Ndjekja e krimeve të luftës vazhdon të has pengesa përderisa Serbia ua mundëson atyre shmangien nga drejtësia

Të pagjeturit: Kërkohet presion më i madh ndërkombëtar ndaj Serbisë për hapjen e arkivave

Serbia vazhdon edhe më tej të fshehë krimet e luftës të kryera në Kosovë, duke shkelur marrëveshjen e arritur në Bruksel për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, vlerësojnë përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje. Edhe pas gati tri dekadash nga përfundimi i luftës, rreth 1 mijë e 600 shqiptarë figurojnë ende të zhdukur. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme që faktori ndërkombëtar të ushtrojë trysni konkrete ndaj Serbisë për hapjen e arkivave shtetërore, përfshirë ato policore, ushtarake dhe të inteligjencës, këto kërkesa shpesh janë lënë në hije nga zhvillimet politike dhe mungesa e vëmendjes së mjaftueshme ndërkombëtare. Organizatat që merren me fatin e të zhdukurve theksojnë se një numër i madh i personave të zhdukur dyshohet se ndodhen në varreza masive në territorin e Serbisë, ndërsa Beogradi zyrtar vazhdon të mohojë përgjegjësinë dhe të pengojë zbardhjen e së vërtetës. “Kjo është përgjegjësi e Serbisë që çdo gjë ta qesë në letër dhe ta definojë. Sikur rasti i vëllezërve Bytyqi – pa një trysni të madhe të bashkësisë ndërkombëtare ata kurrë nuk do të ishin gjetur. Vetëm kur u përfshinë amerikanët, për 30 ditë u gjetën vëllezërit Bytyqi”, ka deklaruar Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës në Kosovë. Ndërkohë, ka sugjerime që Bashkimi Evropian të përdorë masa sanksionuese ndaj palëve që e zvarrisin këtë proces dhe që nuk e zbatojnë deklaratën për personat e zhdukur, marrëveshje kjo e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2023.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka shkruar letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka shkruar letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin …