Xhevat Salih Shala (20.12.1971 - 25.9.1998)

Xhevat Salih Shala (20.12.1971 – 25.9.1998)

Fshati Kopiliq i Drenicës është i njohur qysh nga koha e Betejës së Kosovës e vitit 1389. Nga ky fshat ishte prijësi shqiptar i mesjetës, Milosh Nikollë Kopiliqi, i cili më 15 qershor të vitit 1389, depërtoi te tenda e Sulltan Muratit, të cilin e therri me hanxhar. Mbamendja e banorëve të kësaj ane si dhe disa toponime që kanë mbijetuar nëpër shekuj deri në ditët e sotme, janë dëshmi që flasin për origjinën e Milosh Nikollës nga fshati Kopiliq i Drenicës.

Luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fshati Kopiliq i Ulët i ka dhënë 12 dëshmorë e martirë. Në një grykë malore të këtij fshati kanë mbijetuar luftën mijëra banorë të zhvendosur nga Kopiliqi dhe fshatra të tjera të Drenicës, të përfshira në zjarrin e luftës çlirimtare.

Xhevat Shala lindi më 10 dhjetor të vitit 1971. Babai Salihu dhë nëna Sofia, lindën e rritën katër bij: Ganiun, Ismetin, Brahimin dhe Xhevatin. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes e në Açarevë. Nuk arrin të vazhdojë shkollimin e mesëm, meqë së bashku me vëllezërit, duhej të kryente punë fizike për të mbajtur familjen.

Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare në Llaushë, më 28 nëntor të vitit 1997, trimave dhe trimëreshave të Drenicës ua dha alarmin bashkë me kushtrimin. Në këtë kohë, shumica e banorëve të fshatrave të Drenicës dinin për sulmet ilegale që po ndërmerrnin grupet luftarake kundër forcave policore serbe.

Më 5 mars të vitit 1998, forca të shumta ushtarake e policore serbe ishin nisur nga Klina në drejtim të Prekazit, ku kishte filluar beteja në Kullën Qëndrestare të Adem, Shaban dhe Hamëz Jasharit. Në orën 8 të mëngjesit, fare pa pritur dhe krejt befasisht, njësitet e artilerisë të pasuara nga dhjetëra autoblinda dhe pizgauerë, barrikadohen në hyrje të fshatit Kopiliq dhe përballë fshatit Aqarevë. Pa vonuar fillon breshëria e të shtënave të armikut kundër banorëve të Kopiliqit. Shumica e banorëve largohen në drejtim të Grykës së Kronit të Ftoftë dhe të Mullinit të Malës. Ndërsa, dhjetëra burra nxjerrin armët nga vendet ku i kishin mbajtur fshehtas dhe barrikadohen në hyrje të fshatit, për të përballuar depërtimin e mundshëm të këmbësorisë armike.

Atë ditë formohet edhe Pika e Parë Mbrojtëse te lagjja Tahiraj e këtij fshati. Komandant i pikës caktohet Rasim Shala, ndërsa atë ditë dhe më vonë kishin bashkuar armët luftëtarët dhe çlirimtarët e ardhshëm të Drenicës e të mbarë Kosovës: Gani Shala, Xhevat Shala (dëshmor), Bashkim Shala Ismet Shala, Shefki Shala, Gani Pura, Hysni Pura, Avni Haxhaj, Xhafer Haxhaj, Sejdi Shala (dëshmor), Azem Shala, Shefqet Shala, (dëshmor), Shefqet Gashi, Bedri Gashi, Cen Shala (nga Açareva), Avdullah Jeta, Miftar Gashi, Rexhep Havolli, Avdullah Havolli, Rrahman Shala e të tjerë.

Ditët kalonin ndërsa luftëtarët e lirisë ishin vënë në lëvizje nga të katër anët, për të përforcuar pikat dhe për t’u pajisur me armë. Një ndihmesë të jashtëzakonshme në drejtim të konsolidimit të pikave me armatim, pajisje, uniforma dhe ushqim për luftëtarët e lirisë të fshatit Kopiliq kanë dhënë Sylejman Selimi, Rexhep Selimi nga Açareva e të tjerë,- thotë Gani Shala, vëlla i dëshmorit dhe luftëtar i lirisë i UÇK-së.

Përveç Pikës së Parë mbrojtëse në lagjen e Tahirajve, Pika e Dytë formohet në lagjen e Kurullëve. Pika e Tretë mbrojtëse te Hysenajt dhe Pika e Katërt te Rashit-haxhët.

Xhevat Shala ishte pajisur me pushkë automatike dhe me uniformë ushtarake. Ishte tërë shend e vullnet, meqenëse të gjithë vëllezërit e tij dhe të afërmit iu kishin bashkuar luftës. Ai bënte roje, merrte pjesë në hapjen e transheve dhe të bunkerëve. Ishte kudo ku e kërkonin, gjithnjë i shpejtë, i vëmendshëm dhe i rregullt në kryerjen e çdo detyre.

Qysh prej 5 marsit të vitit 1998, banorët e Kopiliqit, të Açarevës të Brojës, Turiqevcit e të Resnikut dynden në drejtim Grykës së Kopiliqit, Tushillës, Aqarevës dhe Klinës, ku edhe mbijetuan deri në fund të luftës. Forcat serbe kishin vënë postblloqe në hyrje të shumë fshatrave të Drenicës. Ata granatonin nga distanca me qëllim që popullata civile të dyndej drejt Shqipërisë, apo në vende të tjera. Mirëpo, banorët e kësaj ane kishin filluar jetën në male, të mësuar, si gjithnjë, në kushte të rënda ekzistenciale. Ata kishin ngritur tendat dhe kasollet me dushk nëpër grykat e maleve.

Në grykën e Kopiliqit qe aktivizuar edhe punkti fushor shëndetësor, në të cilin punonte mjeku Liman Shala, me disa teknikë medicinalë.

Luftëtarët e UÇK-së në fshatin Kopiliq kishin rregulluar edhe disa bunkerë nëpër pikat strategjike përballë forcave serbe. Gjatë tërë pranverës dhe verës së vitit 1998, fshatrat e Drenicës ishin nën rreze të veprimit të pandërprerë të armëve të armikut. Luftëtarët e lirisë shtoheshin dita ditës. Xhevat Shala së bashku me vëllezërit ishte në vijën e parë të luftës.

Më 22 shtator të vitit 1998, armata serbe kishte ndërmarrë një ofensivë të përgjithshme në tërë Drenicën. Ajo kishte vënë në veprim forcat e shumta të artilerisë dhe të këmbësorisë, në të ashtuquajturën taktikë, e quajtur patkoi, duke granatuar nga të tri anët dhe duke i lënë vetëm një shteg popullatës civile, nga ku detyrohej të largohej. Kjo taktikë kishte për qëllim degdisjen e popullatës civile, me qëllim të shkatërrimit të bazës logjistike të luftëtarëve të UÇK-së.

Mirëpo banorët e Drenicës në përgjithësi dhe banorët e Kopiliqit të Açarevës e të fshatrave të tjera, në veçanti, nuk u dyndën, por mbijetuan nëpër male, duke qenë mbështetje logjistike e luftëtarëve të lirisë.

Më 25 shtator 1998, forcat serbe të stacionuara përballë Kopiliqit në rrugën Klinë-Skënderaj fillojnë ofensivën e ashpër në drejtim të Açarevës, Burojës, Kopiliqit, Rakinicës, Tushillës, Ticës, Resnikut e fshatrave të tjera. Xhevat Shala, ashtu sikurse edhe luftëtarët e tjerë, ndodhej në vijen e frontit. “Në orën 8 të mëngjesit filloi sulmi i forcave serbe prej pikës, te Lagjja Fylli e Açarevës, në drejtim të lagjes Haxhaj të Kopiliqit. Në atë pikë të qëndresës ishim rreth 25 ushtarë në krye me Sejdi Shalën, në kohën kur forcat armike sulmuan me tërë arsenalin ushtarak që dispononin. Pas tri orë luftimesh ballë për ballë, ne filluam tërheqjen, ndërsa serbët lëshuan në veprim këmbësorinë. Nga sulmi frontal, jemi degdisur dhe në largim e sipër kam parë një ushtar të plagosur, nuk kam arritur t’i afrohem, meqë breshëria e armëve të forcave serbe nuk kishte të ndalur. Pas disa orësh, gjithnjë nëpër breshërinë e predhave të armikut, me disa bashkëluftëtarë jam kthyer në mes të lagjeve Hysenaj dhe Haxhaj. Atje kam vërejtur vëllain tim, Xhevatin, i cili kishte rënë i goditur rëndë nga predha e minahedhësit të armikut.

Fillimisht e kemi tërhequr në drejtim të lagjes Hyskaj,- evokon kujtimet për atë ditë të rëndë por edhe heroike, Gani Shala, vëllai i dëshmorit, Xhevat Shala. Në mbrëmje vonë pasi ishte lëshuar terri, bashkëluftëtarët dhe të tre vëllezërit e tij, trupin e dëshmorit Xhevat Shala e varrosin te varrezat e fshatit. Atë ditë kanë rënë të goditur nga breshëria e armëve të armikut edhe Xhavit Haxhaj e Zymer Kadriu, ndërsa shumë luftëtarë të tjerë janë plagosur.

Gjatë tërë epopesë së luftës së UÇK-së, Kopiliqi kishte qëndruar përballë mësyemjeve të forcave serbe. Gryka e Kopiliqit dhe e Tushillës kanë mbijetuar luftën, edhe pse me të gjitha mundimet e përshkrueshme.

Në njëvjetorin e rënies së dëshmorit Xhevat Shala, dhe në nderim e përkujtim edhe të dëshmorëve e martirëve të tjerë të këtij fshati historik, më 25 shtator të vitit 1999, në hyrje të fshatit është ngritur lapidari i përbashkët për dëshmorët e Kopiliqit.

Në këtë lapidar përjetësie janë skalitur emrat e dëshmorëve dhe martirëve të kombit nga fshati Kopiliq i Ulët: Xhevat Salih Shala, Sejdi Fazli Shala, Shefqet Kamer Shala, Fatmir Xhemail Shala, Rushit Rrahman Shala, Hamit Zenun Shala, Dibran Shaban Idrizi, Sejdi Shaban Idrizi, Brahim Tafil Shala, Milazim Sadik Shala, Fazile Istref Uka. Në këtë mes ndodhet edhe emri i dëshmorit të kombit Naser Shaqir Gashi, i cili ishte vrarë mizorisht gjatë shërbimit ushtarak në Tolmin të Sllovenisë, në vitin 1984.

Gjatë kohës së luftës në Kopiliq, nga arma armike janë plagosur 12 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa më shumë se 95 për qind e shtëpive të fshatit janë djegur e shkatërruar nga bombardimet dhe nga zjarrvënësit serbë.

Xhevati ka lënë bashkëshorten me dy bijtë: Gentritin dhe Florindin, si dhe me bijën, Gentianën, e cila lindi katër muaj pas rënies dëshmor të babait të saj.

Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e dëshmorit Xhevat Shala, familjes së tij i kanë dhënë mirënjohje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Drenicës, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, Kuvendi komunal i Skënderajt dhe instanca të tjera. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …