Sqarimi i MBPZHR-së lidhur me artikullin e Kosovapressit me titull: “Rikallo mbyt shpresat e prodhuesve të mjedrave

Sqarimi i MBPZHR-së lidhur me artikullin e Kosovapressit me titull: “Rikallo mbyt shpresat e prodhuesve të mjedrave

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e sheh të arsyeshme sqarimin për shkrimin e Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress”, me titullin “Rikallo mbyt shpresat e prodhuesve të mjedrave: Çmimin nuk mund të ndryshojmë”, i cili është publikuar edhe në disa media tjera e ku theksohet se ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo është dorëzuar për përkrahjen e mëtejmë të kultivuesve të mjedrës. Ministria e Bujqësisë, sqaron se çmimet e produkteve i cakton tregu, e jo ministria e as ndonjë institucion tjetër.

Me këtë rast, sqarojmë se Ministri Nenad Rikalo, për asnjë rast nuk ka thënë se kultivuesit e mjedrës nuk do të kenë mbështetjen e tij. Ministri Rikalo, edhe ditë më parë, por edhe tani premton se kultivuesit e mjedrës, përveç se do të përkrahen  përmes nismës së përbashkët të MBPZHR-së me USAID-in për programin “Përkrahje e zhvillimit bujqësor dhe rural në Kosovë”, i cili program kap vlerën prej 3.8 milionë euro, do të ndërmarrë edhe disa masa për tejkalimin e problemeve në sektorin e mjedrës.

Më tutje, ministri Rikalo sqaron se si ministri do të shqyrtojnë edhe mundësinë për të ndryshuar metodologjinë e subvencionimit të këtij sektori që nga viti i ardhshëm, ku për këtë çështje ka thënë se do ta krijojnë edhe një grup punues, i cili do të merret me këtë problem, me qëllim të tejkalimit të situatës së krijuar ditëve të fundit, pavarësisht se këta kultivues sivjet po përkrahen me nga 400 euro për hektarë të mbjellë, si dhe përmes granteve investive në vlerë prej rreth 2.5 milionë euro. Prandaj, ministri ka thënë se do të shohin mundësinë që këtë formë të mbështetjes ta ndryshojnë nga viti ardhshëm. Por, në asnjë rast ai nuk ka thënë se kultivuesit e mjedrës nuk do ta kenë përkrahjen e tij.  Por, ai ka theksuar se do të pret deri sa të bëhet grumbullimi i mjedrës këtë vit, ku do të kenë edhe të dhënat për sasinë e mbjellë të kësaj kulture bujqësore, e që në bazë të kësaj saj të vendoset edhe për mënyrën e përkrahjes së sektorit të mjedrës, në të cilin gjatë këtij viti janë paraqitur probleme.

Me respekt,Divizioni për Komunikim me Publikun në MBPZhR.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: AAK po rritet në Gjermani, jemi bashkë në përkushtimin tonë për ta orientuar vendin drejt zhvillimit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë e bashkatdhetarëve në çdo proces për të …