Fitim Dinë Jakupi (13.10.1978 - 26.9.1998)

Fitim Dinë Jakupi (13.10.1978 – 26.9.1998)

Fitimi Jakupi u lind më 13 tetor të vitit 1978, në fshatin Cerovik të Klinës. Babai Dini dhe Nënë Miradija rriten bijtë: Fitimin, Hazirin, Afrimin si dhe bijat: Hanifen dhe Violeten. Shkollën fillore e kreu në Cerovik, të mesmen në Llozicë. Në vend se të ndiqte studimet, ashtu si shumica e shokëve të tij, Fitimi me kohë mori rrugën e lirisë dhe të fitores. Nuk ishte vetëm një koincidencë emri i tij por edhe mishërim me idealin e fitores.
Fitim Jakupi, rrjedh me tradita familjare atdhedashëse dhe liridashëse. Ai qysh në rininë e hershme ishte edukuar e frymëzuar me ide përparimtare e patriotike dhe po përgatitej të bëhej ushtar i përkushtuar i UÇK-së, pikërisht atëherë kur Serbia okupatore po shtrihej lirshëm në Kosovë dhe kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare ishin nisur në rrugën pa kthim drejt çlirimit të vendit nga dhuna dhe shtypja sistematike e Serbisë, e cila Kosovës ia kishte pezulluar edhe atë pak autonomi që e kishte pasur.
Pikërisht atëherë kur Kosova po ngopej me fjalë boshe të propagandave pacifiste të urdhëruara nga kreu i LDK-së, në momente më vendimtare për fatin e Kosovës, Fitim Jakupi së bashku më vëllezërit dhe kushërinjtë kapin armët, veshin uniformat e UÇK-së, uniformën e shpresës së madhe për ardhmërinë e Kosovës.
Në fillim sistemohet në kuadër të njësitit “ZOGU”, në fshatin Cerovik. Në atë pikë të UÇK-së u zhvilluan luftime të ashpra duke i sjell dëme të mëdha forcave të armikut, të cilat ishin përqendruar në fshatin Kijevë, ku ishte një bazë e policisë dhe ushtrisë serbe e cila ndalonte dhe torturonte shqiptarët. Kjo bazë strategjike serbe ishte vënë në rrethim të forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk mund të lëvizte madje as për furnizime nga toka, por vetëm nga ajri përmes helikopterëve.
Ishte koha kur në verën e vitit 1998 Serbia kishte ngritur peshë tërë diplomacinë perëndimore duke e cilësuar Kijeven si vendin me të rrezikshëm në Evropë dhe si pikën nga ku mund të fillonte lufta botërore.
Kijeva, asokohe mbahej nga çdo anë nën rrethim nga forcat e UÇK-së, të cilat qysh më 9 maj kishin zënë Grykën e Llapushnikut duke ua bërë të pamundur forcave serbe të lëvizin ushtar apo polic në drejtim të Klinës dhe të Pejës.
Përveç luftimeve të ashpra që janë zhvilluar në ofensivat serbe që mbahen mend nga numri i madh i forcave armike, është ajo e 25 shtatorit të vitit 1998 në fshatin Cerovik. Asokohe Fitim Jakupi me bashkëluftëtarë ishte pjesëmarrës aktiv në luftë me qëllim për të pamundësuar depërtimin e forcave serbe në drejtim të Drenicës. Ai ka marrë pjesë në luftimet e vijës së frontit nga Gryka e Lapushnikut e deri te Gryka e Dollcit.
Janë për t’u përmendur edhe aksionet e shumta ku shquhet dëshmori Fitim Jakupi si ato në: Obri, Likoc, Gullboc, Plloqicë, Llozicë te ura e Llozicës. Ai me bashkëluftëtarët e njësitit “ZOGU”: Naim Bashota, Sadik Gashi, Zenel Bashota, Nazmi Bashota (dëshmor) e të tjerë, kishin ndërmarrë një aksion kundër forcave policore serbe, duke lënë katër të vdekure mjaft të tjerë edhe të plagosur.
Me 26 shtator të viti 1998, Fitim Jakupi vihet në ballë të një aksioni për t’ua prerë krahët forcave serbe, të cilat ishin shtrirë në lindje të fshatit Vuqak të Drenasit. Atë ditë ndodhej së bashku me bashkëluftëtarët e tij, me ç’ rast ishin zhivilluar luftime të pandërprera ndërmjet forcave të UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat me kohë kishin zënë pikat strategjike dhe kishin vendosur prost-blloqe të shumta. Edhe atë ditë, gjatë luftimeve forcat serbe kishin pësuar humbje, por në përballje me ta kishte rënë në altarin e lirisë, luftëtari sypatrembur, dinjitari i lirisë, Fitim Dinë Jakupi në moshën e tij 20-vjeçare. Familja dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi Përgjithshëm i UÇK-së, nga Kuvendi Komunal i Klinës dhe nga shoqatat e luftës. (Vllaznim Jakupi)

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …