Tema të tjera...
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ashpërsuar tonet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e quajtur atë “dhëndër të Serbisë” gjatë një debati të zjarrtë në Kuvendin e Shqipërisë, ku tema kryesore ishte Kosova. Balla akuzoi Berishën për qëndrime antikombëtare dhe për sulme të përsëritura ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë. “Si ka mundësi që gjithmonë je përfshirë në sulme personale të ulëta kundër komandantit dhe Presidentit Thaçi? Si ka mundësi që nuk e ke nxjerrë kurrë nga goja një fjalë për komandantët që mbahen peng në Hagë?”, deklaroi Balla. Duke ndarë një përvojë personale, ai tha se në ndeshjen Serbi–Shqipëri në Leskovc, tifozët serbë e përdornin emrin e Berishës si sharje ndaj shqiptarëve.
“Kur donin të na shanin, na thërrisnin ‘Sali Berisha, Sali Berisha’. Një gazetar që ishte pranë meje ia tregoi dhe i thotë, ‘mor Doktor, çfarë kanë këta që thërrasin emrin tënd?’. E thërrasin se Saliu është dhëndri i mirë i Serbisë, i ka shërbyer mirë sa herë ka pasur mundësi,” tha Balla. Këto deklarata ndezën tensionin në sallë, duke reflektuar përplasjen e thellë politike mes mazhorancës dhe opozitës për raportet me Kosovën dhe qëndrimet ndaj UÇK-së.