Sot në moshën 69-vjeçare ka vdekur, Zeqir Vehbi Shamolli, nga fshati Shalë, ish-Sedllar i Drenicës

Sot në moshën 69-vjeçare ka vdekur, Zeqir Vehbi Shamolli, nga fshati Shalë, ish-Sedllar i Drenicës

Në moshën 69-vjeçare ka vdekur, Zeqir Vehbi Shamolli nga fshati Shalë, ish-Sedllar i Drenicës, me vendbanim në Ferizaj. Ceremonia e varrimit fillon nesër më 18 gusht 2019,  në orën 11.00, me ç’ rast arkivoli me trupin e tij  niset nga Ferizaj në drejtim të vendlindjes së tij.  Varrimi bëhet në varrezat e fshatit në Shalë, në orën 13.00.

 

Më 17 gusht 2019, në moshën 69-vjeçare është ndarë nga jeta, Zeqir Vehbi Shamolli nga fshati Shalë, ish-Sedllar i Drenicës, me vendbanim, në Ferizaj.

Ai u lind më 1 qershor të vitit 1950 në një familje fshatare, por   arsimdashëse. Babai Vehbiu e donte arsimin,  dhe bijve e bijave u kishte krijuar kushte për t’u arsimuar.

Zeqiri, shkollën fillore, me sukses meritor e kreu në vendlindjen e tij, në Shalë, ndërsa të mesmen, “shkollën Normale”, e mbaroi në Ferizaj. Pasi kishte treguar rezultate në mësime  gjatë shkollës  së mesme, ai përnjëherë u regjistrua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën e Biologjisë, në Prishtinë, të cilën e kishte kryer me sukses meritor.

Pas mbarimit të studimeve një kohë ka punuar mësimdhënës, në Lypjan dhe në Ferizaj. Në vitet  80-të familja Shamolli ishte nën vëzhgim të regjimit jugosllav, ndërkohë, organet e ndjekjes  kishin  arrestuar, më pas edhe e kishin dënuar katër vjet burg  vëllanë e tij, Ismetin, me akuzë për veprimtari kundër regjimit të ish Republikës, Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Zeqir Shamolli,  në gjysmën e dytë të viteve shtatëdhjetë, ishte emëruar drejtor në Fabrikën Minex, në Ferizaj, ku ka punuar deri në vitin 1990, kur  regjimi okupator serb kishte aplikuar masat e dhunshme administrative, me qëllim që t’i detyronte shqiptarët ta pranonin regjimin e Milosheviqit, i cili kishte suspenduar edhe autonominë e Kosovës.

Pas largimit nga puna dhe gjendjes së rëndë që ishte krijuar në Kosovë, Zeqir Shamolli shkon në Shqipëri ku fillon të merret me biznes për të siguruar familjen e gjerë.

Në vitet e fillimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai ishte në kontakt me disa nga organizatorët në Tiranë dhe së bashkë me vëllanë e tij, Ismetin e të tjerë kishin ndihmuar financiarisht luftën e UÇK-së.

Gjatë luftës, në mbrëmjen e 28 gushtit  të vitit 1998, derisa ndodhej në mesin e popullatës dhe të familjes së tij, në mesin e të  zhvendosurve, në Grykën e Shalës nga shpërthimi i raketave të ushtrisë serbe mbi popullatën civile, kishte vdekur nga sulmi në zemër babai i tij,  Vehbi  Shamolli një burrë bujar arsim dhe atdhedashës.

Pas Luftës  Zeqir dhe Ismet Shamolli kanë ndihmuar edhe Radion Kosova e lirë, por ashtu edhe veteranët e invalidët e luftës.

Duke qenë se gjatë kohës sa kishte punuar  në Shqipëri, ku edhe  kishte krijuar  një përvojë në ngritjen e bizneseve, në vitet e para të pas luftës ishte angazhuar në ndërtimin e kapaciteteve ekonomike e financiare me qëllim për të ndihmuar edhe rimëkëmbjen ekonomike dhe shtet-ndërtimin e  Kosovës.  Për shkak të konkurrencës jo lojale dhe  deformimit të sistemit nga grupe dhe klane të interesit, Zeqiri me vëllezër ishte kufizuar kryesisht në biznesin e familjes dhe kishte themeluar  kompaninë e ndërtimit të rrugëve ” Eurokos “. Një kohë kishte kryer punë me përgjegjësi në Shqipëri dhe në Kosovë.

Në kohët e fundit është marrë me ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në Vermicë dhe në Lepenc.

Zeqir Shamolli  ka qenë humanist, solidar, i përmbajtur, shumë i dashur dhe i respektuar jo vetëm për familjen e të afërmit, por me të gjithë ata që ka punuar e vepruar, gjatë tërë jetës së tij, deri në ditën e djeshme kur u nda nga jeta, në moshën 69-vjeçare.

Atë e përkujtojnë me mall dhe nuk e harrojnë, bashkëshortja, Jalldëzi, bijtë: Ylli e Ylberi, Bija, Yllka, vëllezërit, Muhameti, Ademi, Ismeti, motrat Zymryti dhe Hasimja, nipat e mbesat, familja e gjerë Shamolli nga Shala, bashkëvendësit, miqtë e bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe ndiejnë dhembje për ndarjen e tij nga jeta.

Qoftë i paharrueshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Zeqir Vehbi Shamollit. (A.Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Paskal Milo: Edhe sikur Serbia të ndërgjegjësohet, Moska ka synim që ta mbajë Kosovën në një gjendje krize

Paskal Milo, porositë që Kosova dhe Shqipëria të bashkëpunojnë dhe të përballojnë së bashku sfidat

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, ka shprehur shqetësimin e tij në …