Smajl Latifi: U THEMELUA ZYRTARISHT MUZEU I USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË DRENOC

Sot, në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal të Rahovecit, u shqyrtua dhe u miratua në mënyrë unanime propozim-vendimi për themelimin e MUZEUT TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS NË DRENOC – Shtëpia e Avdi (Sherif) Gashit, me të cilin rast falënderoj kuvendarët për përkrahjen e tyre të njëzëshme për jetësimin e kësaj vepre të rëndësishme të kujtesës historike, pikërisht aty ku u vendos shtabi rajonal i UÇK -së e që drejtonte me operacionet luftarake në tërë rajonin e Anadrinisë. Qëllimi i themelimit të muzeut të UÇK-së në Drenoc është grumbullimi, selektimi dhe ruajtja e dokumenteve dhe e gjësendeve të tjera të trashëgimisë së luajtshme me peshë të luftës së UÇK-së, në Komunën e Rahovecit, si celula e parë e UÇK-së. Po në këtë shtëpi e në familjen emblematike Gashi nga Drenoci, e cila i dha shpirt luftës për çlirim kombëtar dhe që me gjak e lartësoi idealin e lirisë dhe flamurin kuq e zi, u lindën e u rritën heronjtë e kombit, Bedrushi e Feim Gashi, bijtë e bacës Avdi dhe të nënës Bademe, të cilët bënë që në damarët e këtij populli të fillojë të qarkullojë shpresa për ditë më të mira. Duke qenë se Drenoci ishte bazë e fortë e organizimit luftarak, natyrshëm se i binte barra më e rëndë për ta mbajtur mbi supe peshën e luftës e të lirisë, po në këtë vend, zunë fill dhe u formuan e vepruan pesë brigada operative: “Brigada 121” – që operonte në pjesë te komunës së Malisheves dhe një pjesë të komunës së Lipjanit; “Brigada 122” që operonte në një pjesë të komunës së Malishevës dhe të Klinës; “Brigada 123” që operonte në komunën e Therandës; “ Brigada 124” që operonte në komunën e Rahovecit; “Brigada 125” që operonte në komunën e Prizenit; “ Brigadat 126, 127 dhe 128 “, që ishin të dedikuara për mbështetje logjistike. Themelimi i këtij muzeu është shenjë dalluese e rrugëtimit tonë dhe ruajtja dhe përkujdesi ndaj tij është obligimi ynë moral e institucional, prandaj duhet të kujdesemi që t’i ruajmë të pastër dhe të panjollosur. Këto shenja civilizimi e atdhetarizmi, qëndrojnë në mendjet e zemrat tona si gjëja më e shtrenjtë, vlera më e lartë, ngase popujt e qytetëruar e respektojnë të kaluarën mbi të cilën ndërtojnë të ardhmen. Asnjë vlerë nuk qëndron mbi jetën dhe vuajtjet e të rënëve për liri, prandaj na takon t’i ruajmë dhe të kujdesemi për këtë trashëgimi – sot e mot. Falënderoj të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal për votimin njëzëri të vendimit për themelimin e Muzeut të UÇK-së – Oda e Avdi Sherif Gashit në Drenoc. Lavdia dhe nderimi iu takon dëshmorëve, ndërsa neve na mbetet obligim të bëjmë më të mirën për ndërtimin e jetës së lumtur të brezave të ardhshëm! Nënës heroinë të Feimit dhe Bedrushit, nënës Bademe, i urojmë shëndet dhe jetë të gjatë, si dhe familjarëve iu urojmë krenari e dëshmorëve lavdi të përjetshme!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka pritur në takim përfaqësues të gjeneratës së III – 1973/1974 të Gjimnazit në Viti

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim përfaqësues të gjeneratës së …