Stadiumi i qytetit në Malishevë me emrin e dëshmorit të kombit Liman Gegaj

Kuvendi i Komunës së Malishevës, i drejtuar nga kryesuesi Aziz Thaçi, mori disa vendime me rëndësi, si miratimi i draft Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) dhe emërtoi stadiumin e qytetit me emrin e dëshmorit të kombit Liman Gegaj. Fillimisht, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, pas shqyrtimit të kërkesës së Kryetarit Ragip Begaj, për emërtimin e stadiumit të qytetit me emrin e dëshmorit Liman Gegaj, emër i cili gjithashtu e kishte përkrahjen e plotë të të gjitha shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, morën vendim për këtë emërtim dhe nga tani stadiumi i qytetit do të ketë emrin e dëshmorit Liman Gegaj. Më pas, KK i Malishevës, mori vendim edhe për përkrahjen financiare, të stacionit të autobusëve në Malishevë, në formë të huadhënies. Pas kësaj, para anëtarëve të KK të Malishevës, nga ana e drejtorit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi, është paraqitur draft Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB), e cila është miratuar nga ana e anëtarëve të KK. Sipas KAB 2018-2020, Komuna e Malishevës, në vitin 2018, parashihet të ketë një ngritje të buxhetit. KK ka miratuar edhe Planin e Veprimit Lokal Rinor 2017-2019, plan i cili para anëtarëve të kuvendit, është paraqitur nga drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Blerta Krasniqi. Kuvendi i Komunës, po ashtu ka miratuar edhe një kërkesë të një qytetari për ndërrim destinim të tokës, nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore. Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka shqyrtuar edhe kërkesën e kryesisë së fshatit Dragobil, lidhur me pronën e dhënë për një kompani, për ndërtimin e një fabrike për riciklim të mbeturinave, dhe e cila është kundërshtuar nga banorët. Sipas njoftimit të dhënë në KK, kompania aktualisht i ka ndërprerë punimet, ndërsa anëtarët e KK, kërkuan që në asnjë mënyrë të mos lejohet devijimi nga kontrata dhe të mos lejohen ndërtime pa leje dhe jashtë kontratës me komunën.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …