Sot shënohet 12 Qershori, dita e hyrjes së NATO-s në Kosovë

Më 12 qershor 1999, trupat e para të NATO-s hynë në Kosovë nga territori i Maqedonisë, duke shënuar fillimin e vendosjes së forcave paqeruajtëse ndërkombëtare pas përfundimit të fushatës ajrore kundër forcave serbe.

Një ditë më herët kishte nisur tërheqja e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës, proces i cili ishte paraparë të përfundonte më 21 qershor. Misioni i NATO-s u organizua në pesë zona përgjegjësie, të udhëhequra nga kontingjentet amerikane, britanike, franceze, gjermane dhe italiane.

Me hyrjen e NATO-s filloi edhe vendosja e administratës së përkohshme të Kombeve të Bashkuara, UNMIK-ut, e cila mori përgjegjësinë për administrimin e Kosovës.

Po atë ditë kishte nisur edhe tërheqja e planifikuar e forcave serbe nga Zona e Llapit. Sipas dëshmive të kohës, gjatë largimit të tyre, forcat serbe vazhduan djegien e shtëpive të shqiptarëve nëpër vendbanimet nga ku tërhiqeshin.

Më 12 qershor 1999, komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark, konfirmoi se forcat serbe kishin filluar tërheqjen sipas afateve të përcaktuara në Marrëveshjen e Kumanovës. Ai bëri të ditur gjithashtu se NATO kishte pezulluar bombardimet ajrore, duke paralajmëruar se ato mund të rifillonin nëse Beogradi nuk do t’u përmbahej detyrimeve të marrëveshjes.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti: Pres një verdikt të drejtë, lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin e vendit

Lideri politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka thënë se edhe ai, …