U përkujtuan 15 maturantët e Malishevës të cilët humbën jetën 20 vite më parë në Fushë Arrëz

Sot, në Komunën e Malishevës u zhvilluan aktivitete përkujtimore në nderim të 15 maturantëve të cilët humbën jetën tragjikisht 20 vite më parë në një aksident trafiku në Fushë Arrëz, Shqipëri. Këto ngjarje u organizuan nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

Aktivitetet nisën me një mbledhje përkujtimore të Kuvendit Komunal të Malishevës, ku Kastrati dhe kryesuesi i Kuvendit, Argjend Thaçi, mbajtën fjalime rasti. Ata përkujtuan maturantët e humbur dhe shprehën ngushëllime për familjarët, duke falënderuar gjithashtu shtetin shqiptar për ndihmën e dhënë në ditën e tragjedisë dhe në ditët në vijim.

Më pas, në vendin e ngjarjes në Fushë Arrëz, ku ndodhi aksidenti, u organizuan homazhe pranë memorialit të maturantëve, me pjesëmarrjen e familjarëve, ish-nxënësve dhe profesorëve, si dhe përfaqësuesve të Komunës së Malishevës dhe Bashkisë së Fushë Arrëzit, të kryesuar nga kryetarët Ekrem Kastrati dhe Hil Curri.

Ceremonitë përkujtimore vazhduan në “Lëndinën e Lotëve”, ku prehen të 15 maturantët. Nënkryetari i Komunës, Vesel Krasniqi, Drejtoresha e Arsimit, Arbëreshë Krasniqi dhe drejtorë tjerë të drejtorive dhe zyrtarë komunal, së bashku me stafin e Gjimnazit “Hamdi Berisha”, nxënës dhe qytetarë, bënë homazhe duke ndarë dhimbjen me familjet e të ndjerëve: Berat Suka, Esat Hajrullahu, Elgadaf Zabelaj, Mifail Morina, Rifat Hoxha, Xhevdet Sertolli, Visar Kafexholli, Agron Berisha, Ajet Rrahmanaj, Esat Rexha, Labinot Morina, Lulëzim Kastrati, Megëzon Sadiku, Rruhi Ulluri dhe Xhevdet Sahitaj.

Në këtë aksident tragjik, përveç viktimave, u lënduan edhe rreth 30 nxënës dhe profesorë të gjimnazit.

Kontrolloni gjithashtu

Latifi: Jemi të angazhuar që të punojmë së bashku për të vazhduar përkrahjen me bursa, duke e rritur numrin e tyre për të rinjtë tanë

Sot, në një takim të frytshëm, të sinqertë e krejt të hapur me të rinjtë …