Brickos

Gjykata

Zana Bytyçi: Kryetar Hashim Thaçi, plotësojeni ligjin për Gjykatën Speciale, përmirësojeni padrejtësinë historike

Në një reagim të kryetares së shoqatës, “Familja e Shpresa, Zana Bytyçi, drejtuar kryetarit të Kosovës lidhur me kritikat e tij ndaj Gjykatës Speciale   thuhet:  Kritikat tuaja ndaj bashkësisë ndërkombëtare për imponimin e gjykatës speciale janë të kuptueshme, por ju personalisht, as partia e juaj, e as partitë e tjera që votuan ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për këtë gjykatë nuk mund t’iu ikni përgjegjësisë që keni në këtë akt të turpshëm, që ju po e pranoni publikisht se është padrejtësi historike. Por, kurrë nuk është vonë që të përmirësoheni.  Gjykata speciale, e cila sipas ligjit aktual nuk do të merret me krimet e Serbisë ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, mund të pësojë ndryshime me iniciativën tuaj.

Ky ligj mund të përmirësohet duke u plotësuar nga parlamenti i Kosovës, pikërisht me nismën tuaj, sipas kompetencave kushtetuese që keni. Prandaj, shfrytëzojeni këtë përgjegjësi dhe kërkoni nga të parlamenti i Kosovës që ky ligj të plotësohet dhe mundësoni që në këtë gjykatë të gjykohen Serbia dhe kriminelët e saj. Vetëm në këtë mënyrë, ju mund të përmirësoni gabimin historik që bëri bashkësia ndërkombëtare në bashkëpunim me ju personalisht dhe me partitë e tjera shqiptare që e votuan këtë ligj në formën e tashme selektive. Prandaj, zëvendësojini këto kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtar me plotësimin e këtij ligj të mbrapshtë.

Mos lejoni vazhdimin e kësaj padrejtësie historike, por veproni e plotësojeni së bashku me PDK, LDK, VV, AAK, Nisma, Akr e Alternativa ligjin e padrejtë. Kjo gjykatë është adresa më e mirë për të gjykuar kriminelët serbë dhe Serbinë. Ju zotëri President, partitë politike të Kosovës dhe parlamenti i Kosovës jeni ata që mund të përmirësoni këtë padrejtësi historike duke e plotësuar këtë ligj.

Kritikat e sotme nuk janë të mjaftueshme dhe ato nuk mund t’ju amnistojnë as juve e as partitë politike nga kjo padrejtësi e krijuar me këtë ligj në këtë formë të një anshme. Krejt ju së bashku e keni në duart tuaja përmirësimin e këtij gabimi të madh historik.

Mjafton vetëm pak vullnet dhe pak guxim që kjo të ndodhë. Prandaj veproni dhe plotësojeni ligjin dhe mos e amnistoni Serbinë dhe kriminelët e saj për krimet ndaj më të dashurve tanë.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …