leoni

Zylfije Faik Gashi (5.7.1979 - 16.4.1999)

Zylfije Faik Gashi (5.7.1979 – 16.4.1999)

Zylfije Gashi ka lindur më 5 korrik të vitit 1979 në fshatin Tërbovc (Malishtë), komuna e Lypjanit. Nuk kishte mbushur as një vit jetë kur aksidentalisht mbetet pa të atin. Ajo nuk mbante në mend të kishte përjetuar përkdheljet e babait dhe ngrohtësinë e përqafimit të tij. Prandaj këtë boshllëk e plotëson me dashurinë për nënën, vëllezërit, e secilin.
Katër klasë të shkollës fillore i kreu në shkollën e fshatit të lindjes. Meqenëse katër klasët vijuese duhej të ndiqeshin në fshatrat përreth, si Sllovi, Akllap, apo Zhegoc, pasi në fshatin e saj nuk kishte shkollë të plotë tetëvjeçare, Zylfija u detyrua ta ndërpresë shkollimin e mëtejmë.
Fshati Malishtë, për shkak të pozitës së tij gjeografike në grykat e maleve mbi Manastir rrëzë bjeshkëve të Zhegocit, ishte zgjedhur si vend strategjik edhe për pozicionet e UÇK-së të Zonës Operative të Karadakut. Gatishmëria e familjes së Faik Gashit për të ndihmuar e për t’u vënë në shërbim të qështjes së lirisë, këtë fshat e bën edhe më tërheqës për luftëtarët e lirisë. Shtëpia e kësaj familjeje, së shpejti u shndërrua në bazë të sigurt të ushtarëve të lirisë të anëve të ndryshme të Kosovës, prej nga mbaheshin lidhje e koordinoheshin aksione nga Drenica, Nerodimja, Karadaku, Llapi e Gollaku.
Kështu, në verë të vitit 1998 tërë familja Gashi ishte vënë në shërbim të UÇK-së. Vëllai i madh i Zylfijes, Mustafa, i punësuar prej vitesh në Gjermani, po ndihmonte pa kursim fondin “Vendlindja Thërret”. Vëllai tjetër, Agroni, po ndihmonte në fushën e logjistikës dhe u inkuadrua në radhët e UÇK-së, për të marrë pjesë në shumë fronte të luftës kundër forcave pushtuese serbe, deri në kapitullimin dhe tërheqjen e tyre nga Kosova.
E ngarkuar me detyrën ushtarake në Logjistikë e Informim, Zylfijes, këto detyra i duken të vogla, prandaj ëndërronte të radhitej në vijën e frontit. Mirëpo, e ëma, Sadberja kishte shprehur brengosjen: “Nëse shkon edhe ti, si do t’ia dalë unë moj bijë, vetëm me gra e fëmijë? Kush e di se në çfarë situate mund të ndodhemi nesër?”. Nuk do ta harrojnë kurrë Guri, Rrapini, Komita, Rambo, Rama, Ymeri e dhjetëra luftëtarë të tjerë, të cilët kurdo që trokitnin në dyert e shtëpisë së familjes Gashi, hapeshin ato dhe Zylfija, sakaç merrte detyrën për të vrojtuar e vëzhguar që të mos u ndodhte ndonjë e papritur ushtarëve të lirisë.
Kur Zona Operative e Karadakut vendosi Komandën në Malësinë e Zhegocit, ku tashmë vëllai i Zylfijes, Agroni, ishte i mobilizuar, Zylfija u angazhua në sektorin e furnizimit me gjëra ushqimore.
Në prill të vitit 1999, edhe në këto anë armiku ndërmori ofansivë në shkallë të gjerë. Si çdo ushtar i lirisë edhe Zylfije Gashi në çdo moment ishte në krye të detyrës për t’u konfrontuar me forcat armike. Më 16.4.1999 në orët e paraditës, Zylfije Gashi sapo kishte përcjellur dhe orientuar një njësit ushtarak deri në pikën e caktuar nga Komanda e ZOK-ut. Duke u kthyer për të raportuar për kryerjen e kësaj detyre dhe për të vazhduar me detyra të tjera, bie në pritë të forcave armike, me ç’rast përjetësohet në altarin e lirisë. Në mungesë të uniformave ushtarake të UÇK-së, në momentin e rënies ajo kishte vetëm kapelen me emblemën e UÇK-së. Varrimi i dëshmores u bë në varrezat e fshatit të lindjes.
Vepra e saj u përjetësua me lapidarin e ngritur në dyvjetorin e rënies.
Në shenjë nderimi dhe respekti për gjakun e derdhur të Zylfije Gashit, familja e saj ka pranuar mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjës e QPK-së, nga Komanda e ZOK-ut, nga Komanda e Zonës VI të TMK-së, me rastin e shënimit të Flakës së Janarit dhe nga Kuvendi Komunal i Gjilanit. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …