U shënua dita e Qendrës së Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë

Shkolla e Mesme Profesionale – Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë, ka shënuar ditën e shkollës, me rastin e ditëlindjes së dëshmorit të kombit Kujtim Krasniqi, emrin e të cilit e mban kjo shkollë. Në shënimin e kësaj dite, mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtoresha e Agjencionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, Fikrije Zymberi. Fillimisht drejtori i Qendrës së Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë, Nazmi Zogaj, i ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin me Qendrën e Kompetencës, pasi falë këtij bashkëpunimi, kjo shkollë ka shënuar rezultate të mira, ndonëse është shkollë e re. Më pas, drejtori Zogaj foli për të arriturat dhe synimet e Qendrës së Kompetencës, për përgatitjen e kuadrove kompetente dhe profesionale. Po ashtu, drejtori Zogaj, foli edhe për dëshmorin e kombit Kujtim Krasniqi, emrin e të cilit me krenari e mban kjo qendër e kompetencës. Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, pasi i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e ditës së shkollës, i shpalosi edhe kujtimet e tij me dëshmorin Kujtim Krasniqim njohjen me Kujtimin dhe ditën e rënies, momente të cilat mbesim gjithmonë në kujtimet e tij nga njohja me Kujtimin. “Sot është ditë gëzimi dhe kujtimi për Kujtimin, dhe falë sakrificës së dëshmorëve, sot janë hapur rrugë dhe mundësi për dije dhe arsimin, prandaj ju bëj thirrje juve mësimdhënës, për rritje të cilësisë në mësimdhënie”, tha Begaj, i cili gjithashtu paraqiti para të pranishmëve edhe rrugëtimin e ndërtimit të kësaj vatre shkollore, me rëndësi të madhe për arsimin në Komunën e Malishevës. Më pas, për përpjekjet shtetërore në rritjen e arsimit profesional, foli edhe drejtoresha e Agjencionit për Arsim dhe Aftësim Profesional, Fikrije Zymberi, e cila edhe e vlerësoi lartë punën dhe të arriturat e Qendrës së Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, si një shkollë model në vend. Po ashtu në shënimin e ditës së shkollës, u lexua edhe biografia e dëshmorit të kombit Kujtim Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …