Urimi i kryetarit Bahtiri për 7 Marsin-Ditën e Mësuesit

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ua ka uruar të gjithë mësimdhënësve të komunës 7 Marsin-Ditën e Mësuesit, ditë kjo e shënuar në historinë e popullit shqiptarë.

Duke u shprehur të jetë krenar për këto 130 vjet të ekzistimit të shkollës shqipe, kryetari Bahtiri thotë se Dita e Mësuesit është njëra ndër festat më të dashura për nxënësit, prindërit dhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë ata. Në vazhdim urimi i kryetarit Bahtiri

Të dashur mësimdhënës të komunës së Mitrovicës, Jam shumë i lumtur që kam rastin që si kryetar i Mitrovicës të ju uroj Festën e madhe-Ditën e Mësuesit, festë të cilën ju e shënoni me dashurinë më të madhe, duke na bërë njëkohësisht neve të gjithëve të jemi krenarë që ju kemi.

Ju shumë të nderuar e të respektuar mësimdhënës të komunës së Mitrovicës, bashkë me mësimdhënësit tjerë të Republikës së Kosovës jeni ata që edhe në ditët më të vështira për vendin tonë, në kohën e okupimit klasik nga Serbia, për asnjë çast dhe për asnjë çmim nuk hoqët dorë nga arsimi dhe edukimi i fëmijëve tanë.

Me qëndrimin tuaj të pathyeshëm keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në dëbimin e okupatorit serb nga trojet tona, në fitimin e lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe në forcimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës, prandaj edhe meritoni respektin më të thellë të shoqërisë sonë dhe të institucioneve komunale dhe të atyre të Republikës së Kosovës.

Duke shpresuar se do të vijnë ditë edhe më të mira për arsimin, për punën tuaj të mësimdhënies dhe edukimin e arsimimin e brezave të rinj, unë ju garantoj se komuna të cilën e drejtoj, do të ju mbështet fuqishëm në realizimin e synimeve tona të përbashkëta.

E pra, shumë të dashur mësimdhënës urime 7 Marsi-Dita e Mësuesit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …