Xhavit Ramadan Islami (5.6.1964 – 24.5.1999)

Xhavit Ramadan Islami (5.6.1964 – 24.5.1999)

Dëshmori i kombit, Xhavit Islami, u lind më 5 qershor të vitit 1964, në fshatin Kralan, komuna e Gjakovës, në një familje tradicionale shumëanëtarëshe, bukëdhënëse, atdhedashëse e përparimtare. Një axhë i dëshmorit ishte zhdukur nga regjimi komunist titist-jugosllav.
Prindërit Ramadan dhe Zize Islami, i lindën dhe i rritën tetë fëmijë, tre djem e pesë vajza. Me këmbënguljen e babait të dëshmorit, Ramadanit, përkundër vështirësive të shumta, të gjithë fëmijët arritën të shkolloheshin.
Xhaviti shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërkaq të mesmen në Gjakovë, me sukses të shkëlqyeshëm. Studimet e larta i vazhdoi në Fakultetin e Metalurgjisë në Mitrovicë, por nuk arriti t’i përfundojë për shkak të rrethanave politike.
Ishte i punësuar në Fabrikën e Elektromotorëve në Gjakovë, ku punoi tetë vite.
Ka marrë pjesë aktive në të gjitha demonstratat, protestat dhe revoltat e kohës, që janë mbajtur në Gjakovë që nga viti 1988-1989 kundër riokupimit serb. Madje, në demonstratën e përgjakshme të 31 janarit të vitit 1990, kur në lagjen Gecë të Gjakovës, u vranë nga forcat serbo-jugosllave në ballë të demonstratës gjithëpopullore dy të rinjtë nga Gjakova, Fatmir Kërleshi dhe Xhevat Hoxha, atë natë në ballë të demonstratës Xhaviti ishte plagosur rëndë në kokë, i tëri ishte larë në gjak.
Xhaviti që në moshë të re ishte marrë me sport dhe ishte sportist i dalluar. Aktivitetin sportiv e kishte filluar në klubin e futbollit në fshatin e tij të lindjes, për të vazhduar me sukses ngritjen, duke luajtur edhe për klubet e njohura të kohës si “Deçani”, “Gjakova” etj. Në kohën e fundit ishte refer i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Familjarët, shokët e bashkëluftëtarët e tij e përshkruajnë si njeri të afërt, të dashur, të përgatitur fizikisht e psiqikisht, njeri të sakrificës, i disiplinuar e i gatshëm t’i ndihmojë dhe të sakrifikohet për të tjerët, gjë që e dëshmoi gjatë gjithë veprimtarisë jetësore dhe rënies së lavdishme.
Ndonëse luftën e armatosur e kishte përkrahur që nga fillimi, aktivisht në frontet e luftës, Xhaviti radhëve të UÇK-së iu bashkua më 27 mars të vitit 1999, kur së bashku me kushërinj dhe rreth 40 të rinj të lagjes Dardania (ish-Piskotë) të Gjakovës, u nisën drejt zonave të luftës. Fillimisht u kyç në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin e tij të lindjes, në Kralan. Veproi në kuadër të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli” të UÇK-së së Zonës Operative të Dukagjinit, nën drejtimin e komandantit të Brigadës Maliq Ndrecaj, duke treguar gatishmëri, guxim e trimëri, në kryerjen e detyrave luftarake.
Në muajin maj të vitit 1999, në Zonën Operative të Dukagjinit ishin koncentruar forca të shumta ushtarako-policore e paramilitare serbe, të cilat me çdo kusht tentonin të thyenin qëndresën e luftëtarëve të lirisë, të depërtonin në zonat ku ishin të strehuar mijëra civilë shqiptarë. Edhe pse luftimet ishin të përditshme, të përgjakshme e të pabarabarta, forcave pushtuese serbe nuk iu lejua as përparimi më i vogël. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po bënin një qëndresë heroike në të gjitha vijat e frontit, të cilat po i lanin me gjakun e tyre.
Në këto luftime të pandërprera çdo ditë po binin dëshmorë luftëtarët më të mirë, por edhe numri i të plagosurve gjithnjë e më shumë po rritej. Prandaj, ata, duhej të dërgoheshin në shërim, duhej bërë gjithçka për t’ua siguruar trajtimin adekuat mjekësor, që nuk mund t’u jepej në zonat e luftës.
Për këtë arsye, pikërisht në maj të vitit 1999, me qëllim të transferimit të të plagosurve nga frontet e luftës, që ishin në gjendje të rëndë shëndetësore, e luftimet në Zonën Operative të Dukagjinit po vazhdonin pandërprerë ditë e natë, duke patur edhe mbështetjen ajrore të aleatëve të NATO-s, edhe pse të vetëdijshëm për rrezikun tepër të madh, një njësit i UÇK-së, i prirë nga luftëtarët e Batalionit të Tretë Gardist “Shkëlzen Haradinaj”, nën drejtimin e komandantit Abdyl Mushkolaj dhe të njësitit vëzhgues të drejtuar nga Shkumbin Demalijaj, morën përsipër detyrën e vështirë për të transferuar grupin e luftëtarëve të plagosur rëndë, për në Shqipëri. Këtij njësiti iu bashkua vullnetarisht edhe luftëtari Xhavit Islami. Bashkë me ta ishte edhe një grup i luftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut, që po shkonin në Shqipëri për të sjellë armatim dhe një pjesë e popullsisë civile. Të plagosur që duhej transferuar ishin dymbëdhjetë veta, katër prej të tyre të palëvizshëm, e që duhej të barteshin me lese. Detyrimisht i tërë udhëtimi duhej të bëhej nëpër zonat e kontrolluara nga armiku. Nga Mazniku kaluan në Broliq, e prej andej në Strellc, ku u detyruan të kalonin ndërmjet dy postblloqeve serbe, për të vazhduar përpjetë Bjeshkëve të Strellcit në drejtim të kufirit.
Më 24 maj 1999, pas rrugëtimit të vështirë dyditor, nëpër terren të vështirë, nëpër borë e shi, mjegull e acar, kishin arritur të kalojnë Bjeshkën e Strellcit. Kolona ecën. Herë-herë ndalin të pushojnë pakëz, të ndërrohen ata që bartnin lesat me të plagosur, të marrin frymë apo që ekipi mjekësor t’u ndihmojë të plagosurve. Kishin lënë pas edhe stanet e Bjeshkës së Belegut. Mjegull e dendur, të lodhur, të rraskapitur. Kolona me të plagosur ecën, nuk ndalet. Pjesëtarët e Gardës ishin në ballë të kolonës. Gjatë gjithë kohës, Xhaviti shquhet për disiplinë dhe angazhim të jashtëzakonshëm në bartjen e të plagosurve gjatë gjithë kohës.
Arrijnë në trekëndëshin e dhunshëm kufitar të trojeve shqiptare, mbi stanet e Bjeshkës së Belegut, në Qafë të Bogiqes. Deri aty terreni ishte i mbuluar me mjegull të dendur. Sapo arrijnë në një pozitë, çuditërisht mjegulla hiqet e kolona ndodhet para zjarrit të gërshetuar të mitralozave të rëndë të njësive elite të ushtrisë serbo-jugosllave që kishin zënë pritat. Edhe pse të gjetur në një pozicion tepër të papërshtatshëm lufte në terren të zbuluar e tepër të vështirë, pa municion të mjaftueshëm, me shumë të plagosur, të lodhur nga rruga e gjatë dhe e mundimshme nëpër mot të lig me shi e borë, Xhavit Islami me bashkëluftëtarët bënë një qëndresë mbinjerëzore. Këtë e dëshmuan edhe me rënien e pesëmbëdhjetë luftëtarëve të lirisë, madje edhe të disa pjesëtarëve të njësitit pararojë të Batalionit Gardist, si: Nuredin Gërvalla, nga Krysheci i Pejës, Përparim Ferizaj, nga Kodralia e Deçanit, Përparim Shala, nga Prapaqani, e Valiant Ferizaj nga Kodralia. Aty ra dëshmor Xhavit Islami, së bashku me bashkëluftëtarët Fehmi Demiqi, Naim Berisha, Nazmi Gradina, Islam Krasniqi e Limon Morina. Ranë dëshmorë edhe luftëtarët e plagosur në fronte të ndryshme të luftës: Hajrush Demaj, Metë Lush Krasniqi nga Turjaka, Hysen Mehmeti dhe Nimon Musaj.
Njëherësh u plagosën rëndë e lehtë edhe njëmbëdhjetë luftëtarë të lirisë. Luftëtari i njësitit pararojë, gardisti Sali Ferizaj, nga Kodralia e Deçanit, ndonëse i plagosur rëndë arrin të kthehet prapa dhe të tërhiqet deri në fshatin Strellc i Poshtëm, ku më 30 maj zihet nga policia serbe e stacionit policor të Deçanit, që ishte e stacionuar në punktin e Strellcit. Pasi e kishin torturuar mizorisht, e kishin ekzekutuar, duke e hedhur trupin e tij në një bunar (pus të ujit të pijes) të këtij fshati.
Eshtrat e katërmbëdhjetë dëshmorëve të rënë në betejën për shpëtimin e të plagosurve në Qafë të Bogiqes, mbetën në fushëbetejë dhe u morën nga forcat serbe. Për disa vite u konsideruan të zhdukur. Më vonë u gjetën në varrezën masive në afërsi të Beogradit, në Petrovo Sello, nën poligonin e qendrës stërvitore të Njësive Speciale të Armatës Jugosllave, në rrethinën e Klladovës. Pas riatdhesimit në Kosovë, u identifikuan në morgun e Rahovecit dhe u varrosën me nderime të larta në atdheun e tyre.
Xhavit Islami dhe tetë bashkëluftëtarë të tij, të cilët denjësisht e kryen detyrën ndaj Atdheut dhe popullit të vet, duke i dalë zot në kohën më të vështirë, duke derdhur gjakun e dhënë jetën për liri, u identifikuan pesë vjet e gjysmë pas rënies së lavdishme. Më 9 shtator të vitit 2004, u varrosën me nderime të larta ushtarake e gjithëpopullore.
Dëshmori i kombit Xhavit Islami, prehet në varrezat e dëshmorëve të kombit në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan të Deçanit.
Xhaviti ishte i martuar me Sadije Islamin, dhe ka lënë pas vetes dy fëmijë, vajzën Zamirën dhe djalin Ramadanin, të cilët së bashku me nënën e tyre jetojnë në Zvicër që nga koha e luftës në Kosovë. Ka lënë edhe nënën, vëllezërit e motrat. Familja Islami, është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin e prindin dëshmor.
Kujtimin për dëshmorin Xhavit Islami e kanë përjetësuar me shkrime Hasan Hasani në librin “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, Fetnete Ramosaj, etj. Po ashtu, i është kushtuar edhe dokumentari “Misioni i Shenjtë – Dëshmori Xhavit Islami”, i autores Remzije Isufi.
Në shenjë kujtimi për rënien e lavdishme, në vendrënien e dëshmorëve në Bjeshkë të Belegut është ngritur përmendorja e përbashkët për Xhavit Islamin dhe 14 dëshmorët tjerë të lirisë.
Dëshmori i kombit Xhavit Islami është përjetësuar edhe në lapidarin e përbashkët së bashku me shtatë dëshmorë të kombit në Lagjen Dardania të Gjakovës. Memoriali gjendet përbri magjistrales Gjakovë-Deçan, në anën e djathtë. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …