Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës së radhës për konstituimin e Kuvendit, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokimin e procesit institucional. Në një deklaratë për media, Çitaku theksoi se vendi po kalon një krizë të thellë për shkak të qëndrimeve të palëkundura të liderit të Vetëvendosjes. “Sot kanë kaluar 103 ditë nga 9 shkurti – janë 103 ditë të humbura për Kosovën,” tha ajo. Ajo theksoi se PDK mbetet konstruktive dhe e gatshme për të ndihmuar në tejkalimin e situatës, por, sipas saj, pengesa kryesore është refuzimi i Kurtit për të lëvizur nga pozicionet e tij politike. “Kosova po mbahet peng e kryeneçësisë së Albin Kurtit. Edhe një herë bëjmë thirrje për reflektim, që të ecim tutje,” përfundoi Çitaku.
