leoni

Vokrri mbetet legjendë edhe për brezat që vijnë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në manifestimin e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për publikimin e bucetës fituese të shtatores së Fadil Vokrrit, që u mbajt me rastin e dyvjetorit të ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Duke e quajtur këtë si një moment të veçantë, kryeministri Hoti tha se të gjithë ne që jemi rritur me legjendën e futbollit Fadil Vokrrin, ia kemi borxh familjes së tij për të treguar të gjitha nderimet për legjendën, i cili ka bërë historinë më të re të Kosovës edhe në sport, me punën që bashkë me ministrin e atëhershëm, me qeveritë e mëparshme të gjitha këto aktivitete që janë kryer për ta çuar Kosovën aty ku e ka vendin, në FIFA dhe UEFA. “Është një sukses i jashtëzakonshëm që i është dashur qeverisë dhe shtetit të Kosovës. Pa dyshim, Vokrri mbetet legjenda edhe për brezat që vijnë. Ne jemi të nderuar që sot e bëjmë zbulimin e maketit për shtatoren e Vokrrit, para së cilës në të ardhmen do të përkulen sportistë dhe legjendat e ardhshme të futbollit”, tha kryeministri Hoti, duke falënderuar të gjithë ata që kanë punuar që të vihet deri në këtë ditë. Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se Fadil Vokrri do të mbetet ikona më e madhe e sportit të Kosovës. Në kohë të vështira të Kosovës, Fadili me gjeneratën e tij kur luanin i jepnin shpresë këtij vendi për pavarësinë e Kosovës. “Vetë prezenca e kryeministrit të Kosovës tregon mbështetjen për sportin, sepse ky është aktiviteti i parë që vjen në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Programin qeverisës do ta zbatojmë gjithmonë duke mbështetur dhe avancuar sportin e Kosovës”, tha ministrja Dumoshi, duke shtuar se Fadil Vokrri do të jetë ikona jonë, njeriu që dha shumë për Kosovën për ndërkombëtarizimin e futbollit, duke na bërë pjesë të familjes në UEFA dhe FIFA. Të pranishmit me një fjalë i përshëndeti edhe Adem Rusinovci, kryetar i Komisionit Vlerësues për përzgjedhjen e bucetës dhe djali i legjendës së futbollit, Gramoz Vokrri. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe drejtuesit dhe përfaqësuesit e FFK-së, familjarët e Fadil Vokrrit, dhe ish-ministrat e MKRS-së, Memli Krasniqi, Kujtim Shala e Kujtim Gashi si dhe ideatori i kësaj nisme, deputeti Bekim Haxhiu. Në fund të këtij manifestimi u zbulua maketi i shtatores së Fadil Vokrrit, e cila pritet të vendoset në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …