Zyrtarja e lartë e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas një vale komentesh fyese dhe linçuese ndaj saj në rrjetet sociale, duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje për instalimin e një gjuhe të urrejtjes në diskursin publik. Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se ndaj saj po zhvillohet një “fushatë e ndyrë linçuese”, e organizuar si nga profile të rreme, ashtu edhe nga persona me identitet real. “Kjo lloj gjuhe, e instaluar nga LVV në diskursin tonë publik, duhet jo vetëm të dënohet politikisht, por të denoncohet shoqërisht”, ka shkruar ajo. Çitaku u shpreh se personalisht nuk ndihet e frikësuar nga sulmet, por ngriti shqetësimin për ndikimin që kjo klimë toksike mund të ketë tek të rinjtë që duan të angazhohen në politikë dhe jetën publike. “Sot politika është kthyer në moçal shpifjesh, fyerjesh e linçimesh, dhe kjo po i dekurajon vajzat e djemtë e rinj të përfshihen në jetën publike. Një shoqëri që ua vështërson rrugën njerëzve të mirë, ua hap derën më të këqijve”, theksoi ajo. Në fund, Çitaku bëri thirrje për reagim institucional, qytetar dhe shoqëror ndaj gjuhës së urrejtjes dhe fushatave denigruese në hapësirën publike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
