Vangjel Sako

Vangjel Sako: Lakuriqësia duket se do të na çojë në identitetin e hershëm?

Nuk ka asnjë dëshmitar okular, fotografi origjinale apo filmim, por të gjithë e besojmë verbërisht startimin e jetës në tokë: të parët lëviznin lirisht cullak, ashtu siç i kishte bërë nëna, pa asnjë rrobë në trup. Të gjithë shkonin me të gjitha dhe kjo quhej normale. Më pas lindi gjethja e fikut për të shkuar më vonë në një çarçaf, gjë që e kemi parë në të gjithë filmat romakë dhe ata të historive e tragjedive greke. Këtu dhe filluan duelet për më të bukurat që duhej ta fitonte më i forti. Vazhdoi evoluimi i veshjes derisa erdhën në atë klasiken, meshkujt me këmishë, kravatë dhe kostum dhe gratë më së shumti me fustan serioz, por edhe si burrat në jo pak raste. Pas gati një shekulli konsolidimi, filloj përsëri mbrapshtësia në veshje. Në gjithë botën, femrave filluan t’u rrinin ngushtë fustanet dhe filluan shkurto nga pak nga poshtë dhe nga lartë. Duke lënë mënjanë botën që i di vetë punët e saj, le të merremi me shtëpinë tonë. Në kohën e Naltmadhërisë dhe atë të diktaturës (në asnjë mënyrë nuk deklaroj se janë faqe të ndritura në historinë shqiptare) nuk guxonte kush të shfaqte lakuriqësi sepse “kishte xhaja biçak”.

U tentua një revolucion rreth viteve ‘70 të shekullit të kaluar, por njëherë u trash zëri në tribunë dhe minifundet e kaubojsit u zhdukën menjëherë. Nuk jap miratimin tim për atë që ndodhi sepse veshja është plotësisht ekskluzivitet vetjak, por jam tërësisht kundër asaj që po shikojmë pas viteve ‘90. Lakuriqësi dhe zhveshje të pakuptimta dhe të palogjikshme. Mjafton të dalësh nëpër rrugët e qytetit në çdo orë të ditës të shikosh aq shumë kofshë dhe sisë zbuluar sa të vështiroset mishi i bardhë. Hapni çdo lloj televizori, atë shtetëror dhe atë privat dhe nga sikleti kërkon të bësh humor duke kujtuar se “janë në vështirësi ekonomike dhe nuk kanë të ardhura për të qepur fustane të plota dhe i nxjerrin moderatoret kryesisht, me gjysma fustane e gjysma bluza”. Unë nuk jam Sulua i “Kapedanit” (me këtë rast po kujtoj se ngjarja në film është e vërtetë. Kryeministri i asaj kohe kishte ftuar për vizitë një rapsod popullor lab dhe duke qënë i zënë mbasdite dha urdhër ta çonin në balet. Kur u kthye në darkë e pyeti mikun se si ia kaloi. Përgjigja ishte hazërxhevap me vargje: rrofsh o mik se më kënaqe, me shalë e me mullaqe) që nuk kuptoj evolucionin njerëzor, por më shumë dëgjoj zemrën dhe mendjen. Ajo më thotë se në aspektin vizual dhe të veshjes po kalohet çdo cak. Moderatoret e televizioneve duket se bëjnë garë me të ftuarat se kush e kush del më zbuluar, kush e kush tregon më shumë nga asetet që disponojnë. Dhe jo vetëm kaq, gjatë emisionit bëjnë lëvizje provokuese sikur gjoja pa dashje shalët dalin në ekran deri në thellësinë e tyre. Pas kësaj ekspozeje ç’vlerë kanë fjalët për të trajtuar një problem edukues. Dhimbja bëhet më e madhe kur shikon se kjo nuk është sëmundje vetëm me ato mbi 18 vjeç, por edhe tek ato që sapo u është bërë buza me qumësht. Lëre pastaj për emisionet që jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje lakuriqësinë e kanë në qendër të vëmendjes si psh “Përputhen” poshtë e lartë 40 vjeç. Unë e kuptoj interesin e drejtuesve të këtyre televizioneve dhe hajgaren që bëhet nga shikuesit në këtë emisione, por nuk kuptoj vlerën edukuese të tyre. Sepse në rrugë unë edhe ia fal lakuriqësinë femrave sepse aq e kanë edukatën vetjake dhe familjare, por në institucione, qofshin ato shtetërore dhe private më duken pakuptim. Sepse shembullin pozitiv e kemi edhe sot. Të kënaqet syri kur shikon tek hyjnë dhe dalin nëpër shkolla 9-vjeçare dhe të mesmet nxënësit me uniformë dhe po ashtu ndjen keqardhje teksa sheh që një pjesë e tyre sapo lënë hyrjen e shkollës menjëherë i futin në çantë ato uniforma. Ngelesh sot i kënaqur kur shkon për një shërbim në ndonjë bankë e çdo niveli jo vetëm nga shërbimi, por së pari kur shikon se gjithë punonjëset, sepse shumica janë femra, kanë uniformë të njëjtë dhe kuptimplotë. Por si ndjehemi kur ndjekim një koncert live apo edhe në televizion, sepse lakuriqësia më e madhe aty tek këngëtaret po shfaqet. Ato jo sikur reklamojnë zërin e tyre, por sikur bëjnë sfilatë mode, duke treguar se kush i ka të ndenjurat dhe gjoksin më të madh. Sepse ndodh që gjatë gjithë filmimit të këngës, kamera tregon më shumë këto asete sesa buzët e këngëtares që nxjerrin tingujt e këngës.

Dhe bëj një krahasim: ku janë këto të sotmet dhe ku ato që për vite të tëra na kanë falur kënaqësinë e bukurisë së këngës shqiptare. Asete kishin edhe Vaçe Zela, Liljana Kondakçi, Parashqevi Simaku që gjithsesi duhet vënë në dukje se ishte shumë seksi, Ema Qazimi e Manjola Nallbani e para ‘90 për të mos përmendur të tjera, por ato ishin së pari këngëtare dhe ne për nivelin profesional i deshëm aq shumë në vite. Më ka rastisur të bëj një debat të kotë dikur. Po më bënte përshtypje një goxha vajzë që ndryshe siç ndodh me femrat që mundohen të ngrenë ndonjë cep bluze kur shikojnë se u ka dalë diçka më shumë se sa duhet nga gjoksi, po mundohej të zbulonte më shumë. E pa që po e shikoja edhe i habitur e donte të bënte edhe tallësen. “Hë xhaxha, s’ke parë ndonjëherë? T’u shqyen sytë”. Xhaxhai e ka parë dhe e ka thithur atë det moj çupë po më bën përshtypje se të tjerat mbulohen e t’i zbulohesh. E bëj që të më kapë sa më shumë dielli se luftoj kancerin e gjirit po ku merr vesh ti nga këto gjëra. Mbase është siç thua ti po gjyshja ime që lindi 14 herë, rriti dhe martoi 9 fëmijë dhe vdiq plot 82 vjeç, si nuk ia tregoi njëherë, po njëherë të vetme diellit gjunjët e jo më tepër. Epo gjyshja jote edhe qumështin edhe djathin edhe domaten e hante bio o xhajë. Madje edhe kaassstrraaaveeecin e hante bio. Dimë ca po hamë ne? A thua vetëm ushqimi i bën këto femra të dalin më lakuriq se sa duhet? Mendoj se jo. Unë mendoj se është së pari familja që me paaftësinë e saj, por ndonjëherë edhe me pamundësinë e saj që u hap rrugën vajzave të sotme që gjoja në emër të modernes të dalin më lakuriq se sa duhet. Më pastaj janë shkollat e çdo niveli që mbyllin sytë për të mos thënë se bëhen ndonjëherë edhe vetë katalizatorë të kësaj lakuriqësie përmes stimulimit të aktiviteteve të ndryshme. Për mua le të quhej i poshtër dhe patriarkal një pedagog universiteti që nuk lejon të futet në auditor një femër e veshur padenjësisht për një institucion edukues siç është universiteti dhe jam i sigurt se do merrte admirimin e të tjerëve. Por ç’të bëjë profesori i nderuar kur më keq se studentja vjen në auditor vetë kolegia e tij? A ishim ne dëshmitarë jo fort të kënaqur për të mos thënë të revoltuar të sfilatave të modës që bënte një ish-kryetare gjykate nëpër ambientet e zyrave të shtetit? Nëse nëpër këto institucione do të ketë etikë veshje jam i sigurt se ajo do të pasqyrohej edhe jashtë tyre dhe padyshim që do kishim më pak lakuriqësi. Kjo historikisht ka qenë legale nëpër plazhe dhe do vazhdojë të jetë sepse aty është vetë vendi për një gjë të tillë. Sepse në kohë moderne bëhen ndonjëherë edhe pyetje naive: Ata që na shfaqin kaq hapur e publikisht këtë lakuriqësi, mos ndoshta duan të na kthejnë në identitet, tek gjethja e fikut?

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …