Brickos

Tomor Voda: Dëmi që ka shkaktuar qëndrimi i gjatë i Janullatos në krye të KOASH është i pa riparueshëm

Tomor Voda: Dëmi që ka shkaktuar qëndrimi i gjatë i Janullatosit në krye të Kishës ortodokse është i pa riparueshëm

Me çfarë kuraje, civile, qytetare, religjioze Greqia insiston që ushtarët e vrarë në luftë të varrosen jashtë trojeve të vendit ame, larg familjeve të tyre? Pse qeveritarët shqiptarë lejojnë të “mbillet” jugu i Shqipërisë me varrezat e ushtarëve grekë, të vrarë gjatë një lufte në kalim në trojet shqiptare (jo më shumë se 1- 3 orë  larg vendlindjes dhe shtetit amë). Përse nuk shikojmë veprimet e ndërsjella edhe për trojet, shtëpitë e varret e Çamërisë që janë tjetërsuar e zhdukur. Pse  Shqipëria trajtohej nga qarqet antishqiptare e shoviniste si një dele e zezë në mes të Evropës si edhe Bosnja e Kosova  duke i lenë dorën e lirë Millosheviçit. Por, dëmi që ka shkaktuar kohë qëndrimi i gjatë i Janullatos në krye të KOASH është i pa riparueshëm. Duke i vënë në balancë, ai  duhej të ishte përcjellë me kohë. Ata që janë fshehur mbrapa këtij problemi, janë treguar djallëzorë, me një prapavijë të rrezikshme për zhvillime të nëndheshme ku duan të ecin qarqe të caktuara antishqiptare.

Vendosja e një kleriku grek në krye të KOASH, ka dëmtuar ecurinë e besimit ortodoks, ka penguar ndryshimin e raporteve fetare në Shqipëri. Pra, ka penguar kthimin dhe ecjen e Shqipërisë drejt identitetit fetar të origjinës.

Fillimisht, (mbas vitit 1990) ndihma e klerikëve fetarë të ardhur nga jashtë për ringritjen dhe ecurinë e besimeve fetare të ndaluara gjatë regjimit komunist ka qenë deri diku e nevojshme. Nëse në ato fillime, në krye të KOASH do të ishte vendosur  një shqiptar, ose i çdo kombësie tjetër (me përjashtim grek dhe serb), sot, në tërësi do të kishim një gjendje e gjeografi tjetër për besimet fetare, në veçanti atë ortodoks.

Në ato vite, e gjithë Rinia deri 30 vjeç, s’kishte njohuri mbi besimet fetare dhe ishte e pa indoktrinuar prej tyre. Megjithatë, nga fundi viteve 80, tek të rinjtë sa vinte e po përhapej moda e vendosjes në qafë e kryqeve, e byzylykëve dhe tatuazheve në krah e gjoks me shenjën e kryqit. Po kështu, i gjithë brezi mbi 30 deri 60 vjeç, ishte gati tru-shpëlarë nga besimi fetar tradicional. Mosha mbi 60 vjeç, gati kishte humbur ndjesinë tradicionale fetare, sidomos pjesa intelektuale. Pak a shumë një farë ndjeshmërie ishte ruajtur tek pjesa rurale, në veçanti e Shqipërisë se Mesme e besimit mysliman, ajo katolike në zonat veriore, ajo ortodokse në jug. Me apo pa dashje, regjimi komunist kish parapërgatitur një Shqipëri të gatshme për të kaluar në besimin e origjinës (mbas viteve 1990).

Në atë kohë, mbi 80 % e popullatës ëndërronte të shkojmë drejt Evropës. Me pak nxitje, kontroll e punë të kujdesshme, (larg agresivitetit shkatërrues, rrënues, mohues), jo vetëm rinia, shumica e popullatës do të ishin orientuar në mënyrë të lirë drejt besimit ortodoks dhe katolik. Sot, Shqipëria do të ishte drejt kufijve të identitetit fetar të kahershëm. Shqipëria nuk do të trajtohej nga qarqet antishqiptare e shoviniste si një dele e zezë në mes të Evropës si edhe Bosnja e Kosova  duke i lenë dorën e lirë Millosheviçit.

Ja  pra, përse nuk duhet të kish ardhur në krye të KOASH një klerik grek ose serb, (nuk jam antigrek e serb, por e kërkonte e mira e punës, fryma që ishte futur deri atëherë). Tani, mbas gati 3 dekadash, ku  ndjesitë nacional –shoviniste diku kanë ndryshuar, diku kamufluar, apo fshehur, në rrethanat aktuale vendimi i Presidentit Meta për dhënien e shtetësisë mund të duket i drejtë.

Por, dëmi që ka shkaktuar kohë qëndrimi i gjatë i Janullatos në krye të KOASH është gati i pa riparueshëm. Duke i vënë në balancë, ai  duhej të ishte përcjellë me kohë. Ata që janë fshehur mbrapa këtij problemi, janë treguar djallëzorë, me një prapavijë të rrezikshme për zhvillime të nëndheshme ku duan të ecin qarqe të caktuara antishqiptare.

Qeveritë greke, klerikët grekë, para se të kërkonin lëshime nga Shqipëria, ose dhe tani para se të kërkojnë të marrin nderimet e shtetësisë duhet të kërkojnë falje:

1- Për krimet që janë bërë në Jug të Shqipërisë  gjatë fund-sundimit otoman e më vonë,  duke qenë shpesh nxitës e organizatorë të drejtpërdrejtë të tyre.

2 – Për vrasjet e patriotëve që kërkonin mësimin e gjuhës shqipe, mëvetësinë, shkëputjen nga perandoria otomane dhe ndikimit  sllavo-grek.

3- Për krimet, djegiet, shkatërrimet e pa para, gjate Luftës së Parë Botërore në krahinat në Jug të Shqipërisë,  (Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Skrapar, Kolonjë e Korcë etj. në veçanti ato me besim bektashi).

4 – Për organizimin dhe nxitjen e andartëve, koshadheve, bandave kriminale për terror e diversion, të dërguara edhe gjatë regjimit komunist,  e deri në mes të viteve ‘90.

 

5-Për krimet dhe barbarinë ndaj popullatës çame, një pjesë e madhe pleq, gra e fëmijë, për grabitjet dhe tjetërsimin e pronave, mohimin e kthimit tyre tek eshtrat e të parëve.

Rasti i Papa Stathit nga Melani në kishën e Përmetit është shume domethënës. Ai tregon hapur dorën dhe qëndrimin anti-shqiptar të kishës greke (mbrapa saj qëndron pse jo edhe Janullatos). Ishte rasti më i mirë që klerikët grekë, të kishin treguar shenjën e ndjesitë, ndaj asaj figure fetare dhe patriote.

Kur kjo kisha e Përmetit, nuk i plotëson dëshirat e besimtareve, për të respektuar një figurë fetare e vrarë pabesisht, e varrosur në trojet e veta, në shtëpinë e vet (Përmet), çfarë pritet nesër nga këta lloj klerikësh.

 

Me çfarë kuraje, civile, qytetare, religjioze Greqia insiston që ushtarët e vrarë në luftë të varrosen jashtë trojeve të vendit ame, larg familjeve të tyre? Po qeveritarët shqiptarë pse lejojnë të “mbillet” jugu i Shqipërisë me varrezat e ushtarëve grekë, të vrarë gjatë një lufte në kalim në trojet shqiptare (jo më shumë se 1- 3 orë  larg vendlindjes dhe shtetit amë). Përse nuk shikojmë veprimet e ndërsjellta edhe për trojet, shtëpitë e varret e Çamërisë që janë tjetërsuar e zhdukur.

Drejtuesit e qeverisë shqiptare dhe ata lokale në Jug, nëse nuk janë akoma në rolin e “kalit të Trojës”,  nuk duhet të mendojnë për varrezat e ushtarëve grekë. Vendi i tyre është në Greqi. Ç’do lëshim sot, nxit shovinizëm. Çdo miratim varrezash sot, do konsideruar si krim shtetëror. Nesër, kthehen në vatra e objekte  provokacioni e zjarri. Do të kërkojë gjakun e brezave të ardhshëm.

Greqisë t’i kërkohet të fshijë nga librat e historisë dhe të muzeve të saj, çdo gjë që nxit urrejtjen, pretendimet shoviniste ndaj trojeve Shqiptare. Vendosja e varrezave në trojet shqiptare, do të kërkojë që pala shqiptare si kundërpeshë të ngrejë kudo në krah të tyre monumente dhe pllakate përkujtimore, ku të dëshmohen krimet, barbaritë e forcave ushtarake e të bandave kriminale greke në trojet shqiptare.

E njëjta gjë, do të kërkohet të pasqyrohet edhe në  trojet e Çamërisë. Ato do të diktojnë rishikimin e arkivave dhe dokumenteve, pasurimin e stendave të muzeve në funksion të kësaj  propagande, etj. Kështu, në vend të shkojmë para, do kthehemi prapa. Veprime të tilla, nuk janë në interes të dy vendeve tona dhe të frymës që pretendojmë për të ardhmen. Nëse mendojmë seriozisht miqësimin e brezave varrezat duhet të jenë në Greqi.

Ndërsa për varrezat e ushtarëve grekë që janë bërë fakt në Grykën e Këlcyrës, shteti shqiptar, duke koordinuar punën me të bijën e Ali Bej Këlcyrës, Sarajet e bejlerëve të Këlcyrës le të shpallen “Monument Kulture” për periudhën feudale. Të restaurohen e kthehen në një objekt  historiko-turistik kompleks. Aty të pasqyrohet edhe historia e kultura e të gjithë bejlerëve të Jugut.

Me sa di, ato saraje janë djegur e shkatërruar nga ushtria greke gjatë Luftës së Parë Botërore. Pra u takon që të kthehen edhe në një muze për Luftën e Parë Botërore në atë zonë, ku të dëshmohet edhe mbi krimet dhe barbaritë greke në gjithë jugun e Shqipërisë. Ndërkohë,  një pavijon i posaçëm të pasqyrojë të gjithë luftën italo-greke  në trojet tona, betejën italo-greke në grykën e Këlcyrës, disfatën e regjimentit të famshëm “Lupo di Toskana” të Italisë fashiste.

Gjithashtu, një pavijon të jetë për aktivitetin luftarak të forcave shqiptare partizane e balliste kundër okupatorit nazi-fashist në atë zonë e më gjerë (p.sh beteja e Mezhgoranit, etj). Në këtë kuadër, mund të justifikohet aty edhe vendosja e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke. Në këtë mënyrë, ia vlen që ato varreza të nderohen e respektohen edhe nga pala shqiptare, mbasi, Italia fashiste ka qenë pushtues dhe armik i përbashkët i të dy vendeve tona. Kështu, edhe ligji i Luftës që ka Greqia ndaj Shqipërisë, ka qenë e mbetet ligj absurd dhe qesharak, i vendosur dhe përdorur për shantazh e presion ndaj qeverive shqiptare. Vetëm  kështu, mund të mendohet për varrezat greke në Shqipëri. Grekët duhet të mjaftohen vetëm me varrezat në Grykën e Këlcyrës, dhe asgjëkund tjetër.

Gryka e Këlcyrës duhet rishikuar që të kthehet në një  kompleks historiko-turistik. Por edhe një vend pushimi, argëtimi, alpinizmi, gjuetie, vozitje (kanotazhi) etj.

Në shpatin lindor të Trebeshinës, mbi Sarajet e Bejlerëve, në lartësinë rreth 1000 metra, ndodhen rrënojat e një kalaje ilire. Studiuesi Kujtim Mateli mendon se i përket periudhës me vendndodhje të “Dodonës”.   Restaurimi dhe pozicioni sundues mbi Grykën e Këlcyrës  mund ta kthejnë atë edhe në një pikë turistike  dhe çlodhëse.

Kompleksi i Grykës së Këlcyrës del më i plotë, nëse përshkohet tej e tej nga një Teleferik, me pikënisje  Sarajet e bejlerëve Këlcyrë – Kalaja Ilire – Tepelenë- Hormovë e më tej. Ndërsa, drejtimi tjetër të vijojë nga Tepelena, krahina e Labërisë deri në bregdet. Të projektohet e të lidhet me vendet historike siç është Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, pika e Ujit të Ftohtë pranë Urës së Leklit.

Pa lënë mënjanë pasqyrimin e  historisë  tragjike dhe të qëndresës heroike të fshatit Hormovë dhe të Rrëzës së Golikut,  në veçanti barbaritë e ushtrisë Greke 1914.  Gjithashtu, përgjatë Grykës Këlcyrës, në drejtim të përrenjve të ndërtohen mini – pishina dhe rezervuare e ujëmbledhës për peshkim e gjueti sezonale, e të tjera ide. Por, nëse këmbëngulet që sëmundja e “varrezomanisë” të përhapet, atëherë të kushtëzohet që edhe varrezat e Këlcyrës, grekët t’i zhvendosin në Greqi.

Ka shumë të ngjarë, që prej qarqeve  neofashiste e shoviniste, brenda e jashtë  Greqisë, të priten gradualisht akte të tjera përshkallëzuese. Pritet që pas shqiptarizimit të Janullatosit, të fillojë fushata e heshtur e ngritjes së kishave me orientim grek në “fshatrat e braktisura  në jug të Shqipërisë”, ku hirësia Janollatus, sipas një interviste të kohëve të fundit, për këtë çështje “ishte shumë i shqetësuar”. Prapa kësaj, priten shumë gjëra. Vëreni me kujdes! Dhe, do të shikoni si do të zhvillohen (kombinohen) lojërat në të ardhmen jo shumë të largët. Se si do të “ndihmojë” kisha dhe qarqet e caktuara greke për “të zgjidhur” këto e të tjera “shqetësime” të nëndheshme (në inkubacion) që kanë  sidomos priftërinjtë për pjesën jugore të Shqipërisë.

Pavarësisht qeverisjeve  të mëparshme Fatos, Sali, qeverisja e Ramës të jetë edhe më e prerë, e në veprim. Të mënjanojë nacionalizmin e atleteve me vija e të potureve nëpër këmbë. Të punojë frontalisht për të ngritur me lart zhvillimin ekonomik, forcimin e ligjit, rendit e të mbrojtjes së vendit.

Paralel me perspektivën optimiste të besimit reciprok, ecin edhe variante “ëndrrash të këqija dhe komplekse”. Të shpresojmë se  pjesa më e shëndetshme e studiuesve, intelektualëve, politikaneve të të dy vendeve e ka të qartë drejtimin e rrugës nga vijmë dhe ku duhet të arrijmë. Qofsha unë i gabuar. Dhe ëndrrat e këqija, i marrtë era. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …