Tefik Vehbi Zymberi (21.12.1960 - 15.4.1999)

Tefik Vehbi Zymberi (21.12.1960 – 15.4.1999)

Tefik Zymberi lindi më 21 dhjetor të vitit 1960 në fshatin Verbicë e Zhegocit. Ai ishte fëmija i katërt i prindërve të tij, Vebiut dhe Hanifes. Vëllezërit Mustafa e Bajrami dhe motra Zyria, ishin më të mëdhenj se Tefiku.
Babai i Tefikut kishte punuar si minator në minierën e Kishnicës. Tefiku e kreu shkollën fillore në fshatin e lindjes, në vitin 1967. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm dhe dallohej për zgjuarsi. Pasi kreu shkollën fillore, u regjistrua në gjimnazin “z. Hajdini” në Gjilan, në drejtimin gjuhësor. Gjatë shkollimit, në pamundësi që të paguante qira, ai kishte banuar te e motra në fshatin Bresalc, prej nga udhëtonte për në Gjilan. Edhe në shkollën e mesme ishte nxënës i dalluar. Edhe pse me pagë minatori, babai i Tefikut, Vebiu, i cili ishte dashamirës i flaktë i arsimit, ia mundësoi vazhdimin e shkollimit. Në vitin 1979 u regjistrua në Degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës.
Gjatë studimeve, Tefiku angazhohet për organizimin e vizitave të grupeve të studentëve në Republikën e Shqipërisë. Lidhjet e viseve të atdheut të tij ishin bërë ëndërr e përhershme. Me rastin e një vizite në Republikën e Shqipërisë, Tefiku i kishte kaluar këmbë .kufirin me Maqedoninë e atë me Kosovën, duke bartur literaturë të ndaluar.
Pas shpërthimit të demonstratave të pranverës së vitit 1981, Tefiku ndodhej kudo në mesin e demonstruesve. Në atë kohë, banesa e tij në periferi të Prishtinës ishte bërë çerdhe e shokëve të tij studentë, prandaj ajo kishte rënë në sytë e policisë. Më 11 mars të vitit 1982, në përvjetorin e parë të demonstratave të ’81-ës, Tefiku, së bashku me vëlla Bajramin e me disa shokë të tjerë, u arrestua dhe u dërgua në burgun e Ferizajt, prej nga e dërguan në burgun e Smrekovnicës për të vuajtur dënimin për kundërvajtje.
Gjatë qëndrimit në burgun hetues të Ferizajt, ai kishte pasur rast të qëndronte në të njëjtën dhomë edhe me të riun Afrim Abazi, i cili pas një kohe u mbyt në torturë policore. Tefiku, krahas studimeve, fillon të merret më aktivisht me veprimtari atdhetare. Shkruante parulla kundër pushtuesit serb, shpërndante material propagandues, ndihmonte shokët në organizimin e përvjetorëve të demonstratave të vitit 1981 dhe madhëronte frymën e lirisë. Ai ishte i qetë, i urtë, tepër i sinqertë dhe i drejtë, por kur shihte padrejtësitë, shpërthente si vullkan.
Familja e Tefikut ishte në gjendje të vështirë ekonomike. Për shkak të kësaj rrethane, ishte detyruar të mërgojë fillimisht në Slloveni, e më vonë ai kishte shkuar në Zvicër ku kishte gjetur punë. Mirëpo, as atje shpirti i tij kryengritës nuk gjeti qetësi derisa e la punën dhe u kthye në Kosovë për ta ndihmuar me tërë qenien e tij çështjen kombëtare. Në këtë kohë bie në kontakt me grupet e organizuara atdhetare në Kosovë. Në vitin 1988 ishte bërë anëtar i LPK-së (atëherë LPRK). Më vonë bëhet udhëheqës i njërës prej celulave të LPK-së në qytetin e Gjilanit. Në vitin 1987 Tefiku shkon në shërbimin ushtarak të ushtrisë jugosllave në Nish. Atje, si shumë të rinj të tjerë shqiptarë, edhe Tefiku ishte maltretuar vazhdimisht nga eprorët serbë, si rezultat i disponimit antishqiptar që po mbretëronte në radhët e kësaj ushtrie.
Edhe pse ndërkohë e kishte kryer fakultetin, Tefiku nuk arriti të zërë punë, vite me radhë. Vetëm në periudhën e viteve 1990-1995 punoi mësues në fshatin e lindjes dhe në shkollën fillore “Vatra e diturisë” të fshatit Pasjan të Gjilanit. Trimëria dhe guximi i tij shihej kudo.
Tefiku merrej edhe me shkrime, me publicistikë, me arkeologji, me pikturë etj. Me iniciativën e tij, më 1992 doli gazeta “Vatra”. Ai ishte kryeredaktor i kësaj gazete. Për shkak të përmbajtjes së saj, pas botimit të disa numrave, Tefiku dhe anëtarët e tjerë të redaksisë u arrestuan disa herë nga policia serbe, me ç’rast u maltretua rëndë, kurse botimi i gazetës u ndërpre.
Me daljen në skenë të UÇK-së, sidomos pas formimit të Shtabit të ZOK-ut, Tefiku iu përkushtua me tërë qenien luftës së armatosur për çlirimin e atdheut. Së bashku me bashkëshorten Hanumshahe, ishte caktuar në Sektorin e Shërbimit të Informimit, ku kreu të gjitha detyrat e ngarkuara. Shtëpia e tyre ishte bërë bazë e fortë e UÇK-së. Tefiku koordinonte aktivitetin në mes trevave të ZO K-ut, Malësisë së Marecit, Zhegocit dhe të zonave kufitare. Pak ditë para ofensivës serbe në këtë zonë, në prill të vitit 1999, Tefiku ishte ngarkuar nga Shtabi i Zonës me detyra të caktuara, të cilat duhej t’i kryente në Gjilan.
Në mëngjesin e 15 prillit 1999, mbi pozicionet e UÇK-së në Malësinë e Zhegocit kishte filluar një ofensivë e ashpër. Tefiku, me dy kushërinjtë e tij, ishte nisur në detyrë. Në vendin e quajtur Hanet ai me bashkëshorten Hanumshahe dhe bashkëluftëtarët e tij kishin rënë në pritë të kriminelëve serbë. Pas rënies, armiku i ka varrosur trupat e tyre në një varr të përbashkët.
Tefiku pas luftës është shpallur dëshmor. Ndërsa më 17 shtator të vitit 1999, trupi i tij është rivarrosur, së bashku me dëshmorët e tjerë, në Kodrën e Dëshmorëve, në Gjilan. Tefiku dhe Hanumshahja kanë lënë Diellën dhe Atdheun, për ta gëzuar lirinë e fituar me gjakun e prindërve e të mijëra dëshmorëve të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 - 28.4.1999)

Jahë Tahir Hasani (1.12.1971 – 28.4.1999)

Në një familje malësore bujare në Bederianë (ish-Bërvenik) të Orllanit, që nuk u gjunjëzua kurrë …