Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, vlerëson se një ndryshim i mundshëm i pushtetit në Beograd nuk do të sillte menjëherë një ndryshim të qëndrimit të Serbisë ndaj statusit të Kosovës. Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, Biserko tha se edhe në rast të largimit të Aleksandar Vuçiqit nga pushteti, çështja e Kosovës mund të vazhdojë të përdoret për mobilizim emocional dhe politik në Serbi. “Është e sigurt se, në situata të ndryshme krize, secili do të përpiqet ta përdorë Kosovën për mobilizim emocional, për të mbledhur njerëz rreth vetes. Mendoj se, në thelb, nuk do të ketë ndryshime sa i përket statusit të Kosovës. Kjo përjashtohet”, tha ajo. Megjithatë, sipas Biserkos, një ndryshim i pushtetit në Beograd mund të ndikojë në mënyrën se si Serbia ushtron ndikimin e saj mbi komunitetin serb në Kosovë, veçanërisht në aspektin politik dhe institucional. Ajo tha se një qeveri e re mund të rishikojë infrastrukturën politike të ndërtuar gjatë viteve të qeverisjes së Vuçiqit, përfshirë edhe rolin e Listës Serbe. “Për serbët e Kosovës do të ishte e rëndësishme që një pushtet i ri në Serbi të kishte një qasje realiste ndaj tyre, t’i ndihmonte ta forconin pozitën e tyre në Kosovë dhe t’i orientonte drejt dialogut me Prishtinën. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për ta”, deklaroi Biserko. “Vetë Serbia do të kalojë nëpër një fazë, gjatë së cilës duhet t’ia shtrojë vetes disa pyetje thelbësore dhe t’u japë përgjigje. Para së gjithash: ku janë kufijtë tanë, cili është identiteti ynë dhe ku përkasim? Në kuadër të gjithë kësaj, do të formësohet edhe raporti ndaj Kosovës”, tha ajo. “Serbia po hyn në një fazë shumë të trazuar, që do të zgjasë me vite”, u shpreh Biserko.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
