Syle Ukshini

Sylë Ukshini: Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Gjermani

Gjatë bisedimeve në Vjenë për marrëveshjet diplomatike gjermano-shqiptare Pengesa kryesore për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet këtyre dy vendeve ishte kërkesa e vazhdueshme e shtetit shqiptar për pagimin e reparacioneve dhe dëmshpërblimeve për dëmet e luftës (LIIB) nga Republika Federale e Gjermanisë.

Më në fund, vendosja e marrëdhënie diplomatike ndërmjet RPSH-së dhe RFGJ-së përkoi pothuajse njëkohësisht me ndryshimet në Evropën Lindore dhe rënien e Murit të Berlinit Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-gjermane dyzet vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht në vitin 1987, ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për Shqipërinë komuniste edhe pse, në krahasim me shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore, marrëdhëniet diplomatike ndërmjet këtyre dy vendeve ndodhën me një vonesë të madhe.

Pa dyshim, fajtori kryesor për këtë vonesë ishte qëndrimi i dogmatik i regjimit komunist në Shqipëri, luhatjet e brendshme të politikës shqiptare dhe këmbëngulja dhe ekstremizmi politik i drejtuesve të regjimit stalinist në Shqipëri, por gjithashtu edhe mosinteresimi i veçantë i Gjermanisë për Shqipërinë, një vend i vogël, pa interes gjeopolitik apo ekonomik.

Hyrje Marrëdhëniet shqiptaro-gjermane ishin subjekt i luhatjeve të forta për shkak të ndryshimit të situatës politike të brendshme në Shqipëri dhe në dy shtetet gjermane (RFGJ dhe RDGJ), në periudhën e Luftës së Ftohtë. Ndërsa populli shqiptar që përpiqej për pavarësi mori pak mbështetje nga Perandoria Gjermane, shteti i ri shqiptar u drejtua nga Princi gjerman, Wilhelm zu Wied, për vetëm gjashtë muaj në vitin 1914.

Pas Luftës së Dytë Botërore, një luftë partizane në Shqipëri kundër okupatorëve gjermanë dhe italianë, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (RPSSH) më 2 dhjetor 1949 njohu Gjermaninë Lindore (RDGJ), nën dominimin sovjetik dhe, tre vjet më vonë, të dyja shtetet komuniste vendosën marrëdhëniet diplomatike, por pas vitit 1961 këto marrëdhënie u ngrinë praktikisht për më shumë se 20 vjet.

Ndërkaq, Republika Federale të Gjermanisë (RFGJ) nuk njihej fare nga Shqipëria komuniste, edhe pse ajo e pranonte të drejtën e kombit gjerman për bashkim në një shtet, por nën siglën e RDGJ-së. Pa dyshim, pengesa kryesore për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet këtyre dy vendeve ishte kërkesa e vazhdueshme e shtetit shqiptar për pagimin e reparacioneve dhe dëmshpërblimeve për dëmet e luftës (LIIB) nga Republika Federale e Gjermanisë.

Më në fund, vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet RPSH-së dhe RFGJ-së përkoi pothuajse njëkohësisht me ndryshimet në Evropën Lindore dhe rënien e Murit të Berlinit. Deri në vitin 1987, Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë dhe një prej shumë pak shteteve në botë, me të cilat Republika Federale e Gjermanisë nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Bisedimet që zgjatën për disa vjet me radhë u kurorëzuan me nënshkrimin e Marrëveshjes për Lidhjen e Marrëdhënieve Diplomatike në shtator 1987 në Tiranë.

Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha në prill të vitit 1985, regjimi nisi të zbuste disa nga dogmat dhe udhëzimet e përcaktuara prej tij. Ajo që kishte filluar me bisedime dypalëshe më 27 prill 1984 – kur Enver Hoxha ishte akoma gjallë, u përfundua në vjeshtën e 1987-s: Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (ky ka qenë emri zyrtar i shtetit në atë kohë), dhe Republika Federale e Gjermanisë vendosën marrëdhëniet në nivelin më të lartë shtetëror. Një ngjarje epokale në këtë pjesë të rrugës ishte vizita gjashtëorëshe e ministrit të Jashtëm, Hans Dietrich Genscher, në Tiranë më 23 tetor 1987. Nisma e parë për negociata me Bonin Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik në dhjetor 1961 dhe më pas edhe me Kinën në vitet ‘70, regjimi i Enver Hoxhës i mbetur përfundimisht pa aleatë të jashtëm socialistë, i shtoi përpjekjet për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë. Edhe RFGJ-ja, ndërkohë, kishte braktisur “Doktrinën Hallstein” dhe njëkohësisht po forconte Ostpolitikën, e cila fillimisht lindi si një nevojë e komunikimit midis dy pjesëve të kombit gjerman i ndarë në dy shtete dhe afrimi me vendet Evropës Lindore.

Por, Shqipëria komuniste, me politikën e saj të jashtme tradicionale të izolimit dhe të ideologjizimit të skajshëm, nuk i “lexoi” saktë synimet e Ostopolitikës gjermane, e cila përmbante këto elemente: Një politikë në drejtim të shteteve të Evropës Lindore; Një politikë shtensionimi të Republikës Federale të Gjermanisë në drejtim të Bashkimit Sovjetik dhe të shteteve aleate të tij në Evropën Lindore dhe Qendrore. Ostpolitika gjermane, e cila mori dimensione dhe intensitet të ri pas zgjedhjeve parlamentare në RFGJ, në shtator 1969, jo vetëm që kulmoi me nënshkrimin e “Traktatit mbi bazat e marrëdhënieve midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane” dhe përmbylljen e serisë traktateve bazë e me vendet e Evropës Lindore, përkatësisht vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet RFGJ-së dhe vendeve socialiste si Rumania, Hungaria, Çekosllovakia, Jugosllavia, Kina e etj., por në shtator të vitit 1973, RFJ-ja dhe RDGJ-ja u pranuan njëkohësisht anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

I vetmi vend komunist në Evropën Lindore që nuk e kuptoi ose nuk deshi ta kuptonte shansin e ofruar nga Ostpolitika e kancelarit Willi Brandt, ishte Shqipëria komuniste, e cila edhe për shkak të ekscentrizmit të udhëheqësve të saj u injorua, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Në këtë periudhë Qeveria shqiptare nuk ndërmori asnjë iniciativë për të vendosur një komunikim diplomatik me Bonin, qoftë për të trajtuar çështjen e reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore apo për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Madje, misionet diplomatike shqiptare u instruktuan që të mos tregonin asnjë interes për përçapjet gjermano-perëndimore për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin shqiptar. Regjimi i Hoxhës nuk e ndoqi as shembullin e aleatit më të madh të kohës, Kinës, e cila në tetor 1972 vendosi marrëdhënie diplomatike me RFGJ-në. Hoxha u tregua indiferent edhe ndaj interesimit të kancelarit Brandt për të gjetur mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Vonesa e pajustifikueshme shqiptare do të provohej të kompensohej në vitet 1980, por kjo ishte e pamundur.

Për shkak të dinamikës së ngjarjeve në dy shtetet gjermane pas rënies së Murit të Berlinit dhe ndryshimeve në Evropën Lindore, Shqipëria nuk arriti të realizonte asnjë nga objektivat e saj, mbi të gjitha nuk arriti të përfitonte ekonomikisht sikurse ishte rasti me Jugosllavinë dhe Poloninë, të cilat kishin përfituar në momentin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, përkatësisht në kohën kur industria gjermane kishte interesa. Por, tani kjo nuk mund të ndodhte dhe pala gjermane e kishte bërë shumë të qartë se po të kishin vendosur marrëdhënie me Shqipërinë në kohën kur këtë e kishin bërë me vendet e Lindjes, tani nuk do të ishte e nevojshme të flitej për hapa të vegjël. Për dallim nga vendet tjera, shteti shqiptar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me RFGJ-në e kushtëzonte me zgjidhjen paraprake të çështjes së reparacioneve të luftës.

Shqipëria kërkonte dy miliardë dollarë nga RFGJ-ja për dëmet e shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore, ndërkohë që ish-Bashkimi Sovjetik ishte shprehur i kënaqur me 13 miliardë dollarë. Në këtë mënyrë, kjo çështje e reparacioneve dhe dëmshpërblimeve për dëmet e luftës, për më shumë se një dekadë u bë pengesa kryesore për lidhjen e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Madje, si asnjë vend tjetër i Lindjes dhe Perëndimit, shteti shqiptar në sesionin e 28-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 28 shtator 1973, e paraqiti çështjen e dëmshpërblimeve të luftës. Ministri i Jashtëm shqiptar, Nesti Nase, i cili edhe vetë do të pësonte nga regjimi që po e përfaqësonte dhe në vitin 1982 u dënua si puçist, deklaroi se populli shqiptar kishte të drejtën e pamohueshme që të “kërkojë riparimin e dëmeve të shkaktuara nga Gjermania “gjatë Luftës së Dytë Botërore, “si dhe humbjet e shkaktuara si rrjedhim i mosdhënies në kohë të këtyre dëmshpërblimeve”.

Qeveria shqiptare parashtroi zyrtarisht llogaritjet e saj për dëmet e shkaktuara nga pala gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, që, sipas saj, arrinin shumën prej 2.006.500.000 dollarësh amerikanë, sipas kursit të vitit 1938. Qeveria shqiptare për herë të parë përmes një memorandumi iu drejtua Qeverisë gjermane të kancelarit socialdemokrat Helmut Schmidt, të cilin me datën 1 korrik 1975 ambasadori shqiptar në Beograd, Dhimitër Lamani, ia dorëzoi homologut të tij gjerman, Jesco von Puttkamer. Në fakt, ky memorandum i Qeverisë shqiptare ishte hartuar më 28 qershor 1975 dhe përfshinte kërkesën financiare në vlerën e 4,5 miliardë dollarëve amerikanë.

Në këtë mënyrë Tirana zyrtare kërkonte që RFGJ-ja të shlyente plotësisht në favor të Shqipërisë të gjitha dëmshpërblimet për dëmet e konsiderueshme që ajo kishte pësuar gjatë pushtimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore. Qeveria shqiptare i dorëzoi palës gjermane edhe një aneks me një listë me llogaritjen e dëmeve, sipas sektorëve të veçantë të ekonomisë shqiptare.

“Qeveria shqiptare pret një përgjigje” Ambasadori Puttkamer e pranoi dokumentin shqiptar pa koment dhe ia përcolli Referatit 214 të Ministrisë së Jashtme Federale në Bon me udhëzimin: “Qeveria shqiptare pret një përgjigje”. Në Referatin 514 dhënia e përgjigjes ndaj atij memorandumi nuk u konsiderua e nevojshme nisur nga situata e atëhershme ligjore.

Por, pala gjermane për shumë kohë evitoi diskutimet për këtë dokument të palës shqiptare, nuk kthente përgjigje, gjë kjo që shkaktoi nervozë në Tiranë. Vetëm pas insistimit të palës shqiptare në tetor 1975 Qeveria e RFGJ-së ktheu përgjigje zyrtare përmes një note të ambasadës së saj dorëzuar Ambasadës shqiptare në Beograd.

Për këtë çështje, Referati 214 i kërkonte referatit 514 përgatitjen e një përgjigjeje, të cilën zëvendësambasadori gjerman, Hansjörg Eiff, ia dorëzoi me 27 tetor 1975 me anë të një note verbale zëvendësambasadorit shqiptar në Beograd, Mihali, në përfaqësinë diplomatike shqiptare. Këtu citohej fjalia e shkëputur prej Traktatit të Londrës duke shtuar edhe shënime: “Së këtejmi rezulton se pretendimet për reperacione nuk do të pranohen derisa të lidhet Marrëveshja e Paqes me Gjermaninë”. Nota, pos që ishte e shkurtër, ajo konsideronte se kërkesa e Qeverisë shqiptare për dëmshpërblime i drejtohej Rajhut gjerman dhe jo RFGJ-së.

Kundërshtimi i memorandumit shqiptar u mbështet në klauzolat e marrëveshjes mbi borxhet gjermane të përfunduara më 27 shkurt 1975 në Londër ndërmjet Qeverisë së RFGJ-së dhe qeverive të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës e një numri qeverish të tjera. Natyrisht, kjo përgjigje e shkurtër, vetëm një faqe, në Tiranë u konsiderua “arrogante dhe e paqëndrueshme si dhe mungesë dëshire për ta trajtuar seriozisht kërkesën shqiptare. Pas kësaj, diplomati shqiptar, Mihaili, i dorëzoi Eiffit në notën e radhës më 7 janar 1976 me përsëritjen e kërkesës dhe shënimin, që Shqipëria nuk ishte palë nënshkruese e Traktatit të Londrës.

Më tej, në shkresën diplomatike të Qeverisë shqiptare theksohej se RFGJ-ja mbante përgjegjësi të plotë “për likuidimin e pasojave të krimeve të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore nga pushtuesit gjermanë” dhe se referencat ndaj marrëveshjes së Lodrës nuk kishin të bënin me Shqipërinë. Dhe, Eiff i deklaroi Mihailit se Traktati i Londrës nuk ishte detyrues për Shqipërinë, por për Gjermaninë. Pas notës së datës 7 janar 1976 nuk vijoi asnjë përgjigje.

Meqë Qeveria shqiptare vazhdonte të insistonte në të drejtën e saj për dëmshpërblime, pala gjermane preferoi të mos vazhdonte komunikimin zyrtar, por përmes kanaleve jozyrtare në shtator 1976 i bëri të ditur Qeverisë shqiptare se problemi i dëmshpërblimeve nuk mund të shqyrtohej i shkëputur nga kompleksi i problemeve të tjera që do të zgjidheshin përmes përfundimit të Traktatit të Paqes. Veç kësaj, Qeveria gjermane e konsideronte tepër të lartë shumën e dëmshpërblimeve të kërkuara nga Shqipëria.

Për më tepër, në Bon konsiderohej e papranueshme që bisedimet shqiptaro-gjermane të përqendroheshin vetëm për dëmshpërblimet dhe propozuan që fillimisht të bëhej normalizimi i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, e pastaj mund të diskutoheshin çështjet e mbetura pezull nga Lufta e Dytë Botërore.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …