Ulutaş informon diplomaten amerikane Prattipati: SHBA, shtylla kryesore e sigurisë dhe stabilitetit në rajon

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneral major Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e misionit në Kampin Film City shefen e Misionit të Përkohshëm të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati. Takimi, sipas njoftimit zyrtar, u fokusua në vlerësimin e situatës së sigurisë në rajon dhe rolin kyç të SHBA-së në përpjekjet e përbashkëta me KFOR-in për stabilitet afatgjatë. Ulutaş ka informuar diplomaten amerikane për zhvillimet e fundit të sigurisë, duke theksuar angazhimin e pandërprerë të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai vlerësoi posaçërisht kontributin e gjatë dhe vendimtar të SHBA-së në kuadër të operacioneve të KFOR-it, duke e cilësuar atë si një shtyllë të rëndësishme të stabilitetit rajonal. KFOR rikujtoi se misioni vazhdon të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të mbrojtur si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes. Operacionet e KFOR-it kryhen në mënyrë të paanshme dhe në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. Takimi vlerësohet si një konfirmim i rolit të pakontestueshëm të Shteteve të Bashkuara në arkitekturën e sigurisë së Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Kontrolloni gjithashtu

Marta Kos takoi liderët e vendeve të Ballkanit në Tiranë

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, takoi liderët e vendeve të Ballkanit për …