit e udhëhiqte Ferat Shala dhe ishte vendosur në fshatin Negroc.
Më që ishte fillimi i luftës dhe ndjehej dukshëm nevoja për furnizim më armë e municione meqë shumica e të sapo inkuadruarve në luftë nuk ishin të pajisur më armë Skënderi bashkë më disa bashkëluftëtarë e merr rrugën për në Shqipëri më qëllim të furnizimit më armatimin. Ai dhe shokët e tij të idealit e kalojnë rrugën përmes maleve e më plotë rreziqe e të shtruar me plotë mina përgjatë gjithë brezit kufitar Kosovë-Shqipëri dhe arrijnë në Tropojë. Atje qëndron disa ditë dhe merr pjesë në ushtrime ushtarake dhe shpejt specializohet për luftë guerile dhe në afërsi më forcat serbe.
Ngarkohet më shumë fishekë e pushkë sa mezi ecte, por ata u nisën nga Shqipëria për në vendlindje, për t’u bashkuar më bashkëluftëtarët e tjerë në Drenicë. Bashkëluftëtarët e tij më të afërt kanë qenë Mexhit Shala, Imer Shala dhe Halit Shala. Ai ka marrë pjesë në shumë beteja të verës së vitit 1998 në këtë trevë të Drenicës duke filluar nga beteja e zhvilluar në fshatin Negroc, pastaj edhe në betejën e zhvilluar në Grykën e Llapushnikut.
Më 9 maj luftëtarët e pikës “Guri III”, pastaj luftëtarët e pikës “Lumi” “Çeliku” dhe asaj “Pëllumbi” së cilës i përkiste edhe Skenderi e të tjerët marrin pjesë në barrikadimin e Grykës së Llapushnikut, e cila nga ajo ditë bëhet e pakalueshme për forcat policore dhe ushtarake e policore serbe. Luftimet në këtë betejë janë zhvilluar me 8, 9 dhe 10 maj të vitit 1998. Kjo betejë titanike shënon edhe fillimin e krijimit të zonave të lira të kontrolluara nga UÇK-ja edhe në zona tjera të Kosovës si në Malishevë dhe Dukagjin.
Vera e vitit 1998 do të ishte stina e fundit për Skënderin sepse ai më 26 shtator të vitit 1998 ka renë heroikisht për mos të vdekur kurrë në fshatin e tij në Vuçak në pjesë që shtrihet në Kozmaq. Ai në momentin e përjetësisë ka qenë në gradën e ushtarit, luftëtarë i lirisë. Pas rënies ai është varrosur në fshatin e tij të lindjes, ndërsa në vitin 2000 pas çlirimit të Kosovës është varrosur në varret e Dëshmorëve të kombit në Negroc.
Nuk ka qenë i martuar dhe për trashëgim ka lenë lirinë e atdheut të cilën do ta gëzojnë nipat, mbesat dhe të gjithë fëmijët e Kosovës që do të rritën në tokën tyre pa frikën e armikut. Ka qenë i qetë çdoherë, më virtyte të mirësjelljes dhe atdhedashurisë. Atij i është ngritur përmendorja në fshatin e tij të lindjes. Familja Shala pas luftës ka marrë mirënjohje nga institucionet e Qeverisë së përkohshme dhe nga Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (Lul Shala)
Kontrolloni gjithashtu
Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)
Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …