Ish-ambasadori holandez, Robert Bosch thotë se skenat e dhunës, janë imazhe jo të mira për Kosovën

Robert Bosch: Kriza politike në Kosovë erdhi nga mungesa e kompromisit – interesat partiake u vendosën mbi shtetin

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke theksuar se bllokada institucionale është produkt i drejtpërdrejtë i mungesës së kompromisit mes partive politike. Në një deklaratë për Front Online, të cilën e përcjell Gazeta Metro, Bosch u shpreh se klasa politike kosovare ka dështuar t’i vendosë interesat e shtetit mbi ato partiake. Sipas tij, situata e krijuar, që kulmoi me pamundësinë për të zgjedhur kryeministrin në dy tentime radhazi, është shembulli më i qartë i kësaj qasjeje të ngushtë politike. “Mesazhi im ka qenë gjithmonë i njëjtë: bëni kompromis dhe vendosni interesin e vendit mbi interesin e partisë. Sidomos buxheti duhej të ishte miratuar,” theksoi Bosch, duke kritikuar mosveprimin e partive në një moment kyç për stabilitetin e institucioneve. Ngërçi politik në Kuvend, që u krijua pas mungesës së shumicës për zgjedhjen e kryeministrit, e detyroi presidenten e vendit të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja. Procesi i jashtëzakonshëm zgjedhor është caktuar për 28 dhjetor, duke i futur qytetarët edhe një herë në një cikël të ri votimesh brenda vitit.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …