Sot, u bë përurimi i Shkollës “Kadri Beba” në fshatin Ribar i Madh

 Sot, në fshatin Ribar i Madh të Komunës së Lipjanit, u mbajt ceremonia solemne e përurimit të shkollës së re fillore, e cila nga sot do të mbajë emrin e luftëtarit të njohur të çështjes kombëtare, Kadri Beba. Ky institucion arsimor është një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore të realizuara në këtë pjesë të komunës, duke i dhënë një impuls të ri zhvillimit arsimor dhe përkushtimit për edukimin e brezave të ardhshëm. Emërtimi i shkollës me emrin e Kadri Bebës është një akt nderimi dhe kujtese për kontributin e tij në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe në ndërtimin e identitetit tonë historik.

Drejtori i shkollës, z. Nehat Terpeza, uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe e cilësoi këtë ditë si një moment historik për komunitetin lokal. Ai theksoi se shkolla e re nuk është vetëm një hapësirë mësimi, por një vend i edukimit të vazhdueshëm dhe frymëzimit. “Si staf pedagogjik, do të udhëheqim me përkushtim dhe dashuri. Edukimi ndodh çdo ditë të jetës – dhe emri i kësaj shkolle na frymëzon përmes figurës së Kadri Bebës,” u shpreh ai.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, i uroi një mirëseardhje të veçantë z. Abdullah Grajqevci, djali i Kadri Bebës, dhe falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti madhor. Ai theksoi se ndërtimi i kësaj shkolle është rezultat i bashkëpunimit dhe angazhimit të të gjithëve – nga niveli institucional deri te banorët e fshatit. “Ky institucion arsimor është më shumë se një objekt – është një vend ku do të ndërtohet e ardhmja e brezave të rinj, duke u frymëzuar nga figura e ndritur e Kadri Bebës,” theksoi ai, duke uruar suksese nxënësve dhe mësimdhënësve në rrugëtimin e tyre edukativ.

Ceremonia u përmbyll me një program kulturor-artistik të përgatitur nga nxënësit e shkollës, të cilët përmes këngëve, valleve dhe recitimeve sollën emocione të veçanta për të pranishmit. Programi reflektoi përkushtimin dhe talentin e fëmijëve, duke përforcuar mesazhin e kësaj dite të rëndësishme: se edukimi, kultura dhe kujtesa historike ecin dorë për dore drejt një të ardhmeje më të ndritur.- RKL-

Kontrolloni gjithashtu

Avokati i Popullit: Mos anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ka pasoja të shumëfishta

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka vlerësuar se mos anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e …