leoni

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Viktor Malaj: Patriotët atdheshitës

Disa gazeta të Tiranës njoftuan ditët e fundit se një deputet mendjelehtë i shumicës në pushtet qenka shprehur në një mbledhje partiake se e vinte partinë mbi Shqipërinë. Kaq u desh që të marrin flakë zemrat e gjithë “atdhetarëve” tanë të rremë, duke u shquar mbi të gjithë ata që gjatë këtyre 25 viteve nuk kanë lënë gjë pa i bërë atdheut të gjorë për hir të xhepit të tyre dhe, sidomos, për hir të pushtetit politik.

Më të “revoltuarit” prej tyre rezultoi se ishin hajnat më të mëdhenj të kësaj periudhe, mashtruesit e pashoq të jetës shoqërore dhe politike shqiptare dhe, sidomos, si përherë, reaguesi i pakompromis kundër deputetit në fjalë u shfaq Ai.

Ai është individi shqiptar që tash 25 vjet, jo për hir të partisë, por për hir të pushtetit personal e familjar, për hir të privilegjeve të pamerituara dhe të paligjshme që i ka siguruar vetes, ia ka vënë zjarrin Shqipërisë, ka djegur institucione shtetërore, kryer falsifikime e dhunime zgjedhjesh politike, burgosur kundërshtarë politikë dhe gazetarë, rrahur dhe vrarë protestues, organizuar formacione paraushtarake për të luftuar popullin kundërshtues etj. etj.

Por, duke i lënë mënjanë të gjitha bëmat e tij, nuk mund të mos trajtojmë edhe një herë një akt thellësisht antikombëtar dhe me pasoja afatgjata të kryer nga “atdhetari” i flaktë Sali Berisha së bashku me beniaminin dhe pasardhësin e tij shpirtëror e politik, Lulzim Bashën.

Është folur shumë herë për Marrëveshjen e Detit me Greqinë dhe nënshkruesit e saj kanë zgjedhur të heshtin, ndërsa skota e tifozëve të flaktë, të pamend dhe të pamoral që i shkojnë mbrapa, jo vetëm që s’janë indinjuar kurrë për këtë akt, por bëjnë çmos t’i mbrojnë dhunuesit e integritetit territorial të Shqipërisë.

Pak ditë pas mbledhjes partiake, punëtori i pagjumë i frëngjisë së Facebook-ut tha se deputeti i shumicës kishte folur në atë mënyrë sepse ashtu kishin vepruar edhe paraardhësit e tij. Të njëjtin qëndrim shprehu edhe një gazetar plak që ka qenë edhe ai dikur pjesë e paraardhësve, së bashku me vrerë-vjellësin e fejsbukut. Me këtë rast “shpërtheu” edhe një kloun i skenave të humorit i cili me një fjalor rrugaçësh shprehu gjithë “atdhedashurinë dhe revoltën” e tij ndaj deputetit që vinte partinë mbi Shqipërinë. Si gazetari i ndërkryer ashtu edhe gaztori i pavlerë nuk ishin ndier asnjëherë kur “atdhetari” Sali kishte këmbyer një pjesë të territorit shqiptar me një përkrahje politike të fqinjëve për pushtetin e tij personal. Nuk ishin ndier sepse as njëri dhe as tjetri nuk kanë kurrfarë ndjenje atdhetarie dhe kurrfarë parimi qytetarie, por janë plot e përplot me pasione dhe gulçime marrëzie.

U përpoqa të sjell ndërmend nga historia se cilët ishin paraardhësit që kishin këmbyer Shqipërinë me partinë apo interesin e tyre vetjak. Më erdhi në ndihmë z. Spartak Ngjela i cili e bënte të qartë se, në historinë e popullit shqiptar, tri kishin qenë figurat politike që ishin përpjekur ose ia kishin arritur të cenonin integritetin territorial të Shqipërisë në këmbim të përkrahjes së huaj për pushtet personal në vend: Esat Pasha në 1914 kur iu dorëzoi Shkodrën serbëve; Ahmet Zogu në 1924-1925 kur nënshkroi dhe iu dorëzoi Shën Naumin serbëve dhe Sali Berisha në 2010 kur nënshkroi (me dorën e Bashës) Marrëveshjen e Detit me Greqinë.

Në çdo shtet normal Sali Berisha dhe Lulzim Basha do të ishin dërguar në burg për aktin e kryer me vetëdije në 2010. Njeriu i thjeshtë mund të mendojë se këta individë politikë e bënë atë “gafë” nga padija, se nuk ishin specialistë të asaj fushe që të kuptonin hiletë e fqinjit jugor. E vërteta është krejt ndryshe.

Nga një kabllogram që ambasada amerikane në Tiranë i dërgonte Departamentit të Shtetit të vet në 9 tetor 2008 mësojmë se Ministri i Jashtëm shqiptar Lulzim Basha dhe qeveria shqiptare ishin të vetëdijshëm për synimet ekspansioniste të Greqisë dhe dëmet e mëdha ekonomike dhe politike që do të mund të sillnin nënshkrimi i Marrëveshjes së Detit dhe asaj për varrezat greke në territorin shqiptar. Nga kontaktet e ambasadës amerikane me autoritetet shqiptare rezultonte se, “Qeveria e Shqipërisë mendon se pozicioni i Greqisë në çështjen e Paktit Detar dhe varrezave është një kërcënim serioz për sovranitetin dhe interesat e Shqipërisë “.

Nga ana tjetër, nëpërmjet shtypit shqiptar kemi mësuar se, të paktën, dy anëtarë të grupit negociator shqiptar me Greqinë ishin të rekrutuar nga shërbimet inteligjente greke dhe punonin për ta. Kjo mund të mos jetë e vërtetë, por kur shteti hesht për një akuzë kaq të rëndë, atëherë kushdo ka të drejtë ta marrë për të vërtetë dhe të pyes: A e dinte SHIK-u shqiptar këtë fakt në atë kohë dhe, nëse po, a e njoftoi kryeministrin e vendit? Nëse e njoftoi pse nuk mori masa kryeministri të zëvendësonte dy zyrtarët shqiptarë të kompromentuar? Nëse kryeministri nuk u njoftua nga SHIK, ç’qëndrim mbajti ai ndaj drejtuesit të këtij shërbimi të sigurisë kombëtare?

Për të kuptuar qëndrimin e drejtuesve të shtetit le të sjellim ndërmend se asnjë institucion i shtetit nuk shprehu rezerva ndaj marrëveshjes, aq më pak ta kundërshtonte atë. Problemin e negociatave dhe të marrëveshjes me Greqinë e publikoi dhe e kundërshtoi për herë të parë një gazetë shqiptare me anën e specialistit dhe atdhetarit Myslym Pasha. Në vend që këtij shqiptari t’i jepej titulli “Nderi i Kombit”, iu rezervuan fyerje e shpifje nga gazetat e pushtetit dhe me gojën e tij kryeministri Sali Berisha e quajti “sharlatan”.

Siç del e qartë, “patrioti i çartur” Sali Berisha nuk ishte i paditur.

Përkundrazi, ka qenë i vetëdijshëm për kushtet që negocioheshin dhe, megjithëse i kishte të qarta rreziqet dhe dëmet që do t’i shkaktoheshin sovranitetit kombëtar dhe interesave të Shqipërisë, e nënshkroi marrëveshjen.

Edhe nga kabllogrami i ambasadës amerikane del e qartë se qeveria greke e kohës i dërgonte ultimatume qeverisë shqiptare dhe ia kushtëzonte nënshkrimin e dy marrëveshjeve antishqiptare si kusht që Greqia të nënshkruante Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit të RSH me BE. Nënshkrimi i MAS-it do i shërbente Sali Berishës si kredo politike brenda vendit për të joshur shqiptarët t’i jepnin votat duke e paraqitur veten dhe qeverinë e tij si integrues të Shqipërisë në strukturat evropiane. Ky veprim i qeverisë shqiptare ishte një sakrifikim i ndërgjegjshëm i interesave strategjike kombëtare për hir të interesave të përkohshme vetjake të sharlatanit politik që drejtonte qeverinë e vendit të vet. Mirëpo tani, atdhetari i rremë do që të na shitet se i ka marrë zemra flakë pse dikush me fjalë paska vlerësuar më shumë Partinë se Shqipërinë. Dihet se pas dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë nga opozita e kohës, Marrëveshja e Detit u hodh poshtë dhe u bë e pazbatueshme. Ajo që nuk dihet është: cila është arsyeja që prokuroria shqiptare nuk e ka filluar hetimin e kësaj çështjeje dhe pse nuk dënohen autorët e aktit juridikisht të paligjshëm dhe kombëtarisht të rrezikshëm?

Për çfarë drejtësie mund të bëhet fjalë në Shqipëri dhe si mund të konsiderohen si aktorë kryesorë të reformës në drejtësi individët politikë që duhej të ishin shpallur si kriminelë nga gjykata për aktin e mësipërm dhe për shumë akte të tjerë kriminalë të kryer prej tyre, në pushtet dhe në opozitë?  Për çfarë dekriminalizimi mund të flitet kur “dekriminalizuesit” janë ligjshkelësit më të mëdhenj të ligjeve të vendit?

Edhe diplomacia perëndimore duhet të jetë e qartë dhe e vendosur në këtë drejtim. Nëse vendet perëndimore do të pranojnë që reforma në drejtësi të mbetet peng i një grupi banditësh politikë që duhej të ishin me kohë pas hekurave të burgut, kjo do të thotë se ata s’e kanë pasur asnjëherë seriozisht progresin e institucioneve shtetërore të Shqipërisë. Është rasti të tregojnë a kanë vullnet që institucionet e shtetit shqiptar të forcojnë pavarësinë e tyre, apo do ta lënë Shqipërinë të rrijë në moçalin ku po heq e vuan për faj të banditizmit politik.

Nga ana tjetër, qeveria aktuale nuk duhet kurrsesi t’iu nënshtrohet presioneve greke sa iu përket dy çështjeve të lartpërmendura. Të dy marrëveshjet janë akte me efekte antikombëtare afatgjata. Përparimi i marrëdhënieve me BE-në nuk duhet kurrsesi të sakrifikojë interesat strategjike afatgjata të Shqipërisë. BE ka lindur pas Shqipërisë dhe shqiptarët dëshirojnë fort dhe urojnë të mos ia shkurtojnë jetën sëmundjet e pashërueshme të popujve pjesëmarrës. Ndërsa Shqipëria si entitet gjeografik dhe politik mbetet e përjetshme.

Nëse nuk mund t’i kemi të dyja, i kemi të gjitha mundësitë të kemi Shqipërinë. (Gazeta Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: POLITIKANËT TANË ME “TANGA ROZË” DHE….  GJYSËM EFENDIKO BEJLERI

Një prej problematikave që kanë zënë faqet e shtypit të përditshëm është dhe ngelet, për …