Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i drejtuar nga ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, u shoqërua me përçarje dhe shkëmbime akuzash, lidhur me sulmin e Rusisë kundër Ukrainës. Rusia mban presidencën e radhës të këshillit 15 anëtarësh në këtë muaj. Para se të hynin në takim për të diskutuar temën e zgjedhur të Moskës për “multilateralizmin efektiv përmes mbrojtjes së parimeve të Kartës së OKB-së”, vendet perëndimore denoncuan luftën e Kremlinit ndaj Ukrainës dhe hipokrizinë e Lavrovit në zgjedhjen e temës së takimit. “Duke organizuar këtë debat, Rusia po përpiqet ta portretizojë veten si një mbrojtëse e Kartës së OKB-së tha ambasadori i Bashkimit Evropian Olaf Skoog, i mbështetur nga të dërguarit e 27 vendeve të BE-së. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta. Të gjithë e dimë se ndërsa Rusia po shkatërron, ne po ndërtojmë. Ndërsa ata po e shkelin, ne po e mbrojmë. Karta e OKB-së, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Gjykata Penale Ndërkombëtare ngado që shikoni, Rusia është duke bërë shkelje”, shtoi Olaf Skoog.
