Stavileci prezanton të arriturat dhe sfidat në sektorin e energjisë para KPSA-së dhe KSA-së

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Stabilizim-Asocim (KPSA) dhe Këshillit për Stabilizim-Asocim (KSA), ku ka prezantuar të arriturat dhe sfidat në fushën e energjisë, që lidhen edhe me zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave.

Ministri Stavileci me këtë rast fillimisht është ndalur te korniza strategjike dhe ligjore, duke theksuar  se pas miratimit të legjislacionit primar për energjinë në afat prej nëntë muajsh ashtu siç është e përcaktuar, MZHE është  në proces të hartimit të  legjislacionit sekondar i cili është përfshirë në planin legjislativ për 2017.

Sa i përket Strategjisë së Energjisë për periudhën 2017-2026, ministri tha se pas adresimit të komenteve nga ana e donatorëve, Strategjia do të procedohet për miratim, ndërsa nënvizoi se synimi është që ajo te jetë gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me standardet mjedisore dhe sociale të BE-së.

Më tej, kreu i MZHE-së ka folur për bashkëpunimin rajonal në fushën e energjisë, me theks të veçantë me Shqipërinë, derisa ka vënë në pah sfidat që dalin nga mosrespektimi i marrëveshjes KOSTT-EMS nga ana e Serbisë, çka po e mban peng edhe funksionalizimin e linjës së re interkonektive 400 kiloVolt Kosovë-Shqipëri.

“Kjo çështje është ngritë si problematike disa herë drejtë Komisionit Evropian, Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike”, tha Stavileci.

Duke u ndalë te bashkëpunimi me Shqipërinë, Ministri ka përmendur Tregun e përbashkët energjetik me Shqipërinë; Tregun e aksioneve energjetike me Shqipërinë, ndërsa vlerësoi të arriturat edhe në drejtim të Kodit të rrjetit të KOSTT-it, i harmonizuar me atë të ENTSO-E.

Stavileci potencoi edhe angazhimet që lidhen me përmirësimin e sigurisë së energjisë, ku renditi marrjen e vendimit për modalitetet e pronësisë për Kosovën B, investimet e reja në prodhimin e energjisë dhe dekomisionimin e TC Kosova A.

“Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar negociatat me Contour Global lidhur me përmbylljen e fazës se parë të projektit, atë komerciale. Nënshkrimi i marrëveshjes  pritet te ndodhë në pjesën e parë të 2017. Faza e dyte ajo e mbylljes financiare pritet te realizohet në K3 2017”, tha ai.

Sa i përket, BRE dhe EE, Stavileci tha se Plani Kombëtar i Veprimit për BRE 2011- 2020, do të përditësohet në përputhje me rekomandimet e Sekretariati të Komuniteti të Energjisë  duke rishikuar masat të cilat do të mundësojnë  arritjen e cakut prej 25%  në bruto konsumin final të energjisë deri ne vitin 2020.

Ndërsa Plani i Veprimit 2016-2018 mbi Efiçiencën e Energjisë ka adresuar edhe komentet nga Sekretari i Komunitetit të Energjisë. Stavileci në këtë linjë paralajmëroi funksionalizimin e Fondit të EE, si kërkesë e KE dhe TKE, i cili i hapë rrugë edhe Eko-Fondit.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …