Ylli Mece

YLLI MEÇE: NUK MBROJMË VETËM LIRINË E BIJVE TANË, POR TË NJË KOMBI TË TËRË

(Sëmundja alergjike anti shqiptare e Evropës, Hagës dhe Dick Martit)

Nëse do kërkonim shembull tipik të nxitjes së urrejtjes nacionale atë mund ta gjejmë në shumë vende të Evropës, por mbi të gjitha në Hagë, atje ku thuhet se na qenka një “qendër e gjykimit ndërkombëtar për krimet e luftës”. Pa u futur në analiza se kush e formoi dhe pse, është me vend që të nënvizojmë se bota dhe gjithë organizmat përparimtare të saj, pavarësisht se jetojmë epokën e padrejtësive imperialiste e kanë të nevojshme një instrument të tillë, nga ku themelet si bazë e organizimit, formimit dhe e drejtimit i kanë te Gjykata Ndërkombëtare e Nurembergut, e cila u ngrit për të dënuar krimet e nazifashizmit.   Pra, u gjykua kjo pjellë e egër e fatkeqësive të popujve, për të cilën hijerarkë të lartë morën dënime nga më të ndryshmet. Për analogji kjo gjykatë, pra Haga e cila ka atributet e një forumi drejtësie të një niveli ndërkombëtar, duhej me përgjegjësinë më të madhe që nëpërmjet vendimeve te marra të bindte opinionin e brendshëm e të jashtëm në përcaktimin e qëllimit të luftës dhe karakterit të saj.

Kjo do të thoshte që të mos viheshin në të njëjtën balancë si agresoret ashtu dhe çlirimtaret. Pse shpërtheu kjo luftë, kush ishin ushtritë që u përballën dhe çfarë misioni kishin ato?

Një nga anti shqiptaret më të mëdhenj Dick Marty, që fatkeqësisht ( mbase dhe qëllimisht) në përballjen e tij me legjendën shqiptare bacën A. Demaçi i cili mbronte me pathos idenë e një lufte çlirimtare si e vetmja mundësi për të shpëtuar nga ultra shovinizmi serb, për të njollosur pikërisht këtë luftë ai, pra D. Marti, u shpreh se luftëtarët e UÇK-se janë terroristë. Jo – i tha baca nuk, janë terroristë por çlirimtarë. -Terroristë ! – bërtiste i xhindosur Dick Marty, teksa po aq me trimëri i përgjigjej baca se janë çlirimtarë.

Nga dialog i shkurtër i cili në pamjen e parë të krijon idenë sikur është një përballje mes dy personash , kuptohet i gjithë thelbi i qëndrimit politik të Evropës ndaj krahut të luftës çlirimtare. Pra, Haga me një rezolutë të saj sikurse dhe vet BE duhej të përcaktonin se shovinizmi dhe ultra nacionalizmi i Jugosllavisë së Milosheviçit me qendër Serbinë, ishte burimi i fatkeqësive të atyre popujve që përjetonin sundimin e saj.

Lufta çlirimtare, nuk ishte fenomen shqiptar dhe pse shqiptaret kurrë nuk e pranuan nënshtrimin paçka se padrejtësisht ishin në suazën e kësaj republike, por ishte një fenomen pikërisht i atyre popujve ballkanikë që e vuanin shtypjen nacionale dhe aspironin për liri e pavarësi kombëtare. Kështu që lufta çlirimtare në Kosovë e cila ishte jo vetëm një fenomen por dhe një realitet i dukshëm e cila vuri në provë dhe vet Evropën, se çfarë qëndrimi mund të mbante ajo ndaj luftërave çlirimtare. Nëse dhe nuk do të mundte dot t’i ndalonte si duhej të vepronte në të ardhmen?

Sigurish dhe është katërcipërisht e pa diskutueshme, që asnjë nga fuqitë e mëdha imperialiste qoftë kjo BE, USA, Rusia, Kina dhe Anglia e vetmuar këtë gjë nuk e dëshirojnë, sepse lufta çlirimtare e popujve i tremb shumë fuqitë imperialiste. Po si u manifestua kjo mos ish dëshirë evropiane, pse jo dhe amerikane për luftën e bijve tanë dardanë ? Ata për të na qetësuar ne por dhe për të marrë me të mirë Rusinë, na këshillonin “të ruanim gjakftohtësinë”, të mos e kthenim Ballkanin ” në fuçi baroti”, “ të luftonim separatizmin”( dmth jo ndarjes nga Jugosllavia), të luftonim “irredentizmin”, nga ana tjetër merrnin me të mirë Milosheviçin e Jugosllavisë ( por dhe Rusinë) që Kosovës t’i jepeshin më shumë të drejta “në kuadrin e kushtetutës jugosllave”.

Sikurse vërehet në fazën e parë që përkon me ngritjen e formacioneve luftarake dhe zemërimin popullor, Evropa dhe vet Amerika të alarmuar me tubot e zjarrfikësit në dorë vrapuan për të mos e lejuar që të ndizej flaka e luftës revolucionare për çlirim e popullit shqiptar në këtë trevë, trevë kjo, që është po aq shqiptare sa vjetërsia e tokës tonë.

Kur ata e kuptuan se ky ishte një fenomen shoqëror i pa shmangshëm e që s’mund të kishte kurrë sesi kthim mbrapa, atëherë nga zjarrfikës u kthyen në të kundërt të tyre, duke marrë rolin e përkrahësit të luftës tonë. Dhelpra Evropë së bashku me Amerikën ndërruan taktikë. Nga “këshilltarë” të mos veprimeve luftarake u bënë mbështetës dhe aleatë duke mobilizuar dhe NATO-n në veprime luftarake në mbështetje të UÇK-se.

Pse kjo?

Pse ky ndryshim i menjëhershëm i kursit të tyre?

Kjo, sepse Evropës dhe Amerikës i leverdiste që në opinionin ndërkombëtar të hiqeshin ata si “çlirimtaret e vërtete” e jo shpirti luftarak i bijve tanë apo gjaku ynë, duke ngulitur me këtë rast në mendjen e popujve se për lirinë s’kanë pse të luftojnë popujt, sepse atë mund të ta japë kur të dëshirojë Amerika Evropa Rusia dhe çdo fuqi apo superfuqi tjetër imperialiste. Në këtë kuadër nuk ishte e rastësishme dhe fjala e ish Presidentit amerikan B. Klinton se…… “ ne e çliruam Kosovën, juve tashmë ju takon ta ndërtoni atë”.

Prandaj dhe ideja e ngulitur te vet Evropa dhe për fatin e keq dhe në mendjen e disa njerëzve tanë, se lirinë na e dhuroi NATO, është e gabuar.

Lirinë e fituam vet me armët tona me gjakun tonë me luftën tonë.

 NATO- si organizëm luftarak i Evropës dhe Amerikës ndihmuan duke e përshpejtuar këtë proces jo për interesat tona por për interesa të tyre të shtrirjes dhe zgjerimit të zonave të influencave.

Kroacinë, Slloveninë apo dhe Bosnjën mos i ndihmoi gjë NATO-ja? Aspak, po ja që dhe ata fituan.

Kështu që nëse Haga merr nën akuzë dhe dënon krerët e UÇK-se, sikurse dhe po i dënon ajo indirekt ka dënuar luftën tonë çlirimtare, ajo me këtë rast dhe pse hiqet se bën drejtësi, po bën një krim të madh anti njerëzor.

Të marrësh nën akuzë krerët e luftës çlirimtare të cilët janë përkrahur nga një popull i tërë është e njëjtë sikur të kesh dënuar dhe këta popuj.

I njeh Evropa barbaritë e shovinizmit serb apo është qorruar?

E ka peshuar lotin e një populli të tërë pse jo dhe popujve ballkanikë shkaktuar nga shovinizmi serb apo jo?

E njeh Evropa rolin e Vuçiçit dhe deklaratën e tij se ne ..”Në Kosovë do të kthehemi përsëri” apo jo?

E di Evropa, se ai me veprimet e tij tregon besnikërinë dhe vazhdimësinë e vet ndaj kësaj deklarate?

I njeh ti zuska plakë krimet shoviniste serbe, i ke parë ato që kanë qarkulluar në gjithë mass-median e botës apo je e qorruar ?

Nëse ka ende organizma përparimtarë kudo në të gjitha trojet tona Shqipëri, Kosovë e gjetkë duhet të ngrihen në këmbë me zemërim me manifestime të përgjithshme kudo e anë e mbanë , sepse nuk mbrojmë vetëm lirinë e bijve tanë por të një kombi të tërë, që ekzistojmë e do të ekzistojmë përjetësisht, pavarësisht dëshirave të kabareve rozë të Evropës apo sëmundjes alergjike të anti shqiptarizmës së Dick Martit.

 

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama

Edi Rama: Rilindëm Shqipërinë e rrënuar nga ata që tani klithin e bërtasin të shfrenuar në foltore e në ekranet televizive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij të mbajtur  në  mbledhjen e Grupit …