Thirrje për Protestën Kombëtare “Unë jam UÇK!” më 17 tetor në Tiranë: Bashkim për të vërtetën historike dhe drejtësinë ndaj luftës çlirimtare

Shoqata “Tirana”, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, bashkësi shoqatash jopolitike, si dhe drejtues të universiteteve publike e private të vendit, ka bërë sërish thirrje për pjesëmarrje masive në Protestën Kombëtare të 17 tetorit, që do të zhvillohet në orën 17:00, në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në deklaratën e përbashkët, organizatorët theksojnë se protesta, me moton “Unë jam UÇK!”, synon të jetë një manifestim mbarëkombëtar i unitetit shqiptar dhe një thirrje për drejtësi ndërkombëtare, në mbrojtje të Luftës së Drejtë Çlirimtare të Kosovës. “Kjo protestë vjen në mbrojtje të së vërtetës historike dhe të së drejtës së patjetërsueshme të popullit shqiptar të Kosovës për liri. Është momenti të tregojmë se jemi bashkë, se nuk harrojmë, dhe se nuk lejojmë të nëpërkëmbet historia jonë kombëtare,” thuhet në deklaratë. Organizatorët theksojnë se protesta do të jetë edhe një akt solidariteti me udhëheqësit e UÇK-së – ish-Presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerë – të cilët, sipas tyre, po mbahen padrejtësisht në burg nga Tribunali i Hagës. Pikat kryesore të protestës përfshijnë:

  • Kundërshtimin e padrejtësive ndaj udhëheqësve të luftës çlirimtare;
  • Nderimin e dëshmorëve dhe heronjve të UÇK-së;
  • Mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës për liri.

Në fund të deklaratës, u bëhet thirrje studentëve, pedagogëve, intelektualëve dhe gjithë qytetarëve shqiptarë në trojet dhe diasporë, që të marrin pjesë në këtë protestë madhore si shprehje e ndërgjegjes dhe unitetit kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Elisa Spiropali: Liria nuk është e plotë me çlirimtarët në pranga — më 17 tetor zemra e shqiptarëve do të rrahë për UÇK-në

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar në prag të protestës …